Partizani 1947: Themelim i bujshëm me kampionë
NGA BESNIK DIZDARI
KAPITULLI V
1947: PARTIZANI – VLLAZNIA
7-1!
Veprimtaria e parë e rangut kombëtar kur merr pjesë Partizani i futbollit është turneu i “Kupës së Ushtrisë Kombëtare”.
Është një veprimtari e cila zhvillohet pak ditë mbas përfundimit të Lojërave Ballkanike, ku Shqipëria ishte shpallë kampione Ballkanit në futboll.
Tashmâ fjalën e fuqishme sportive në Shqipëri do ta kishte Ushtria Kombëtare, e cila sa vjen e merr pushtet të pandalshëm edhe në fushën e sportit.
“Kupa e Ushtrisë Kombëtare”, që fillon më 17 nëntor 1946, është një veprimtari ku marrin pjesë katër skuadra: Vllaznia, 17 Nandori, siç vazhdon të ruhet edhe për pak dit drejtshkrimi në gegnisht i emrit të saj, Ylli i Kuq i Durrësit (Teuta e sotme) dhe Partizani.
Duket qartë se qëllimi kryesor i kësaj kupe është konfirmimi i mëtejshëm i Partizanit, i cili thuajse rrufeshëm po bëhej simboli i sportit të shoqërisë komuniste shqiptare.
Serioziteti i organizmit të kësaj kupe është i madh, teksa po i jepej thuajse pamja e një kampionati të vogël: ndeshje me shkuarje e ardhje, madje deri me një rregullore të posaçme për ecurinë e saj, shto këtu publicitetin e pazakontë.
Fillimi i Kupës ka një paraqitje spektakolare, teksa kampionia Vllaznia fiton 4-1 me 17 Nandorin, por ajo që i intereson historisë sonë është fitorja e 2-0 e Partizanit kundër Yllit të Kuq të Durrësit. Ai është një Partizan i mbushur, sidomos me shkodranë:
Gjeloshi, Tepelija, Laçja, L.Hoxha, Kavaja, H.Bakalli. Plot gjashtë shkodranë! Dhe Fagu, Çobani, Sakiqi, Demneri të Tiranës e Teliti i Kavajës. Më saktë, 11-shi i këtij Partizani të parë në një ndeshje të parë të një gare zyrtare kombëtare, është ky:
Çobani, Gjeloshi, Tepelija, Sakiqi, Fagu, Demneri, Laçja, Teliti, L.Hoxha, Kavaja, H.Bakalli. Ndërkaq, për historinë e gazetarisë njoftohet se çdo të mërkurë, në orën 18:30, Radio Tirana do të transmetojë rubrikën “Ora e Sportit”.
Dhe ja sensacioni tjetër: ky turne shoqërohet me një lotosport, Konkursi i parashikimeve, siç emërtohet! Natyrisht ishte ende shpejt për ta quajtur një “lojë borgjeze”. Partizani fiton bujshëm 3-0 ndaj 17 Nandorit, por humbet 3-2 me Vllazninë, e cila do të fitojë edhe Kupën, por duke ndodhur në ndeshjen e fundit ngjarja më e papritur:
Partizani – Vllaznia 7-1! Ka ndodhur në Tiranë më 5 janar 1947. Kjo është ndeshja e fundit e këtij Turneu, ku kampionia Vllaznia e kishte siguruar vendin e parë, por shifrat janë përtej historisë. Me sa dukej, kishim të bënim me një 11-sh partizanas që shpejt do të bëhej yll i ndritshëm i futbollit shqiptar. Mbas fitores 7-1 ndaj shkodranëve, Anton Mazreku i vë vulën kësaj ardhjeje të bujshme të Partizanit me këtë përcaktim thuajse sublim:
“Skuadra e Partizanit, shkruan ai, është një mburrje e sportit të ushtrisë sonë dhe e sportit shqiptar. Ajo do të jetë një nga kandidatet më të forta për fitimin e titullit kampion në kampionatin kombëtar të futbollit, prej të cilit nuk na ndajnë më tepër se dy muaj”.
Ku mbështetej forca dhe optimizmi i këtij parashikimi? Natyrisht jo vetëm në këtë fitore 7-1 ndaj Vllaznisë, por në vetë turneun miqësor të vitit të shkuar dhe sidomos në këtë Kupë të Ushtrisë, edhe pse Partizani renditet i dyti. Mazreku nuk gabon. Qysh në këtë fund dimri 1947, për rreth 25 vjet, nga mikrofoni i tij, nuk do të kishte skuadër që do të përmendej më fort se ky klub me emrin “Partizani”…
1947. PARTIZANI – KAMPION I SHQIPËRISË!
Kampionati Kombëtar i vitit 1947 fillon me përkimin jubilar të tij. Ky ishte i 10-ti Kampionat i Shqipërisë. Kështu, mbas kaq vitesh duhet të ndreqim historinë që thotë se Partizani ka luajtur për herë të parë jo në kampionatin e 3-të të Shqipërisë, por në të 10-in.
