Përgatitjet për Egnatian, te Partizani shqetësojnë tre titullarë
Pas një pushimi të shkurtër, Partizani pritet të kthehet në stërvitje për të përgatitur gjysmëfinalen e “Final 4” që do të luajë përballë Egnatias. Të kuqtë kanë kaluar me sukses ndeshjen ndaj Elbasanit në një situatë të vështirë sa i përket aspektit fizik, pasi para saj kishin luajtur 120 minuta rraskapitëse përballë Egnatias në Kupë.

Në këtë sfidë të radhës, e vetmja mungesë e sigurt është ajo e Agim Zekës, i cili po vijon punën për rikuperimin e një tërheqjeje muskulore. Pjesa tjetër e ekipit, me shumë mundësi, do të jenë në dispozicion, por për tre nga lojtarët do të duhet një trajtim i veçuar dhe i detajuar nga mjekët.
Paulo Buxhelaj dhe Altin Bytyçi kanë probleme në gju, çka i detyroi që ndeshjen kundër Elbasanit të mos e mbyllnin dot. Problemet fizike të kësaj dysheje duken të kalueshme, por për disa kohë do të duhet të trajnohen të veçuar.
Në sfidën e fundit pati shqetësime edhe Mehmeti, por pas një rishikimi nga ana e stafit mjekësor ka rezultuar vetëm lodhje muskulore. Pjesa tjetër e ekipit gëzojnë formë fizike optimale dhe pritet të stërviten normalisht për ndeshjen e radhës që do të luhet më 5 maj. Sipas Egnatias, trajneri Gega pritet të ndërtojë edhe formacionin e të kuqve, që në këto finale shkojnë si sfidues dhe jo si favoritë. Gjithsesi, ata e kërkojnë titullin.
PANORAMASPORT.AL













