Partizani, trajneri i ri preferohet i huaj. “Demat” në bisedime edhe me një tjetër
Partizani është në mbyllje të një sezoni që mund të konsiderohet i dështuar, duke qenë se të kuqtë nuk mundën që të preknin vendin e katërt dhe, rrjedhimisht, të merrnin pjesë në “Final Four”, teksa skuadra humbi gjithçka në fazën e katërt, duke regjistruar një bilanc tejet negativ me pesë humbje dhe tre barazime.
E ARDHMJA– Drejtori Agim Ibraimi, ndryshe nga merkato e janarit, tashmë në këtë “dritare” të merkatos verore do të ketë në dispozicion më shumë kohë për të pikasur e për të transferuar lojtarë që do të mund të bëjnë diferencën, siç ndodhi në janar me goditjet e tij si Sidibe, Qaka apo edhe Murataj. Në organikën e Partizanit, shumë futbollistë janë në fundin e kontratës dhe ndoshta me Dinamon mund të luajnë ndeshjen e fundit me kryeqytetasit. Kështu, pritet që ekipi të pësojë ndryshime në të gjitha repartet, duke nisur nga ai difensiv e deri në sulm.
TRAJNERI I RI I HUAJ? Sigurisht, një ndër lëvizjet më kryesore për klubin është edhe gjetja e trajnerit të ri, hapësirë kjo e lënë bosh pas shkarkimit të Oltijon Kërnajës. Së fundmi, në skenë ka dalë emri i Julian Ahmatajt, i cili para disa kohësh mbylli aventurën me Shqipërinë U-19, ndërsa në Superiore ka pasur edhe disa eksperienca, ku veçohet ajo me Tiranën apo me Teutën e Luftëtarin. Megjithatë, Ahmataj nuk është alternativa e vetme për stolin e Partizanit. Kjo pasi aktualisht të kuqtë po zhvillojnë bisedime edhe me trajnerë të huaj. Madje, këta të fundit duket se janë më shumë në preferencën e presidencës së klubit, që në fund do të vendosë veton dhe do të zgjedhë “timonierin” e ri të ekipit.
KËRKOHET STABILITET- Një vendim që patjetër duhet marrë me shumë qetësi e vendosmëri, duke kujtuar se në sezonin aktual Partizani ndërroi plot tre trajnerë. Në fi llim, në ndeshjet e Kupave të Europës ishte Skënder Gega. Pas eliminimit nga Nomme Kalju, Gega u largua dhe kampionati nisi nën udhëheqjen e Mladen Milenkoviç. Por, drejtimi i trajnerit serb zgjati vetëm gjashtë javë dhe më pas u emërua Oltijon Kërnaja, që falë rezultateve, edhe pse ishte emëruar si trajner i përkohshëm, qëndroi thuajse deri në fund të kampionatit, teksa u shkarkua vetëm tre ndeshje para se të mbyllej sezoni. Këto lëvizje të trajnerëve, përfshirë edhe atë të drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj, e luhatën shumë ambientin dhe rezultatet e të kuqve, duke bërë që ekipi të mos kishte stabilitet. Ndaj, të gjitha këto janë arsye që në sezonin e ri të ketë më shumë qëndrueshmëri në vendime, si dhe të ketë kohë më shumë në dispozicion për të nisur një projekt të ri, këtë herë nën udhëheqjen e drejtorit Agim Ibraimi e më pas edhe të trajnerit të ri.
PANORAMASPORT.AL