Ai është një kampionat i rrallë, i cili ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar si kampionati që sanksionoi ndryshimin e madh në krejt politikën e zhvillimit të futbollit dhe të sportit kombëtar. Dhe gjithçka lidhet vetëm me një emër:
Partizani, ndryshe Skuadra e Ushtrisë Kombëtare apo Popullore, siç do të thirrej pak më mbas. Rrallë mund të gjendet një rast kësisoj në historinë e futbollit botëror, që krijimi i një klubi të ri futbolli të ndikonte aq fort në ecurinë e kampionateve të një vendi si ky i Shqipërisë.
Qysh nga ky 1947, futbolli i kampionateve shqiptare për kohë të tana do të jetë në duart e këtij Partizani. Ishte një emër sugjestionues, historik, teksa merret me mend se në këto dy-tre vjet të Mbasluftës, fjala, thirrja “partizan” ishte shndërruar në simbol të vetë jetës shqiptare të sunduar nga Partia Komuniste (më mbas Parti e Punës).
Ky Partizan do të përcaktojë fatin e vetë ecurisë, zhvillimit, organizimit, politikës së futbollit, madje të të gjithë sportit shqiptar. Duke qenë gjithnjë e më pranë pushtetit, në mbështetjen e fuqishme të Ministrisë së Mbrojtjes, duke e ngatërruar shpesh politikën jo sportive me atë sportive,
Partizani krijonte një aureolë gjigante rreth vetes, çka e bënte atë sunduesin e paprekshëm të vetë futbollit shqiptar. I diferencuar në kushte qysh ditët e para të krijimit të tij, i fuqizuar tejet, i mveshur me të drejta të jashtëzakonshme, gjithmonë nën fuqinë e petkut të paprekshëm ushtarak, Partizani i Shqipërisë shumë shpejt shndërrohet në një klub të përmasave të mëdha dhe mbasi ndërtohet simbas stilit të të gjithë klubeve ushtarake të të ashtuquajturave Demokraci Popullore, kishte për ta ruajtur mbretërinë e tij solide për rreth 40 vjet me radhë. Kampionati i 10-të fillon më 16 mars 1947 dhe nuk fillon mirë: në çastin e fundit futet në kampionat skuadra e Gjirokastrës, duke e bërë nga 8 në 9 numrin e pjesëmarrësve dhe kalendari i hedhur pak ditë më parë bije poshtë për t’u përpiluar shpejt e shpejt një i ri.
Skuadrat hyjnë me urdhra. Partizani nuk fiton asnjë kampionat të kategorisë së dytë për të marrë të drejtën e hyrjes në kategorinë e parë, por hyn me vendime zyrash! E po ashtu edhe skuadra e Gjirokastrës! Dhe janë pra plot 9: Vllaznia e Shkodrës, 17 Nëntori i Tiranës, Partizani i Ushtrisë Kombëtare, Dinamo e Korçës, Ylli i Kuq i Durrësit, Tomori i Beratit, Flamurtari i Vlorës, Bashkimi i Elbasanit, Shqiponja e Gjirokastrës.
Ndërkaq, “serioziteti” i Kampionatit arrin befasinë, si të thuash, politike, qoftë dhe në një episod të paprecedent, kur tre funksionarë të lartë të Partisë dhe të pushtetit, Thoma Deliana, Pirro Kondi dhe Iljaz Reka, caktohen komisarë të ndeshjeve! Sporti i Partisë në këtë fillim spektakolar nuk njihte herarqi, ai vetëm po sundohej për bukuri! Dhe shorti kapricioz që vë si ndeshje të parë atë Vllaznia – Partizani, por që shtyhet për më 6 prill.
Partizani shfaqet për herë të parë të historisë së tij në një ndeshje kampionati kombëtar më 23 mars 1947. Është një shou i vërtetë, 5-2 Tomorit! Është ky Partizan: K a m b e r i , Fagu, Vathi, P e l i n g u , Demneri, Sakiqi, L.Hoxha, Baçi, Gavoçi, Dauti, Bakalli. Nuk kishte dalë ende në fushën e lojës Vllaznia, kampionia në fuqi. Premiera shkodrane e vitit 1947 ishte lënë të shpalosej në Jug të Shqipërisë. Më 30 mars skuadra e tyre i jep 9-0 Tomorit në Berat dhe më 1 prill po 9-0 Shqiponjës në Gjirokastër! Nuk ishte parë ndonjëherë në Kampionatet e Shqipërisë, që një skuadër brenda 48-orësh të zhvillonte dy ndeshje e të prodhonte 18 gola! “Nji rrugë, dy punë, 18 gola”, shkruan “Sporti”.
Anton Mazreku është si gjithmonë i figurshëm kur thotë: “Vllaznia e filloi kangën e kampionatit në ‘do maggiore’. Ky ishte poliedriku Anton Mazreku, të cilin ky fillim i vitit 1947 e gjen kryetar të Federatës Sportive Shqiptare (pra drejtues të sporteve në Shqipëri), radiokronist i vetëm, kryeredaktor i gazetës “Sporti”.
Por ja tek mbërrin Plenumi IV i Federatës Sportive Shqiptare (FSSH), i cili e shkarkon duke zgjedhur në krye të FSSH-së, një njeri të Partisë, Kristo Papajani, në të vërtetë një figurë e nderuar dhe e shquar e sportit shqiptar. Shumë e kishin zgjatur me “zotri Antonin”, siç cilësohet pra dhe në shtyp. Për çudi vetëm atij ende nuk i thoshin “shoku Anton”!…
Dhe bash në këtë çast lind hera e parë e ndeshjes 17 Nëntori- Partizani për kampionatet kombëtare. Merre me mend, te Partizani luajnë jo pak por plot 6 lojtarë më parë të 17 Nëntorit: Vathi, Demneri, Fagu, Sakiqi, Baçi, Lisi. Partizani nuk ka mëshirë. Është një 4-2 i bukur i tij, në ndeshjen e parë të atij që sot i thonë deri në mërzi “derbi i Tiranës”. Është 30 mars 1947: 17 NENTORI – PARTIZANI 2-4 17 NENTORI: Bonati, Kurani, Bulku, Arbana, Merja, C.Petrela, Shabani, Emiri, Borova, Hanxhari, K.Janku.
PARTIZANI: Stërmasi, Vathi, Pelingu, Demneri, Fagu, Sakiqi, Tafmizi, Baçi, Gjinali, Lisi, Bakalli. GOLAT:: Bakalli 3′, 65′, Gjinali 43′, 48′, Emiri 51′, K.Janku 81′. GJYQTAR: Kolec Ilia. Kishte nisur shkatërrimi i 17 Nëntorit, viktima e parë e Partizanit… Ndërsa Vllaznia ende do të rezistonte. Për kampionatin i kishte dhënë Partizanit deri tani vetëm nja 2 a 3 lojtarë: Hamdi Bakallin, Isuf Pelingun, Lutfi Hoxhën.
Dhe mjaft! Më 6 prill, në ndeshjen e shtyrë me ata që tash e mbrapa do të mbiemëroheshin “ushtarakët”, Vllaznia edhe pse pa Loro Boriçin e Dodë Tahirin ka forca për të rrëmbyer fitoren. Është një rezultat i ngushtë, vetëm 2-1, dhe golin ushtarak e realizon një ish i Vllaznisë, Bakalli! Vllaznia është gjithnjë e frikshme. 5-0 Flamurtarit në Shkodër dhe mbas 7 ditëve më 27 prill, 6-0 17 Nëntorit në Tiranë, sot e kësaj dite rezultati më i thellë i shkodranëve në këtë kah. (6-0 ka për të qenë edhe kthimi në Shkodër). Mandej, kur në Shkodër vjen Dinamo e Korçës, Vllaznia luan pa Boriçin, Barbullushin, Fakjen. Gabon rëndë. Është Vllaznia – Dinamo e Korçës 0-0. Ky do të mbetet barazimi fatal që kishte për t’i humbur kampionatin Vllaznisë!…
Në mbarim të periudhës së parë, renditja përcakton tre pretendentë të fortë: Vllazninë me 15 pikë, Dinamon e Korçës dhe Partizanin me nga 13. Java e 10-të ka humbjen e Vllaznisë 2-1 prej Partizanit në Tiranë, një ndeshje që ngjall shumë diskutime, që nuk gjen thuajse asnjë pasqyrim në shtyp, që kundërshtohet për njëanshmëri gjykimi prej shkodranëve, përderisa Vllaznia kërkon edhe përsëritjen e ndeshjes. Nuk ngjet një gjë e tillë.
E ndërkohë që Vllaznia luan rregullisht çdo javë, Partizanit i shtyhen ndeshjet e tij deri sa do të mbërrijmë te rasti unikal që fiksohet më 27 gusht 1947. Janë në krye Vllaznia me 26 pikë, Dinamo e Korçës me 24 pikë dhe Partizani me 17 pikë! Jemi një javë para mbarimit të kampionatit dhe të duket sikur titulli ka të bëjë vetëm me Vllazninë e Dinamon e Korçës. Nuk është kështu.
Vllaznia dhe Dinamo kanë vetëm edhe nga 1 ndeshje për të zhvilluar, ndërsa Partizani plot 6! Datat e ndeshjeve të tij janë të pashembullta në spontanitetin e tyre dhe ky Partizan i sapolindur, fluturon drejt titullit të tij të parë në pjesëmarrjen e tij të parë! Është galopante: 8-0 17 Nëntorit, 3-1 Dinamos së Korçës, 3-0 Bashkimit të Elbasanit, 7-2 Yllit të Kuq të Durrësit, 3-0 Flamurtarit në Vlorë dhe 2-0 për mosparaqitje Shqiponjës së Gjirokastrës. Kjo ishte seria e ndeshjeve që i japin atij titullin e kampionit.
Kampionati i 10-të Kombëtar i Shqipërisë kishte fituar mjaft elementë të rinj, kishte “humbur” Kombëtaren si Kampione të Ballkanit, kishte lindur Partizanin ushtarak, kishte shkatërruar skuadrën më legjendare që kishte pasur Shqipëria deri atëherë, Sportklub Tiranën alias 17 Nëntorin. Dhe? Partizani 29 pikë, Vllaznia 28, Dinamo e Korçës 24.
Kjo ishte renditja përfundimtare e treshes së parë. Çfarë Partizani ishte ky kampion i ri, qysh në pjesëmarrjen e tij të parë? Gazeta “Sporti” e përcakton kështu: “Kjo fitore e ndritshme e ‘Partizanit’ tregon me një fakt të ri se ç’hov të math ka marrë fizkultura në Ushtrinë Kombëtare.
Dhe skuadra e Partizanit e arrijti objektivin e vet duke u përshkuar nëpër një përparim gradual dhe të sigurt. Loja e tij gjatë ndeshjeve të kampionatit, fitoi gjithnjë e më tepër forcë, vitalitet, stil, harmoni dhe pikërisht në periudhën e sulmit përfundimtar për të fituar titullin kampion, skuadra ushtarake që në të njajtën kohë qe edhe skuadra shembullore e rregullit, e dishiplinës, e vëllazërimit, erdhi në një formë të shkëlqyer”.
I gjithë ky prozaizëm pasqyron një gjuhë tjetër disi të përgjithshme që po hynte në kronikën e futbollit shqiptar. Kjo skuadër e cila e nisi kampionatin pa pasur madje as dhe grupin e simpatizantëve të vet, tifozët e vet, gradualisht i fitoi edhe ata. Ishin fitoret, plot 14, ato që vërtetonin forcën e Partizani të ri, i cili i ndërtuar kryesisht mbi bazën e futbollistëve të kampiones së famshme Sportklub Tirana, nuk pati shumë probleme me sinkronizimin e një 11- shi ku shkodranët Pelingu e Bakalli dijtën të ishin një me të tjerët. Gjinali dhe Merhori vinin nga Besa, po edhe ata u bënë një me 6-7 tiranas të tillë si Vathi e Fagu, Sakiqi e Baçi, Demneri e Lisi, të cilët pa emocionet e një fanelle që e vishnin për herë të parë, luajtën futbollin e tyre pa qenë fort të shqetësuar se emri i skuadrës që përfaqësonin ishte diçka krejt “e panjohur” edhe për ta. Një kampione me trajner ende futbollist:
Sllave Llambi! Po më tepër kemi të bëjmë me një grup drejtues, çka ishte në konceptin e vetë madhështisë së një klubi që mendohej si Kombëtare e Shqipërisë prej atyre që e formuan. Siç kam përcaktuar në librin 2 “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, mbi kampionatin shqiptar nuk endej “fantazma” e Partizanit; në kampionatin sqiptar kishte filluar epoka e Partizanit…
KAMPIONET E PARTIZANIT PARA FUTBOLLIT DHE DATAT THEMELUESE
Ndërsa 20 emrat e parë kampionë të futbollit partizanas janë Stërmasi, Kamberi, Njala-Fagu, Cuciqi, Vathi, Demneri, Sakiqi, Pelingu-Baçi, L.Hoxha, Pengili, Tafmizi-Gjinali, Gavoçi, Dauti, Lisi, Bakalli, Merhori, me trajner-lojtar Sllave Llambi, në të vërtetë kampionë para tyre janë të tjerë. I detyrohem kështu, një digresioni.
Ndodh që pa mbaruar kampionati i futbollit, papritmas shfaqet një Partizan tjetër, Partizani i boksit, i cili shpallet kampion i Shqipërisë, duke u bërë ky Partizani i parë që fiton si ekip një kampionat kombëtar të Shqipërisë. Madje, edhe me plot pesë tituj individualë në peshat përkatëse. Për ne emrat janë të njohur dhe të shquar. Ia paraqesim brezit të ri: Myftar Marku, Ndrek Zefi, Mehmet Kryeziu, Naum Gjançi. Dhe tjetri, më i veçanti, është Ali Kastrati që shpallet kampion duke fituar ndaj legjendës shqiptare të boksit Rafail Dishnicës.
Është Partizani i sportit të boksit pra, ai i cili fiton për këtë klub ushtarak titullin e parë të kampionit të Shqipërisë si ekip. Dhe vetëm mbas tij, më 12 tetor 1947, fiton titullin e parë të kampionit të Shqipërisë, Partizani i futbollit. Por pesëshja e këtyre boksierëve kampionë kombëtarë si individë nuk janë të parët as ata. Para tyre, më 1946, janë partizanas të tjerë, teksa po ashtu si dhe boksierët po i nxjerrim nga ku i kishte fshehur pa mëshirë për 70 vjet me radhë “nëntoka” e historisë. Janë notarët Taq Dafa – kampion i Shqipërisë me Partizanin në 100 metra stil i lirë dhe 100 metra shpinë. Është notari tjetër, Ilia Gjymshana i Partizanit, në 100 e 200 metra bretkosë.
Është treshja e stafetës 3×100 metra e përzier kampione kombëtare po e Partizanit. Mandej vijnë kampionët e parë të Partizanit në atletikën e lehtë, gjithashtu në kampionatin kombëtar të vitit 1946. I famshmi Galip Sojli – kampion kombëtar në 1500, 5000 dhe 10.000 metra. Kampioni Fadil Bushati po i Partizanit në kërcimin me shkop dhe i mirënjohuri Zisi Kondi për Partizanin në hedhjen e shtizës. Nuk ndalon këtu.
Skuadra e futbollit të Partizanit duhet të jetë më “modeste” e t’u lëshojë ende rrugë kampionëve të tjerë partizanas të Shqipërisë para saj. Befasitë e tjera pra, që fillojnë me boksin, siç tregova, i përkasin po vitit 1947. Shpërthen i papërmbajtshëm një Partizan shumësportesh që step Shqipërinë sportive, sikur të kërkonte t’i thoshte se “ke parë ende pak”.
Mbas titullit të boksit 1947, papritmas mbërrin çiklizmi. Është 15 qershor 1947 dhe një çiklist i mrekullueshëm, Gani Laçej i Partizanit, fiton titullin e kampionit të Shqipërisë si fitues i Rrethit Çiklistik të Shqipërisë. Ka përshkuar duke mbetur i pari plot 1120 kilometra rrugë të Shqipërisë, duke hyrë në qytete i pritur me buqeta me lule e duartrokitje të pafund. Dhe pa kaluar muaji, më 13 korrik 1947 Partizani fiton për herë të parë titullin e kampionit të Shqipërisë në not për meshkuj, duke marrë edhe tre tituj të kampionit në garat individuale: Ilia Gjymshana në 100 metra shpinë, Kamber Rrapushi në 200 metra stil i lirë, si dhe në stafetën 3 x100 stil i përzier.
Një durrsak “par excellence”, një partizan i orëve të para të Luftës, por tani udhëheqës, emri i të cilit është Nako Spiru, ministër i Industrisë, kryetar i Komisionit të Planit të shtetit dhe anëtar i Byrosë Politike të PKSH, i dorëzon Kupën e kampiones ekipit të Partizanit. Me Partizanin në krye Regjimi po e merrte fort seriozisht sportin në duart e tij.
Tashmâ, në këtë vit 1947, thuajse kudo është Partizani. Herë me yll e herë pa yll në gjoks, herë me fanella të kuqe e ndonjëherë edhe të bardha, herë me të reja e ndonjëherë me paksa të zhubrosura, ai shfaqet gjithnjë e më sundues, gjithnjë e më tërheqës, gjithnjë e më fitimtar. Nuk ndalet ky Partizan “i panjohur”. Është 24 gusht 1947. Mbërrin kampionati kombëtar i Atletikës së Lehtë dhe titullin e kampionit si ekip për meshkuj po për herë të parë në histori e fiton Partizani i Ushtrisë Kombëtare! Madje, duke rrëmbyer me meritë të plotë edhe plot 11 tituj të kampionëve individualë në gara: Zef Frania në 100 metra e 110 metra me pengesa; Galip Sojli në 800, 1500 e 10.000 metra; në stafetën 4×100 e 4×400 metra; me kampionin Tahir Puka në 400 metra me pengesa; në kërcimin me shkop me Fadil Bushatin, në disk me Zisi Kondin dhe në çekiç me Shahin Vatën. Futbollit partizanas i është dashtë të presë jo pak për të marrë titullin e parë të kampionit.
Do të jetë çështje sporti në tanësi prej një klubi i të gjithë sporteve që shpërthen dhe sanksionohet rrufeshëm sidomos në këtë vit 1947. Datat e mëdha në një histori kronologjike themelimesh të çmuara të Partizanit tonë, janë këto: * 13 janar 1945. Del për herë të parë në fushën e lojës për një ndeshje miqësore me Vllazninë (0-0) Skuadra e Ushtrisë Kombëtare. * 7 prill 1946. Del për herë të parë në fushën e lojës skuadra me emrin Partizani në ndeshjen miqësore (2-0) me 17 Nëntorin. * 21 prill 1946. Partizani luan ndeshjen e parë ndërkombëtare të tij: Partizani – Spartak i Moskës 2-5. * 10-12 gusht 1946.
Partizani i Ushtrisë Kombëtare merr pjesë për herë të parë në një kampionat kombëtar të Shqipërisë. Është Partizani i sportit të notit, i cili shpallet nënkampion dhe jep dy kampionë në garat individuale (shih më sipër). * 23 gusht 1946. Partizani merr pjesë në kampionatin kombëtar të atletikës së Lehtë ku renditet i treti si ekip, por për herë të parë në histori fiton tre tituj individualë të kampionit kombëtar (shih më sipër). * 7 tetor 1946. Xhavit Demneri dhe Bahri Kavaja bëhen lojtarët e parë të Partizanit, të cilët veshin fanellën e Kombëtares.
Është ndeshja hapëse e kampionatit ballkanik (Shqipëria- Jugosllavia 2-3). * 9 tetor 1946. Besim Fagu bëhet lojtari i tretë i Partizanit që vesh fanellën e Kombëtares (Shqipëria-Bullgari 3-1). *13 tetor 1946. Bahri Kavaja i Partizanit është titullari i 11-shes së Kombëtares së Shqipërisë që shpallet kampion i Ballkanit (kurorëzimi te Shqipëria-Rumania 1-0). * 23 mars 1947. Partizani del për herë të parë në fushën e lojës për një ndeshje të kampionatit kombëtar të futbollit (Partizani- Tomori 5-2). * 10 prill 1947. Për herë të parë në histori Partizani fiton titullin e kampionit të Shqipërisë në një lloj sporti dhe ky është sporti i boksit, duke pasur edhe 5 kampionë individualë (shih më sipër). * 9 maj 1947. Partizani arrin fitoren e tij të parë, madje të madhe, në një ndeshje ndërkombëtare të futbollit: 1-0 Partizanit të Beogradit! * 15 qershor 1947. Gani Laçej i Partizanit fiton titullin e kampionit të Shqipërisë si fitues i Rrethit Çiklistik të Shqipërisë. * 13 korrik 1947. Partizani fiton titullin e kampionit të Shqipërisë në not për meshkuj, si dhe me tre kampionë në gara individuale * 24 gusht 1947.
Partizani shpallet për herë të parë kampion i Shqipërisë për meshkuj në atletikën e lehtë, duke pas 11 tituj të kampionit në gara individuale. Prej 6 atletëve të tij (shih më sipër). * 12 tetor 1947. Partizani fiton për herë të parë titullin e kampionit të Shqipërisë në futboll. (Mbas ndeshjes Partizani-Shqiponja e Gjirokastrës 2-0 për mosparaqitje të gjirokastritëve).
“Plagjiatorët” do t’i kenë tash gati këto data themelimesh që ishin zhdukur, duke shpresuar se do të dinë t’i kopjojnë saktësisht, jo me gabime e shtrembërime të pafund siç po ngjet pa prâ. E kuptoni pra se cila është Shqipëria e sotme. Duheshin 70 vjet për të mësuar shqiptarët këtu, në këtë çast, kampionët e parë të një prej klubeve sportive më të mëdhenj, më të famshëm të historisë së tyre.
DY “PARTIZANËT” DHE FITORJA E MADHE E PARTIZANIT SHQIPTAR Tash erdhi koha “të lodhem” paksa prej arkivit tim. Kujtoj që i pari, ai i Beogradit ishte themeluar më 4 tetor 1945. Pak javë mbas tij kishte dalë në fushën e lojës për herë të parë me emrin Partizan ky i Tiranës.
Dhe mbas tyre, siç e kam treguar në kapitujt e mëparshëm, lindën dhjetëra “Partizanë” të tjerë. Sot janë ende në jetë plot 9 prej tyre: Partizani i Beogradit, Partizani i Tiranës. Dhe mbas tyre: Partizan Donja në Bosnjë Hercegovinë, Partizan Kaludjerica, Partizan Susek, Partizan Gaj, Partizan Vitojevci të Republikës së Serbisë; mandej Partizan Obsani në Maqedoni dhe Partizan Bardejov në Sllovaki. Kësisoj, si në një “happy end”, po e mbyll këtë histori me takimin e këtyre dy Partizanëve të mëdhenj, atij të Beogradit dhe këtij të Tiranës, takim që do të regjistrojë fitoren e parë të madhe ndërkombëtare të klubit shqiptar ushtarak. Ndërkaq, historia na thotë se mbas vitesh me këtë Partizan të Beogradit do të luajnë jo pak shqiptarë, natyrisht shqiptarë të Kosovës.
Fadil Vokrri i madh, 12 ndeshje e 6 gola me Jugosllavinë. Para tij Xhevat Prekazi, 330 ndeshje dhe 82 golave me Partizan të Beogradit, dy herë kampion i Jugosllavisë dhe fitues i Kupës së Europës Qendrore (1978), paksa edhe nën fanellën e Olimpikes së Jugosllavisë. Pa harruar edhe tre shqiptarë të tjerë të këtij Partizani. Midis më të parëve është Zenun Brovina, vëlla i radiokronistit të shquar Azem Brovinës – mbajtës i Çmimit “Anton M a z r e k u ” .
Mbas tij vëllai i Xhevatit, Luan Prekazi, firmë ndër më të spikaturat e futbollit të Kosovës, i cili veshi fanellën e Partizan të Beogradit për tre sezone (1966-’69). Edhe i mirënjohuri Kujtim Shala gjithashtu fanellën e FK Partizan të Beogradit. Partizan i Beogradit, ka qenë klubi më mikpritës në ish- Jugosllavi për talentet e Kosovës.
E pata gjetur më 2007 krejt të qetë stadiumin historik të Armatës Popullore të Partizan të Beogradit, teksa me kolegun Vladimir Grillo u afruam për te kabina e shtypit ku ai 20 vjet më parë kishte përshkruar emocionet dridhëse të golit kualifikues të Sokol Kushtës që shkaktoi heshtjen deri në skaj të tribunave të këtij stadiumi ku skuadra e paharrueshme e Vlorës eliminoi mû këtë Partizan legjendë për Jugosllavinë e sot për Serbinë…
Histori të përbashkëta partizanase, madje qysh në muajt e parë të themelimit të të dyve… Ata janë takuar kështu, për herë të parë thuajse 70 vjet më parë në Tiranë. Maj 1947. Saktësisht 9 maj 1947 – dyvjetori i kapitullimit të Gjermanisë Naziste dhe të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Asokohe ka qenë kulmi i miqësisë së madhe, edhe pse një vit para prishjes po të madhe.
Partizan i Beogradit sapo kishte siguruar titullin e kampionit të Jugosllavisë, i pari për të dhe ja ku vjen në Tiranë për te Shqipëria “mike”. Është pra dyvjetori i rënies së Berlinit, 9 maj 1947 dhe mû në këtë ditë dy Partizanët, “ati”, ai i Jugosllavisë, dhe “biri”, ky i Shqipërisë, të cilët takohen në një ndeshje impozante të përkujtimit të luftës partizane që sapo ka mbetur mbas dhe të lirisë që “shkëlqente” në “zenitin” e haresë së frikshme të saj në krejt Europën Lindore. Ngjarja ka vend në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. “Sot mbasdreke, – shkruan fjalë për fjalë nën këtë drejtshkrim të kohës, shtypi shqiptar, – në Stadiumin Kombëtar ‘Qemal Stafa’ të kryeqytetit, me rastin e festës së fitores kundër fashizmit, do të zhvillohet ndeshja miqësore e footballit në mes të skuadrës së ‘Partizanit’ t’Armatës Jugosllave dhe asaj të ‘Partizanit’ t’Ushtrisë s’onë Kombëtare…
Për popullin t’onë dhe për popujt e Jugosllavisë mike emri i Partizanit është simbol i luftës sonë të përbashkët kundër okupatorëve fashistë, është një epope e tërë heroizmash, është gjëja më e çmuar dhe më e përzemërt. Skuadra mike e ‘Partizanit’ është ajo më e mira e Jugosllavisë. Një javë më parë fitoi kampionatin Jugosllav të footballi-t.
Përmbledh në radhët e saja shumicën e skuadrës së mirënjohur kombëtare të Jugosllavisë… Zhvillimi i ndeshjes së sotme po pritet me padurimin më të madh nga të gjithë sportdashësit t’anë, të sigurt se do të shijojnë një lojë shumë të bukur dhe shumë interesante”. Ndeshja zhvillohet para 15.000 shikuesve në prani të udhëheqjes, që në shtyp personifikohet me përmendjen e pranisë së vetëm një emri: Gjeneral leijtnant Koçi Xoxe, ai i cili shpejt në një natë të errët misterioze do të pushkatohej mû si agjent i Jugosllavisë së këtij Partizani.
Është një ndeshje e shpejtë, krejt sulmuese, por e cila do të kishte vetëm një gol, atë të minutës së 34-t të Parapanit mbas një goditjeje të fortë. Partizan i Beogradit nuk tronditet fort, sepse beson në kohën e mbetur që duhej t’i mjaftonte për të përmbysur gjithçka falë forcave të tij të mëdha si kampion i Jugosllavisë dhe si bërthamë e Kombëtares së Jugosllavisë.
