Rasti i Brrutit nuk do të jetë i fundit, problemi qëndron te kryetari i Federatës i mbuluar me të këqija

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2025 | 21:59

Rasti i Brrutit nuk do të jetë i fundit, problemi qëndron te kryetari i Federatës i mbuluar me të këqija

NGA REMZI EJUPI
Ne po ecim me hapa mbrapa, lojtarët po e zgjedhin të ardhmen e ndritshme. Largimi i futbollistëve nga grupmoshat e ndryshme të Kombëtares së Kosovës është mjaft shqetësues.

brruti

Rasti i Etnik Brrutit, kapiten i Kosovës U-21, sigurisht që s’ka qenë as i pari e s’do të jetë as i fundit që do të ndodhë. Edhe këtë radhë, fatkeqësisht krejt “shigjetat” u hodhën kah lojtari, njëjtë si herave të kaluara.

Pse duhet t’i vëmë gjithmonë në shënjestër dhe në lupë lojtarët që vendosin ta zgjedhin një ekip tjetër kombëtar?! Pse duhet të drejtohet gishti gjithmonë kah ta, e të mos kërkohet arsyeja dhe shkaktari i vërtetë i këtij trendi të dëmshëm për futbollin kosovar?

Të jeni të sigurt se, nëse punët do të ishin mirë te ne dhe nëse do të trajtoheshin mirë, kurrë s’do të kishin arsye për t’u larguar, e as të tjerët për të na refuzuar e për të hezituar që t’i thonë ‘po’ Kosovës.

Problemi qëndron te koka, tek udhëheqësia e Federatës së Futbollit të Kosovës, më saktësisht te kryetari i saj, i cili është kryeshkaktari i problemit. Një njeri i mbuluar me të këqija e ka sjell futbollin kosovar në fund të pusit.

Prej dyshimeve për kurdisje të ndeshjeve brenda dhe jashtë vendit, keqpërdorimi i pozitës, keqpërdorimet tek biletat e Kombëtares, sjelljet e këqija dhe arrogante, diktatura në Federatë, përleshjet fizike, arrestimet…

Krejt këto të zeza e mbështjellin dhe e ngarkojnë kryetarin Ademi dhe janë pikërisht këto skandale që i kanë detyruar lojtarët të ikin nga Kombëtarja e Kosovës, por edhe të tjerët që të hezitojnë të vijnë për t’u bërë Dardanë.

Një prind me të drejtë do të hezitonte që t’ia falë djalin e tij Kombëtares së Kosovës përkundër dashurisë së madhe për vendin e tij, kur është i vetëdijshëm për një kerr probleme që ekzistojnë te ne.

Faj këtu ka edhe komuniteti i futbollit, pastaj klubet dhe mediat, që janë të kapura dhe ia mundësojnë dhe lejojnë një njeriu të vendos dhe të “çalltis” i vetëm.

Klubet kosovare e kanë mbajtur gjithmonë futbollin. Ato duhet të “kolliten”, e jo të bëhen servile. Assesi nuk duhet të themi se lojtarët po na i merr Armand Duka apo dikush tjetër.

Lojtarët po i trembim vetë, ata po largohen ose s’po vijnë vetë, nga dëshpërimi i gjendjes së këtushme aktuale.

Trajtimi dhe vlerësimi i tyre është aspak profesional dhe joadekuat, prandaj edhe jemi këtu ku jemi, me rënie të madhe të Kombëtares dhe me dy mundësi jetike të lëshuara për të shkuar në gara të mëdha.

Ata që po punojnë mbrapsht në Kosovë mos të harrojnë se ka një Zot dhe do t’ju kthehen të këqijat që i bëjnë.

Natyrisht që organizimi i futbollit në Shqipëri është dukshëm më i mirë. Sjelljet ndaj lojtarëve dhe trajtimi i tyre janë më të mira në Tiranë. Atje ka atmosferë, ka harmoni, ka zhvillim, ka perspektivë. Mos të flasim për vendet tjera…

Prandaj, edhe prindërit nuk kanë kohë të presin derisa të përmirësohet gjendja këtu dhe kështu bëjnë zgjedhje të tjera.

Karriera e një futbollisti shkon shpejt, sa hap e mbyll sytë, dhe ata nuk kanë kohë të presin, andaj edhe duhet ta bëjnë Shqipërinë si zgjedhje të parë, apo edhe ndonjë Kombëtare tjetër.

Kosova mund të bëhet si opsion i parë vetëm kur të bëhen ndryshime në Federatë, vetëm atëherë kur në krye të saj do të vijë një njeri i duhur, një njeri që punon me nder, me profesionalizëm e me meritokraci.

Deri atëherë, s’duhet të befasohemi nëse na ikin të tjerë “gurë të çmuar”.

Është koha për ndryshime sa s’është bërë vonë…

(Shënim: Remzi Ejupi është një biznesmen në Kosovë dhe për shumë vite ka qenë president i klubit të Prishtinës.)