“Pa vazhdimësi asnjë sukses nuk bën dritë”, Tetova: Partizani, ekipi më në formë i momentit! Jam i kënaqur me Bakajokon dhe Albanezen
Trajneri Edlir Tetova ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të duelit të nesërme, ku Egnatia pret Partizanin në orën 16:30. Ai foli për rikuperimin e tij, trofeun si “Trajneri më i mirë i Vitit”, mungesat si dhe për dy lojtarët si Bakajoko dhe Albaneze që po bëjnë mirë në ekip.
“Mendoj që gjendja ime është e mirë, po shkon drejt rikuperimit dhe të mos kemi më situata të tilla. Faleminderit. Trofeu është një vlerësim si nga futbollistët, kolegët, gazetarët dhe nga opinioni sportiv për herë të dytë, do të thotë që është bërë një punë e mirë si nga lojtarët, stafi dhe familja Egnatia. Jam shumë i lumtur për këtë trofe të dytë, por pa vazhdimësi asnjë sukses nuk bën dritë.
Skuadra është e plotë, kemi mungesa vetëm për skualifikime, është Ruçi dhe Haime. Është afruar Xheferson por nuk është 100% e formës së tij, kështu që do të jemi të kujdesshëm, megjithatë pjesa e grupit është.
Ekipi ka punuar mirë, presim Partizanin, që momentalisht ka fitore rresht, është ekipi më në formë, por ne do të jemi të kujdesshëm te ajo që prodhon Egnatia. Sigurisht që do të jetë një ndeshje e bukur, se ato me Partizanin kanë dhuruar emocione të bukura, si në lojë ashtu edhe në rezultat, por shpresojmë për më të mirën.
Rotacionin unë e kam bërë prej kohësh, nuk është risi, do të ketë rotacion se të gjithë lojtarët do të futen te mentaliteti i lojës së Egnatias dhe stilit Tetova. Jam i kënaqur me Bakajoko dhe Albanezen, i bashkohen pjesës tjetër të skuadrës që po bëjnë shumë mirë gjatë gjithë kësaj kohe. Shpresojmë te vazhdimësia dhe tek synimi që ka klubi”, deklaroi Tetova.
PANORAMASPORT.AL













