Partizani nuk njeh fitoren prej 5 ndeshjesh, derbi “zhyt” ose “ringjall” të kuqtë e Kërnajës
Partizani nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Bylisit në “Arenën e Demave”, duke humbur një tjetër mundësi për të rikuperuar terren në garën për “Final Four”. Të kuqtë mbeten në vendin e pestë me 45 pikë, po aq sa edhe Dinamo e vendit të katërt, duke e bërë edhe më të paparashikueshëm rivalitetin për zonën që të çon në fazën finale të kampionatit.
ECURIA Ky rezultat konfirmon momentin jo pozitiv që po kalon skuadra e drejtuar nga Oltijon Kërnaja, e cila nuk njeh fitore në pesë ndeshjet e fazës së katërt. Bilanci prej tre barazimesh dhe dy humbjesh ka ndikuar drejtpërdrejt në renditje, duke zbehur avantazhin që Partizani kishte krijuar më herët ndaj rivalëve direktë. Në një fazë të sezonit ku çdo pikë ka peshë të madhe, mungesa e fitoreve është një sinjal që kërkon reagim të menjëhershëm. Edhe ndaj Bylisit, skuadra krijoi momente për të marrë maksimumin, por nuk arriti të menaxhojë si duhet episodet e ndeshjes, duke u ndalur sërish në një rezultat që lë shije zhgënjimi.
DERBI Tashmë, vëmendja e kryeqytetasve kalon te derbi me Tiranën, një sfidë që vjen në një moment delikat për ekipin. Përballja me bardheblutë është gjithmonë një ndeshje me peshë të veçantë, por këtë herë rëndësia është edhe më e madhe për shkak të situatës në renditje dhe nevojës për t’u rikthyer te fitorja. Statistikat e këtij sezoni ndaj Tiranës janë në favor të Partizanit, që ka arritur të fitojë dy nga tre përballjet direkte, ndërsa ka pësuar një humbje, por në periudhën kur ekipi nuk drejtohej nga trajneri Oltijon Kërnaja. Ky bilanc pozitiv mund të shërbejë si një pikë referimi për moralin dhe besimin e skuadrës, por në fushë gjithçka duhet të konfirmohet sërish.
PROBLEMET Një tjetër element që e bën edhe më të komplikuar këtë sfidë është fakti se Partizani do të vijë me mungesa të rëndësishme. Pezullimet e fundit të Bytyçit dhe Ismailit detyrojnë stafin teknik të bëjë lëvizje në formacion, duke kërkuar alternativa që të ruajnë balancat në lojë. Në aspektin psikologjik, seria pa fitore ka ndikimin e saj, por një derbi shpesh është ndeshja ideale për të ndryshuar rrjedhën e rezultateve. Një fitore ndaj rivalit të qytetit jo vetëm që do të sillte tri pikë të rëndësishme, por edhe do të rikthente besimin brenda grupit. Nga ana tjetër, edhe Tirana do të hyjë në këtë përballje me objektivat e saj, ku në lojë është mbijetesa, duke e bërë derbin një sfidë të hapur dhe të paparashikueshme. Diferencat në fushë pavarësisht renditjes në këtë kampionat, janë minimale dhe çdo episod mund të bëjë diferencën në një ndeshje të tillë.
MOMENTI PËR KTHESËN Për Partizanin, ky takim përfaqëson më shumë sesa një derbi të zakonshëm. Është një mundësi për të reaguar, për të treguar karakter dhe për të mbajtur gjallë objektivin sezonal. Çdo hap fals në këtë fazë mund të ketë pasoja direkte në fundin e kampionatit. Në përfundim, përballja me Tiranën vjen si një test i rëndësishëm për të kuqtë, të cilët duhet të gjejnë mënyrën për të dalë nga momenti negativ. Rezultati i këtij derbi mund të ndikojë ndjeshëm jo vetëm në renditje, por edhe në rrjedhën psikologjike të skuadrës në javët vendimtare që kanë mbetur.
EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL













