Paraqitjet e ish-“demave”/ Cara dhe Rrapaj titullarë, e vështirë për Maget dhe Hadrojn
Partizani ka bërë pesë shitje të të lojytarëve kryesorë në harkun e një viti. Katër prej tyre u transferuan në Ukrainë, ndërsa Maget Gueje u bë pjesë e Racing Santander në Spanjë. Tashmë që sezoni u mbyll, mund t’i bëjmë një bilanc asaj çka kanë bërë këta lojtarë nëpër klubet e tyre të reja dhe sa lëvizje të goditura kanë qenë.

CARA – Mund të themi se ai që ka bërë më shumë bujë është Tedi Cara, pjesë e Oleksandrias në Ukrainë. Kavajasi është ambientuar shumë shpejt dhe ka arritur të të jetë për dy muaj radhazi lojtari më i mirë i ekipit, teksa vendin e titullarit nuk e ka diskutuar aspak. Në 13 ndeshje, kavajasi ka shënuar 6 gola, shto edhe asiste. Në fund, ekipi u shpall nënkampion i Ukrainës, një sukses mjaft i madh për Oleksandrian.
RRAPAJ – Paraqitje të kënaqshme ka arritur të regjistrojë edhe Arinaldo Rrapaj te Kolos Kovalivka po në Ukrainë. Edhe vlonjati ka luajtur 13 ndeshje, duke shënuar 1 gol dhe dhuruar 3 asiste.
MAGET – Më të vështirë e ka pasur Maget Gueje te Racing Santander në La Liga 2, ku niveli është mjaft i lartë dhe konkurrenca më e madhe. Senegalezi ka luajtur në 26 ndeshje gjithsej, por shumicën e tyre i ka nisur nga stoli dhe është aktivizuar pas minutës së 70-të. Ajo që bie në sy është fakti se në pjesën e dytë të sezonit është preferuar gjithnjë e më shumë nga stafi teknik, çka tregon për një rritje graduale, por të ngadaltë. 22-vjeçari nuk ka arritur të kontribuojë me gola dhe asiste.
MBA-HADROJ – Sakaq, Kristian Mba, pjesë e Metalist në ligën e dytë të Ukrainës, në 8 ndeshje, arriti të shënojë 1 gol dhe të dhurojë 2 asiste. Me siguri edhe vetë nigeriani ka pritur më shumë. Akoma më e vështirë situata për Andi Hadrojn te Polisia, po në Ukrainë. Pukjani shpenzoi në stol pjesën më të madhe të kohës që nga janari, teksa luajti në dy ndeshjet e fundit 63 minuta.
PANORAMASPORT.AL













