Opinion nga Uvil Zajmi/ Kur ne ndiqnim “Xhiron e Italisë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2025 | 10:19

Opinion nga Uvil Zajmi/ Kur ne ndiqnim “Xhiron e Italisë”

MixCollage-10-May-2025-10-14-AM-2307Duke kaluar te sheshi “Nënë Tereza”, të tërheq vëmendjen një mjedis ndryshe, plot me automjete, teknikë, gazetarë italianë, makina të RAI-it, të “La Gazzetta dello Sport”, një angazhim madh, gjithçka për xhiron çiklistike të Italisë. Madje në fasadën gjigante ballore të Korpusit Qendror të Universitetit, është vendosur një fanellë madhore, e kuqe ku shkruhet “Giro d’Italia. 10 maj 2025 Tirana- Albania”. Si një ndër më të vjetrat, më të famshmet, më të njohurat në Europë e botë, që nis nga fillimi i shekullit të kaluar, me protagonistë nga më të mëdhenjtë e çiklizmit botëror, kampionë të shquar, nga Kopi, Bartali, Edi Merks, Xhimondi, Mozer, Finjon, Saroni, Ankuetil, Hino, Indurain, Pantani, deri te Tadej Pogacar, fitues i fundit i saj.

Jo e përjetuar në të kaluarën, impakti me atë fanellë gjigante të vendosur në atë hapësirë më krijoi një ndjesi ndryshe, kur në Shqipërinë tonë, mundësohet, ka një moment që do të organizohet edhe një garë e përmasave të tilla kolosale, shumë e dëshiruar, kërkuar, preferuara nga mjaft shtet të tjera. Në një çast, ajo fasadë, më riktheu shumë vite më pas, i ngacmuar edhe nga një sms e një miku të adoleshencës, Vova Konomi, kur nga Madridi më shkruan: “Para katër pesë dekadash rrezikoje po të flisnim më shumë se duhej për “Xhiron e Italisë””. Dikur ajo pjesë ballore e atij korpusi qendror as nuk mund të mendohej, për vendosje të një fanelle sportive gjigante, o diçka të ngjashme me të. Përkundrazi, gjithmonë e profilizuar, dhe që ka shërbyer vetëm për fotot gjigante të udhëheqësve komunistë, sloganeve me germa të mëdha për ndërtimin e socializmit, “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”, banerave, për festat kombëtare të “1 Maj”, “28-29 Nëntori”, kongreseve, etj.

Asnjëherë për një eveniment sportiv. Mjafton t’i referohesh fotove të kohës, për t’u informuar e kuptuar se për çfarë ka qenë e përdorur ajo faqe ballore e atij universiteti në fund të bulevardit kryesor. E ndërsa i afrohesh Kryeministrisë, ish-Komitetit Qendror, kujton se dikur aty vendosej tribuna e udhëheqjes, sot sheh një tjetër tribunë, atë të “Giro d’Italia”. E pranë saj, kabinat televizive të Radio-Rai-t, finish-in, në të cilin shihet qartë, Giro d’Italia. Ndërsa në kanalin televiziv Rai 2 e gjithë Italia, përfshirë shqiptarët që banojnë aty janë në ndjekje të saj. Për brezi tim, me pasionin për të ndjekur një garë çiklistike, vraponin në rrugët në hyrje të kryeqytetit, për të pritur e shoqëruar ardhjen e çiklistëve, duke tentuar për t’i dhënë edhe ujë. Pa harruar, kur në stadiumin kombëtar, njoftohej mbërritje e tyre nga zëri legjendar i Ismet Bellovës, nga altoparlantët, kur dëgjohej: “Vini re, vini re, po vijnë çiklistët, kryeson Bilal Agalliu”. Dhe ndeshja që ndërpritej, të gjithë në këmbë për të parë finishin emocionues.

Ndonëse në kohën që jetojmë shumë gjëra, raporte, komunikime, dëshira, kanë ndryshuar, pasioni ka mbetur. Si asokohe, kur krahas Xhiros së Shqipërisë, me lidhjet direkte të Ahmet Shqarrit në Radio Tiranën, ato që informonte gazeta “Sporti” e ditës së martë, njëkohësisht pa humbur asnjë çast, asnjë mesditë në ato pak televizorë, radio ndiqnin edhe Xhiron e Italisë. Shumë afër e kishim, por mjaft larg dhe të ndarë me të qëndronim. Për shumë arsye. Dikur e pa imagjinuar sot përbën një realitet të bukur. Edhe për vetë historinë e sportit tonë, një Xhiro e Italisë me nisje nga Shqipëria mbetet unikale, e rrallë, e papërsëritshme. Rrugët e Shqipërisë, Tirana, Durrësi, Vlora, qytetarët, do të kenë rastin ta ndjekim, t’i kenë pranë, ato që i kanë parë vetëm në ekranet televizive të kanaleve të huaja.

Por, kaq afër kurrë. Shumë më tepër ne nostalgjikët, njohësit, ndjekësit e hershëm të saj, do të jemi të pranishëm si kureshtarë, admirues, në etapën e parë të “Giro d’Italia-1925 Tiranë -Albania”, që me shumë kënaqësi, vlerësim e mirëpret kryeqyteti i ynë në këtë debutim historik shqiptar të edicionit 108-të të saj. Një emocion më shumë kur fanella legjendare “La maglia rosa”, për herë të parë në historinë e saj do t’i jepet fituesit pikërisht nga një podium i ngritur në bulevardin e madh të Tiranës sonë. Dikur një ëndërr, e pa imagjinueshme, sot një realitet./Gazeta Panorama