Partizani, Starova: I kërkuam të qëndrojë, por s’pranoi. Ja SMS-ja për presidentin
Drejtuesit e klubit të Partizanit nuk e kanë pritur aspak mirë lajmin se Mentor Zhdrella është ankuar për paratë në mediat kosovare. Sipas tyre, klubi i kuq jo vetëm që nuk i detyrohet asnjë futbollisti, por u ka dhënë edhe paradhënie një pjese të mirë të lojtarëve të ekipit. Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Sulejman Starova, e ka cilësuar absurd pretendimin e Zhdrellës se u largua nga Partizani pasi nuk është shlyer. “Nuk e di sa i vërtetë është lajmi i publikuar nga mediat kosovare, i përcjellë më pas edhe në Shqipëri. Por di të them se te Partizani nuk ka pasur kurrë një çështje parash, as me Zhdrellën dhe as me ndonjë futbollist tjetër. Është për të ardhur keq, që pas një situate të vështirë, ku një lojtar vendos të largohet, të dalin në skenë të tilla pretendime. Nëse dikush dyshon për këtë, mjafton të shohë mesazhet që kanë ardhur nga vetë Zhdrella në adresë të presidentit, ku thuhet tekstualisht: “Kërkoj largimin. Kur të kthehem në Tiranë për të marrë letrat, atëherë do të kthej edhe paratë që kam marrë paradhënie… Kur dikush ka marrë paradhënie, nuk mund t’i kesh borxhe…”, thotë me ironi Starova. Ai ka kërkuar nga opinioni sportiv, por edhe nga vetë lojtarët të jenë të kujdesshëm në ato që deklarojnë, sepse nuk mund të cenohet imazhi i një klubi me insinuata, që sipas tij nuk kanë asnjë të vërtetë brenda. “Te Partizani mund të ketë edhe ndonjë problem apo defekt, sepse perfektë nuk jemi, por vetëm çështje parash dhe çështje rrogash nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë. Ky është një zotim i bërë nga presidenti që në krye të herës dhe për këtë ju siguroj. Zhdrella ka kërkuar largimin dhe ne me shumë dashamirësi i kërkuam thjesht të reflektonte dhe të mos nxitohej. Te Partizani ka një sjellje profesionistësh në të gjitha nivelet, por po të njëjtën gjë presim edhe nga të tjerët”, ka përfunduar Starova. Me këtë sqarim të drejtorit Starova bie poshtë argumenti i mediave kosovare dhe del se shkaku i largimit të Zhdrellës është vetëm për arsye familjare.













