Partizani-Kalju! “Demat”, favoritë në letër. Më shumë largime se afrime, të kuqtë në garë me kohën
Partizani u njoh dje me kundërshtarin në turin e parë të Ligës së Konferencës. Do të jetë pikërisht Nome Kalju që sfidohet nga skuadra e Skënder Gegës.
Partizani pozicionohej te skuadrat favorite, ndërsa supozohet se kundërshtarët janë më të lehtë në letër. Kliftonvill, Malisheva dhe Haverforduest ishin rivalët e tjerë të mundshëm. Skuadra e kuqe ndërkohë po vijon me përgatitjet për Europën në Ohër. Ndeshja e parë me Kaljun do të luhet në transfertë, më 10 korrik. Sfida e kthimit do të jetë në Shqipëri, më 17 korrik.
TRAJNERI I NOME KALJU- Nikita Andrejev është shfaqur mjaft i gëzuar për shortin. Siç vetë tregon, i kishte njohur kundërshtarët e mundshëm në mëngjesin e kaluar, ndër ta edhe Partizanin, për këtë u shfaq mjaft i qetë në fjalën e tij. Çfarë dallohet, është se “Demat” nuk e trembin 36- vjeçarin.
LARGIMET- Te Partizani ka pasur largime me peshë në formacion nga sezoni i kaluar. Në planet e Skënder Gegës nuk ishin disa lojtarë, të cilësuar si titullarë. Me sa duket, kjo situatë është studiuar dhe nga Kalju, pasi trajneri i tyre e konsideroi shortin të favorshëm. Partizani rezulton të jetë më i fortë në letër, për shkak të koeficientit të ndërtuar nga edicionet e mëparshme. Në fushë, skuadrës së kuqe rezulton t’i jenë larguar disa elementë. Partizani nuk i ka të dubluara rolet dhe kjo bën që të jetë i cunguar. Taipi, Domgjoni, Eleke, po ashtu skuadrës i mungon edhe Podstrelov. Këta emra të preferuar titullarë bëjnë që të ketë më shumë largime se afrime.
AFRIMET- Nëse largimet kanë qenë të shumta, në krahasim edhe me skuadrat e tjera të Superiores që marrin pjesë në Europë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për afrimet. Skuka, Isgandarli dhe Martinez nuk plotësojnë grupin që kërkon përforcime edhe në mesfushë.
AVANTAZHI DHE DISAVANTAZHI- Partizani mund të quhet se ka avantazh që luan ndeshjen e parë në transfertë. Sigurisht për ta vendosur më pas kualifikimin në shtëpi. Kjo do të kthehej në disavantazh, nëse rezultati i sfidës së parë është negativ. Lodhja e kthimit nuk do të rezultonte për mirë. Disavantazhi i Partizanit është forma e Kalju. Kampionati estonez vazhdon rrugëtimin dhe rivalët do të jenë në kulmin e tyre, kur të vendosen përballë “Demave”. Presioni në sfida të tilla mund të kalojë te skuadra që konsiderohen favorite, por pa diferenca të dukshme, siç është edhe rasti i Partizanit.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













