Patrik Bardhi, një “ish” që sfidon Dinamon e Dajës: Vora kërkon një vend në katërshe
E natyrshme është që një derbi kryeqytetas të luhet në kryeqytet, dhe kësisoj këtë radhë Vora do të zhvillojë derbin e tretë mes skuadrave kryeqytetase, duke e luajtur këtë herë në “Arenën e Demave”, aty ku nisi rrugëtimi i saj në Superioren.

Pasi u mund nga Partizani 0-1 në derbin e parë zyrtar me skuadrat elitare, Vora arriti të fitojë në derbin e dytë ndaj Tiranës 3-1, një ndeshje e luajtur në Laç për shkak të rikonstruksionit të stadiumit të Vorës. Ndërsa nesër, Vora do të përballet me të tretën ndaj Dinamos. Lidhur me këtë ndeshje ndaj Dinamos, një ish-dinamovit kërkon të sfidojë skuadrën nga e cila erdhi tek Vora.
Bëhet fjalë për Patrik Bardhin, që u bë pjesë e Vorës pas transferimit nga Dinamo më 16 shtator 2024, duke iu bashkuar gjatë sezonit të Kategorisë së Parë 2024-25. Në këtë sezon, Vora shkroi historinë duke u ngjitur për herë të parë në Superioren, dhe Bardhi ka rinovuar kontratën edhe për këtë sezon. Me Dinamon, Patrik Bardhi luajti për tre sezone, dhe ndeshja e nesërme për të do të jetë krejtësisht e veçantë. Shumë nostalgji të vjetra që e lidhin me këtë skuadër do t’i bashkohen jashtë fushës së lojës.
Sulmuesi i djathtë, 27-vjeçari kryeqytetas, nuk mund të linte mënjanë emocionet dhe qetësinë për të folur për përballjen kundër ish-skuadrës së tij. Ai po gëzon një formë të shkëlqyer në shtatë përballjet e para të Vorës në Superioren, dhe përvoja e tij me ekipet elitare e ka bërë që të mos ndjejë presion nga skuadrat e mëdha. Kështu, edhe pse nostalgjik për kundërshtarin, Bardhi për “Panorama Sport” shprehet se nuk ndjen emocione të veçanta dhe e trajton këtë përballje si të gjitha ndeshjet e tjera. Ai thekson se në takimin e nesërm, që zhvillohet në kryeqytet, Vora do të kërkojë pikët e plota, pasi përderisa kjo skuadër pretendon “Final Four”, kjo është mënyra e vetme për të qëndruar brenda katërshe më të mirë në fazën e parë.
DEKLARATA – Kjo ndeshje do të jetë mjaft e fortë dhe e vështirë për Bardhin, pasi asnjëra prej këtyre dy skuadrave nuk mund të lëshojë pikë. “Si një ish-futbollist i Dinamos, për mua do të jetë një ndeshje e veçantë, sepse më duhet të luaj kundër ngjyrave ku kam qenë për tre sezone radhazi. Por futbolli është i tillë dhe pranon këto vështirësi nostalgjike, sepse profesionalizmi kërkon që ndonjëherë të përballesh me këto lloj takimesh, edhe jashtë dëshirës. Meqë ndeshja do të luhet në Tiranë, do të ketë shumë tifozë nga të dyja skuadrat.
Unë kam ndjerë për shumë kohë ngrohtësinë e tifozëve të mi, por edhe atë të Dinamos, por kjo nuk më emocionon veçanërisht. Ata më kanë përkrahur gjithmonë, dhe edhe nesër pritet e njëjta gjë. Nga përvoja e di se çfarë do të thotë të kesh prapa një gardë të tillë, siç janë tifozët, sepse ata janë lojtari i 12-të. Pavarësisht nostalgjive, kjo është një ndeshje e radhës dhe në fushë nuk kam asnjë emocion; përqendrimi im do të jetë vetëm tek loja.
Ne do të luftojmë për tri pikët, por e parashikoj një ndeshje të fortë dhe të vështirë, pasi Dinamo është një ekip rival në synimet tona për zonën finale ‘Final Four’ dhe kërkojmë që këtë fazë të parë ta mbyllim brenda katërshe më të mirave”, u deklaroi 27-vjeçari kryeqytetas Patrik Bardhi, një ditë para ndeshjes kundër ish-skuadrës së tij të mëparshme.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













