Organizohet “KF Shkodra”, ja projekti me presidentin e ri dhe planet për të ardhmen
Një nga akademitë më të suksesshme të futbollit në vendin tonë është edhe ajo e KF Shkodra. Nga kjo akademi kanë dalë emra të njohur, si: Elseid Hysaj, Armando Vajushi, Rubin Hebaj, Sindrit Guri, Arsid Kruja e shumë të tjerë.

Ditët e fundit, strukturat e klubit shkodran kanë pësuar ndryshime, duke premtuar shumë për të ardhmen. Kështu, një president i ri është vendosur në krye të KF Shkodra dhe ai është Agim Cani. Një emër i njohur për sportin shkodran dhe më gjerë, kur kemi parasysh përvojën e tij shumë pozitive të bashkëpunimit me klubin e futbollit Ada, si dhe atë Juban Danja të futbollit të femrave, ku u shpall edhe fitues i Kupës së Shqipërisë. Pati disa takime radhazi mes dyshes drejtuese të KF Shkodra, trajnerëve të njohur, Taip dhe Rudi Piraniqi dhe biznesmenit të suksesshëm, Agim Cani, duke diskutuar dhe analizuar pika dhe projekte shumë ambicioze për të ardhmen e një klubi të suksesshëm.
Nga sa bëhet e ditur prej të dyja palëve, së pari, përqendrimi do të jetë kryesisht në ekipet e moshave për ndërtimin e një akademie futbolli mbi baza profesionale, futbollistët e së cilës do të kenë rastin të stërviten në kushte bashkëkohore të përafërta me akademitë e njohura, brenda dhe jashtë vendit. Si fillim, presidenti i ri Agim Cani vë në dispozicion të të gjitha ekipeve të KF Shkodra, që nga mosha U-9 deri te skuadra U-19 dhe më tej, kompleksin e ri modern të futbollit të përuruar rreth dy muaj më herët nga FSHF-ja, me dy fusha sintetike të parametrave olimpikë, si dhe një tjetër me bar natyral, aty ku janë planifikuar të kryejnë seancat stërvitore ekipet e huaja të Kampionatit Europian U-21.
Përpos terreneve sportive, që vlejnë shumë për kushtet problematike që ka Shkodra në këtë drejtim, së bashku me dy drejtuesit kryesorë teknikë të KF Shkodra, Taip dhe Rudi Piraniqi dhe stafin e tyre, garantojnë një trajnim profesional dhe meritokraci për secilin sportist që do të jetë pjesë e këtij klubi. Në sezonin e ri do ketë edhe një ekip për të rritur nën emrin e KF Shkodra, por që do menaxhohet nga drejtues të Olimpik Shkodra. Një ecuri që do analizohet nga presidenti i ri dhe që do të startojë nga Kategoria e Tretë e futbollit shqiptar.
ENDRI ÇINARI- PANORAMASPORT.AL













