Miqësorja, Partizani mundet nga Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2012 | 13:41

Miqësorja, Partizani mundet nga Kukësi

Partizani ka humbur miqësoren e djeshme ndaj Kukësit, e cila u zhvillua në kompleksin Dinamo. Rreth 50 tifozë të kuq e kanë ndjekur nga afër këtë takim, të cilët në fund të tij, pavarësisht humbjes, kanë mbetur të kënaqur nga forma që tregoi skuadra. “Demat”, nën drejtimin e dyshes Lika- Tomorri, me një formacion të përbërë edhe nga lojtarë të rinj në moshë, treguan forcë karakteri, edhe pse nuk arritën të shënonin asnjë gol.

Partizani – Kukësi 0-2
GOLAT: / Baio 20′, Hoxha 78′
PARTIZANI: Hoxha, Duqi, Alcani, F.Tafaji, Pashaji, Lini, Ishka, Tafa, Sulçe, Zyba, Petro. Trajner: G.Tomorri
KUKËSI: Halili, Peqini, Brahja, Hallaçi, Lila, alikaj, Progni, Malindi, Mziu, Manuka, Baio. Trajner: A.Cungu
GJYQTAR: Sh.Guçe

Pjesa e parë – Hoxha, Zyba dhe Petro ishin tre të rinjtë e akademisë, të cilët debutuan në këtë takim që nga fillimi i tij së bashku me Fatjon Tafajin dhe Sokol Ishkën, të cilët janë edhe dy goditjet e para zyrtare të Partizanit për fazën e dytë të kampionatit. Minutat e parë të lojës kanë folur më shumë për kuksianët, që janë më të qartë në lojën e tyre dhe e vënë në vështirësi portën e të kuqve. Nga ana e tyre, “demat” përpiqen të organizohen dhe, atëherë kur ia dalin ta bëjnë një gjë të tillë, ndëshkohen nga një gol i Baios. Ky i fundit ka shfrytëzuar më së miri një krosim në zonë dhe me kokë ka mposhtur me lehtësi portierin Hoxha, i cili hezitoi të ndërhynte në kohë për ta largohet sferën. Në minutat e mbetura të kësaj pjese të parë, të kuqtë përpiqen të rrezikojnë portën e Halilit, por gjuajtjet e Ishkës, Linit dhe Zybës nuk përfundojnë në rrjetë dhe mjaftohen vetëm me duartrokitjet e ultrasve.
Pjesa e dytë – Gjatë fraksionit të dytë të takimit, trajnerët e kuq bëjnë edhe zëvendësimet e rastit, duke larguar titullarët dhe hedhur në fushë pothuajse të gjithë lojtarët e akademisë që kanë në stol. Ndryshime ka edhe tek skuadra kundërshtare, e cila në këtë 45-minutësh të dytë do të jetë në presionin e vendësve, të cilët kërkojnë me çdo kusht golin e barazimit, që nuk do të vijë. Ndërkohë që kuksianët në një zbritje të shpejtë do të shënojnë edhe golin e dytë me anë të Hoxhës. Rezultati i takimit nuk do të ndryshojë deri në fund, ndërsa takimi i vlejti stafit drejtues të Partizanit për të krijuar një ide më të qartë për gjendjen e skuadrës.

Frashëri debuton me “demat”
Erlis Frashëri, ish-sulmuesi i skuadrës së Tomorit gjatë fazës së parë të kampionatit, mund të konsiderohet tashmë pjesë e Partizanit. Lojtari u aktivizua disa minuta në miqësoren e djeshme ndaj Kukësit, të cilën të kuqtë e kanë humbur në shifrat 2-0. “Panorama Sport” e kishte paralajmëruar pak ditë më parë se mes lojtarit dhe drejtuesve kishin nisur bisedimet dhe se ai ishte një nga alternativat kryesore për repartin e sulmit. Ndërkohë, me aktivizimin e djeshëm, duket se marrëveshja mes palëve është arritur dhe tashmë nevojitet vetëm konfirmimi i klubit. Një tjetër alternativë për sulmin është edhe shkodrani Raboshta.

Duro ndjek nga afër sfidën
Trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, ishte dje i pranishëm në ndeshjen miqësore, të cilën Partizani e luajti ndaj Kukësit. Duro, edhe pse është nën kontratë me shkodranët, është një nga emrat që ditët e fundit po lakohet gjithmonë e më shumë për të qenë në krye të të kuqve. Ai ishte i pranishëm edhe në mbrëmjen festive të skuadrës dy ditë më parë, ndërsa kërkesat e tifozëve kanë qenë për një rikthim të tij te Partizani. Nuk dihet nëse prania e Duros ishte për të parë nga afër gjendjen e lojtarëve, apo thjesht për të kaluar kohën e lirë. Ndërkohë, i pranishëm ishte edhe presidenti i Kukësit, Safet Gjici, si dhe ai i Mamurrasit, Ded Ndreca.
ARMAND HALILI