Sporti, një kartolinë shprese nga Kosova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2025 | 13:03

Sporti, një kartolinë shprese nga Kosova

Nga Ylli Aga
Gjatë vitit 2023, sporti në Kosovë është mbështetur me 25 milionë euro, 10 milionë prej të cilave ishin si mbështetje direkte nga ana e MKRS-së dhe 15 të tjera nga Ligji i Sponsorizimit. Një mbështetje e tillë ka patur një ndikim të konsiderueshëm për masivizimin e sportit, përfshirjen e sa më shumë të rinjve dhe të rejave me aktivitet fizik, për të cilët është investuar për të ndërtuar apo infrastrukturën në çdo cep të Kosovës, për të afruar dhe rritur profesionalisht stafe teknike dhe organizative, si dhe për të krijuar një identitet për secilin komunitet brenda dhe jashtë vendit.

Çast nga një derbi i këtij sezoni, Tirana-Partizani, nga të paktat ndeshje në Shqipëri që mbush stadiumin

Çast nga një derbi i këtij sezoni, Tirana-Partizani, nga të paktat ndeshje në Shqipëri që mbush stadiumin

Vetëm nga mbështetja e biznesit, nëpërmjet Ligjit të Sponsorizimit, janë lëshuar afro 1300 fatura për të ndihmuar financiarisht federata, klube dhe sportistë të veçantë. E gjitha kjo nuk mund të përkthehet në mënyrë të menjëhershme me rezultate të larta, por janë një themel garancie për një rrugëtim të gjatë dhe të sigurtë, që sporti kosovar do të duhet të përshkruaj.

Në të njëjtën linjë janë edhe të dhënat e para për ndikimin e Ligjit të Sponsorizimit edhe për vitin që sapo u mbyll, ku klubet e Superligës kanë përfituar të ardhura të konsiderueshme dhe një ndihmesë të rëndësishme për aktivitetin e tyre. Tabela e të dhënave për këto përfitime, i ngjan realisht një kartoline shprese për të gjitha sportet tona, që përballen me vështirësi të shumta, ndërsa vënë në dyshim edhe vazhdimësinë e aktivitetit të tyre.

SPORTI NË SHQIPËRI, NË GARË PËR MBIJETESË

Gjithçka ndodh aktualisht në Kosovë është në kontrast të fortë me zhvillimin e sportit në vendin tonë. Në mungesë të garancive financiare, klubet tona po i largohen gjithnjë e më shumë misionit të tyre bazë për të krijuar kushte për afrimin, rritjen dhe edukimin e brezave të rinj, pikë së pari për shëndetin e tyre, por edhe për të qenë konkurrues në garat vendore dhe ato ndërkombëtare.

Tanimë numri i garave dhe sportistëve është gjithnjë e më i paktë dhe në kontrast të fortë me atë çfarë kemi trashëguar dhe po bëhen gjithnjë e më pak atraktivë për brezin e ri. Kjo, për të gjitha sportet, ku veçanërisht më i prekuri është futbolli. Mjafton një fakt, ku prej gati një dekade nuk arrijmë të shohim një klub në fazën e grupeve të kompeticioneve europiane, gjë të cilën e kanë arritur edhe vende krejt periferike, si Islanda, Ishujt Faroe apo Armenia.

Ata që drejtojnë aktualisht klubet e futbollit, do të duhet të përballen me një regjim fiskal shumë më të ashpër, se sa për kompaninë që veprojnë në aktivitete me përfitime të sigurta financiare, siç është turizmi për të cilin aplikohet një TVSH minimale apo përjashtim nga tatim fitimi.

Për të mbuluar shpenzimet e një sezoni futbollistik, detyrohen të marrin para nga kompani të tjera që kanë në pronësi, por këto para fillimisht do të duhet të kalojnë filtrin e taksave që aplikohet mbi to, ose në rastin më të keq detyrohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre vetëm mbi të ardhurat që vijnë nga pjesëmarrja në garat europiane (në rastin më të mirë), transferimi i futbollistëve, e drejta televizive apo qindarkat e biletave.

SHQIPËRIA, “TIKI-TAKA” MË LIGJIN E SPONSORIZIMIT

Po bëhen tanimë 5 vite nga premtimi i qeverisë për të votuar në parlament një Ligj të ri për Sponsorizimin, por një iniciativë e tillë nuk arriti në asnjë rast të konkretizohej, pavarësisht vullnetit të deklaruar në shumë raste, duke i sorollatur njerëzit e sportit me modelin “tiki-taka” dhe mbajtur me shpresa të kota.

Frika se ky ligj do të krijojë hapësira për evazion fiskal, do të duhet mënjanuar, sepse shteti ka të gjithë tagrin për të kontrolluar dhe dënuar shkelësit, njëjtë siç bën me çdo institucion tjetër shqiptar, apo të mësohet me idenë se kjo do të jetë një betejë e gjithkohëshme, siç ndodh me klubet me të mëdha Barcelona, Mançester Siti, Juventus apo sportistët më të njohur U.Hënes, J.Murinjo apo L.Mesi. Në këtë moment prioriteti i prioriteteve është krijimi i lehtësirave ligjore dhe financiare për të zhvilluar sportin dhe krijuar shprese tek të rinjtë në këtë vend, se kanë një të ardhme edhe nëpërmjet sportit.

Në këto kushte, një iniciativë e re për të rikthyer diskutimin dhe miratimin e Ligjit të Sponsorizimit është një domosdoshmëri, për të mos u bërë dëshmitar të rrudhjes apo falimentit edhe të shumë klubeve të tjera. Në këtë udhëkryq, qeveria është thirrur në apel për të gjetur një zgjidhje të shpejtë, duke e respektuar sportin dhe komunitetin e tij, si një nga mënyrat më të mira për edukimin e brezave të rinj, por edhe për të krijuar perspektivën e sportit si industri.

Krijimi i kushteve lehtësuese për financimin e sportit, do të nxisë kompanitë e mëdha, jo vetëm për të sponsorizuar ekipet, por edhe për të hyrë si aksioner në to, apo për t’i marrë në pronësi me besimin se shumë shpejt do të jenë konkurrues në Europë. Shqipëria i ka të gjitha kushtet njerëzore, gjeografike dhe financiare për të ndërtuar klube të mirëfillta profesioniste dhe të afta për të luajtur deri në grupet e Champions League.

I ka të gjitha mundësitë për të mirëpritur si të barabartë gjigantët europianë, që të krijonin një panoramë krejt të re frymëzuese për sportin dhe vendin tonë, jo vetëm në imazh, por edhe milionat që do të përfitojnë klubet tona, të cilat në mënyrë të tërthortë do të rikthehen sërish në buxhetin e shtetit. Gjithkush është i ftuar të imagjinojë atmosferën, publicitetin apo të ardhurat që do të gjeneroheshin nga një duel i kampiones sonë kundër Liverpulit, Bajernit, Real Madridit apo Interit në “AIR ALBANIA”.

Nëse ia kanë dalë kampionet e Azerbajxhanit, Sllovakisë, Bjellorusisë apo Moldavisë, përse të mos ia dalë kampionia jonë. Por, për të arritur deri atje, duhet një kuadër i ri ligjor, ku Ligji i Sponsorizimit është tanimë një domosdoshmëri. Ligji dhe modeli i Kosovës është dhe duhet të jetë zgjidhja më optimale, por edhe më e shpejta për të fituar kohën e humbur, qoftë edhe për faktin se nuk do të duhet të kalojë në duart dhe zyrat e administratës, as të përkthyesve për modelet e vendeve të tjera europiane.

Screenshot 2025-01-22 122353

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"