Por, pjesa e dytë e befason FK Partizan-in beogradas, sepse ai gjendet përpara një mbrojtjeje të shkëlqyeshme me në krye portierin e pakalueshëm Alfred Bonati, para të cilit ndodhej treshja e betonuar e mbrojtjes Gjeloshi-Fagu-Demneri. Dhe 1-0 për Partizanin e Shqipërisë përballë Partizan të Beogradit, rasti i parë në historinë e Shqipërisë që një skuadër shqiptare fitonte ndaj një skuadre të huaj kampione në fuqi në vendin e saj. Edhe ky rekord i takon Partizanit shqiptar. Skeda historike është kjo:
PARTIZANI I USHTRISË KOMBËTARE – PARTIZANI I ARMATËS JUGOSLLAVE 1-0
9 maj 1947, Tiranë, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”. PARTIZANI U.K.: Bonati, Gjeloshi, Hajdari, Demneri, Fagu, Vathi, Parapani, Pengili, Z.Gjinali, Biçaku, H.Bakalli. PARTIZANI A.J.: Nikolic, Funtek, Popescu, Palfi, Djordevic, Jovanovic, Marianovic, Janevski, Firm, Radunovic, Seres. GOLAT: Parapani 34′. GJYQTAR: Adem Karapici. SHIKUES: 15.000
Kjo është fitorja e parë e madhe ndërkombëtare e Partizanit. Këtu është themeli. Themeli i Lajpcigut, i Hanoit (Dukla, Worwarts, CCA, Legia, CSKA, CDNA…), Torino, Austria, Celtic, Norköping, Koln, Spartak Plovdiv, Partizani Kampion i Ballkanit….
Dhe me këtë përkujtim mbyllet ky Dossier historik i yni për Partizanin tonë në 70-vjetorin e tij. Nuk ishte qëllimi të përcilleshim në krejt historinë e tij të pafund. Patëm vetëm një synim tjetër: të tregonim si asnjëherë tjetër, ditët, javët dhe muajt e themelimit të tij, siç e patë, me të reja të pambarim. Dhe me vetëm një synim: të zbulojmë të vërteta historike të sportit shqiptar, për të cilat pakkush interesohet në këtë Shqipëri për çudi gjithnjë e më pak intelektuale e studiuese në këto punë. E kam thënë një herë dhe përsëris prapë: do të varfërohej tejet historia e sportit shqiptar nëse do t’i hiqej historia e Partizanit, që assesi nuk është vetëm një histori e madhe e futbollit.
Është histori e atletikës së lehtë, e basketbollit, e volejbollit, e notit, e gjimnastikës, e qitjes, e peshëngritjes, e boksit, e mundjes… Prej ku përmblidhen tituj të panumërt të kampionit të Shqipërisë si ekip dhe qindra e qindra tituj të kampionëve vetjakë të Shqipërisë. Duke kujtuar se është klubi që i dha Shqipërisë kampionen e parë të Europës: Elizabeta Karabolli (1979). Është e vërtetë, historia e tij ka dy anë të medaljes dhe historiani i sotëm pa asnjë nostalgji i takon t’i përimtojë të dyja. Ndërkohë që, falë sundimit të një pushteti totalitar të pashembullt, për dekada ky Partizan shqiptar kishte të drejtën e pamëshirshme të rrëmbimit të sportistëve nga e gjithë Shqipëria, duke u shndërruar në një lloj shkolle sportive të pakrahasueshme.
U bë klubi i parë europian shqiptar, sidomos në tre sporte themelorë: futboll, basketboll dhe volejboll, teksa kujton premierat e Kupave të Europës, premierat e Kombëtareve shqiptare në këto sporte. Po nga ana tjetër, pa dashur, i ndjekur edhe nga Dinamo e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai tronditi për vite të tana forcën e sportit të qyteteve të Shqipërisë, duke i zbehur e varfëruar ata.
E pakta deri në mesin e viteve ’60, kur “rebelimi” i 17 Nëntorit të Tiranës do t’i jepte goditjen e parë sundimit të tij të fuqishëm sportiv. A e kishim menduar gjithë këto vite të mbas rënies së Regjimit, se 70-vjetori i themelimit të Partizanit do të përkonte me ringritjen e fuqishme të simbolit më të madh të tij që është skuadra e futbollit – mbas gati 20 vjetëve më në fund synuese e titullit kampion? Dhe po nga ana tjetër: a e kishim menduar se në 70-vjetorin e tij nuk do të kishim Partizanin e madh të basketbollit, Partizanin e madh të volejbollit, Partizanin e madh të atletikës së lehtë, Partizanin e madh të peshëngritjes e të boksit? Të qitjes, të mundjes e gjimnastikës? Ku janë fshehur?… Partizani sapo është rikthyer tërheqës e synues me futbollin e tij. Ndoshta do të mbërrijë edhe tek të tjerët…
FUND
* Për vazhdimësi shih Kapitujt I, II,
III, IV në “Panorama Sport” të 7 e
23 marsit dhe 2 e 8 prillit 2016.













