Pauza vjen në ndihmë, Partizani rikuperon energjitë për sfidën me Vllazninë
Abissnet Superiore do të ndalet në javën e 29-të të saj, teksa kampionati do t’i lërë radhën impenjimeve të kombëtares, që do të zbresë në fushë në kuadër të fazës “Play-Off” për Kupën e Botës 2026. Kjo pauzë duket se vjen në momentin e duhur për Partizanin, teksa të kuqtë vinin nga një kalendar shumë i ngjeshur mes Kupës së Shqipërisë dhe kampionatit. Në sfidat e fundit, sidomos në dy takimet e para të fazës së katërt, lodhja ishte e dukshme në radhët e lojtarëve kryeqytetas.

Kështu, falë këtyre ditëve pa impenjime zyrtare, lojtarët mund të rikuperojnë energji të rëndësishme për fazën më vendimtare të kampionatit. Nga ana tjetër, kjo pauzë do t’i japë kohë edhe trajnerit Oltijon Kërnaja për të rikuperuar disa nga lojtarët që kanë shfaqur probleme fizike.
ORGANIKA – Një ndër ta është edhe Xhuljano Skuka. Sulmuesi kryesor nuk u aktivizua fare në ndeshjen me Vorën, ndërsa në atë ndaj Teutës, ku gjeti edhe rrugën e rrjetës, nuk mundi të qëndronte në fushë për 90 minuta, duke luajtur 77 të tilla. Nga ana tjetër, edhe Vusal Isgandarli pritet të rikthehet në formë pas kësaj pauze. Lojtari mori një goditje në ndeshjen me Dinamon dhe më pas mungoi në dy takimet e radhës të Partizanit.
Ai është larguar drejt Azerbajxhanit, ku është grumbulluar me kombëtaren e tij, dhe pritet të rikthehet gati për fazën e katërt të kampionatit. Kujtojmë se edhe Rrok Toma është larguar përkohësisht nga radhët e të kuqve, pasi sulmuesi do të jetë i impenjuar me Kombëtaren Shpresa të drejtuar nga Alban Bushi në miqësoren ndaj Uzbekistanit.
TË DËMTUARIT – Ndërkohë, këto ditë pushimi mund të jenë të rëndësishme edhe për Kamer Qakën, i cili nuk ka qenë në maksimumin e kondicionit fizik dhe pritet të rikuperojë plotësisht. Sakaq, kjo periudhë pauze mund të konsiderohet pozitive edhe për lojtarët që qëndrojnë prej kohësh jashtë fushave, si Preka, Marku apo edhe Keko. Sfida e radhës në kalendar për Partizanin është ajo ndaj Vllaznisë, ku të kuqtë do të kenë sërish të gatshëm Arafat Dumbian. Mesfushori mungoi në takimin e fundit të kampionatit për shkak të kartonit të kuq.
PANORAMASPORT.AL













