Opinion nga Neptun Bajko/ Shqipëria luajti një pjesë, e dyta nuk pati futboll cilësor. Broja lojtar kyç për Kombëtaren
Përpara ndeshjes, të gjitha diskutimet apo mendimet që jepeshin nga gazetarët apo specialistët e futbollit, e kishin thelbin se çdo takim bëhet i vështirë, sepse asnjëherë nuk i dihet.
Dhe qëndron si konstatim, sepse ndeshje të lehta nuk ka. Asnjëherë nuk do të ketë ndeshje pa presion. Mendimi im për paraqitjen e Shqipërisë kundër Andorrës është pozitiv, sidomos për 45 minutat e para.
NISJE E MIRË – Pjesa e para ishte pozitive, sepse ekipi tregoi se kishte dëshirë për të arritur me patjetër rezultat pozitiv. Skuadra luajti thjesht, repartet funksionuan dhe mbi të gjitha loja në krahë, sidomos me vendosjen e Brojës nga e djathta, i dha efikasitet lojës. U pa qartë edhe në momentin kur arritëm të shënonim me atë veprim të shkëlqyer të Brojës.
BROJA DHE MANAJ – Kjo ishte gjëja më pozitive, e arritur nga një lojtar i ardhur pas një dëmtimi shumë të gjatë, që me cilësitë e tij mendoj se në ndeshjet e ardhshme do të jetë një nga pikat kryesore ku do të mbështetet ekipi ynë kombëtar. E dyta anë pozitive ishte se kishte një lëvizshmëri të mirë në lëvizjet me dhe pa topin, gjithnjë duke pasur parasysh se përballë kishim një kundërshtar, që asnjëherë nuk u ngrit në nivelin e një takimi të tillë. Andorra mbrohej gjithë kohës dhe i jepte rëndësi vetëm largimit të topave. E treta anë pozitive ishte lëvizshmëria e mirë në zonë, e iniciuar më së shumti nga Manaj, që bëhej tepër i rrezikshëm në veprimet e tij në zonën kundërshtare, duke shënuar edhe një dygolësh të rëndësishëm, që i dha fitoren ekipit tonë
PJESË E DYTË, NËN RITËM – Në 45 minutat e para ekipi arriti ta mbante gjallë entuziazmin e sportdashësve. I dhuroi një ndjenjë gëzimi, por pjesa e dytë ishte krejt e kundërta sa i përket nivelit të futbollit. Nuk e di se cilat ishin shkaqet që e detyruan ekipin tonë të luante ngadalë, me shumë pasime dhe stacione, pa lëvizshmërinë dhe freskinë e duhur dhe sidomos me një mungesë të lojës në krahë. Ky fraksion i ndeshjes mund të kalonte edhe në mërzitje. Prisja të paktën disa shkëndija, topa të gjatë pas shpine, kombinacione të shpejta apo goditje në portë. Loja në skajet anësore me ekipet e tilla, që vendosen mirë në aspektin mbrojtës, është çelësi për të arritur te golat dhe te fitorja. Kjo mungoi në pjesën e dytë, nuk kishte ritëm, entuziazëm, u teprua me veprime individuale. Lojtari që kishte topin, nuk kishte një pikë shikimi dhe pasimi për ta dorëzuar.
E KUNDËRTA ME ANGLINË – Ishte një ndeshje si tablo e kundërt, që ne bëmë në Angli. U duk sikur ne po vepronim me Andorrën siç bëri Anglia ndaj nesh. Unë nuk besoj se lojën e anglezëve e kemi kopjuar kaq shpejt, por ishte një veprim apo mënyrë qasjeje, që ne nuk duhej ta ekzagjeronim. Duhej t’u linim hapësirë cilësive individuale, por edhe veprimeve të drejta taktike, lojës në krahë, goditjeve të portës. Marrim rastin e Brojës, që mori topin, dribloi, nxori jashtë lojë portierin dhe mbrojtësin, pasoi dhe u shënua goli. Duhej të kishim më shumë momente të tilla. Këto janë veprime që e fusin rivalin në panik. Hoxha veproi në disa raste mirë, por e teproi me mbajtjen e topit. Hynte në driblim, por në vend që të shkonte në fundore e të kromonte, futej nga brenda dhe e mbante topin shumë.
FORCË E ULËT GODITËSE – Duhet ta kishim tentuar më shumë portën, sepse kundërshtari na linte të shkonim deri në hyrje të zonës së rreptësisë. Nuk pati asnjë goditje cilësore nga distanca, vetëm 2-3 tentativa të gabuara dhe jo në momentet ideale, kur edhe kundërshtari la hapësira. Në këtë aspekt ekipi nuk tregoi një mënyrë loje të saktë. Ishin dy mesfushorët, Asllani dhe Shehu dhe mendoj se lojtarit të Interit duhet t’i jepeshin më shumë hapësira për të shkuar përpara në pozicione goditëse, sepse ka gjuajtje shumë të mirë. Shehu të rrinte mbrapa për organizim. Ndodhi ndryshe dhe të dy qëndruan në të njëjtin rol si organizatorë.
FAULLET E SHUMTA – Ekipet e dobëta e aplikojnë një gjë të tillë, sepse së pari duan të thyejnë aksionin dhe së dyti, duan të vonojnë lojën që të mos i japin mundësi kundërshtarit për t’i kapur në befasi. Një ekip si Andorra do t’i aplikojë faullet në çdo ndeshje. Andorra nuk shkeli asnjëherë në 16-she dhe nuk bëri asnjë gjuajtje drejt portës sonë, në radhë të parë është paaftësi e kundërshtarit. Në 90 minuta të mos shkelësh një herë në zonën e rreptësisë, të mos bësh një goditje ose të mos marrësh një faull a një këndore, tregon dobësi të mëdha për një ekip që merr pjesë në këto aktivitete.
4 NDRYSHIMET NË FORMACION – Përballë një kundërshtari të tillë dhe arritjes së një avantazhi shumë të shpejtë, që çliroi ekipin nga vuajtja e shënimit të golit, është e vështirë të bësh dallime. Dy golat e shpejtë i dhanë një lirshmëri ekipit dhe nuk binin në sy shumë ndryshimet, shto këtu edhe faktin se kundërshtari ishte i një niveli të tillë, që nuk të lejonte të bëje krahasimet e duhura.
MËNYRA E SHËNIMIT TË GOLAVE – Dy golat e parë ishin të punuar dhe falë aftësive të lojtarëve, nuk kishte fat apo rastësi në mes. I pari ishte një goditje dënimi e ekzekutuar shumë mirë dhe finalizuar si duhet nga Manaj në shtyllën e parë, ndërsa i dyti ishte një aksion falë cilësive të një lojtari si Broja. I treti ishte një moment kur të dyja ekipet thuajse e lëshuan lojën, sepse edhe një minutë ishte dhe u kapën në befasi miqtë. Gëzon merita Uzuni, i cili kishte hyrë me dëshirën për të shënuar dhe ia arriti, është edhe meritë individuale.
NDESHJA E RADHËS, ME SERBINË – Ajo e 7 qershorit është me kuptimin e plotë një ndeshje e vështirë në shumë pikëpamje, por që stafi dhe trajnerët të mendojnë që tani në atë ndeshje, është shumë e vështirë. Ka ende shumë kohë, do të ndiqet me kujdes ecuria e lojtarëve deri në qershor. Në atë grumbullim do të jetë shumë e rëndësishme përzgjedhja, që të grumbullohet grupi më i mirë që mund të nxjerrë Kombëtarja jonë. Të vijnë lojtarët më në formë, të vendosur në vendet e tyre për të dhënë maksimumin. Sa i përket anës politike apo nacionaliste, është e pamundur t’i bësh tifozët që të ruajnë njëfarë etike në një takim të tillë. Janë gjëra që kanë vite që janë gatuar dhe nuk shuhen lehtë.
PANORAMASPORT.AL













