Opinion nga Neptun Bajko/ Lojë jo tërheqëse, Shqipëria nuk punoi për më shumë. Broja sulmues i rrallë, me Andorrën… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2025 | 10:43

Opinion nga Neptun Bajko/ Lojë jo tërheqëse, Shqipëria nuk punoi për më shumë. Broja sulmues i rrallë, me Andorrën… (E PLOTË)

Nga NEPTUN BAJKO

Screenshot 2025-03-22 094751

Aspekti më pozitiv, duke marrë para sysh edhe opinionin e sportdashësve, që trembeshin ndaj një humbjeje të thellë, e vetmja anë e mirë ishte rezultati. E them jo se jam i kënaqur që u mposhtëm 2-0, por sepse nuk na dëmtoi psikologjikisht dhe nuk na rëndoi në aspektin atletik për ndeshjen e ardhshme, ku duhet të kemi gjithë pikësynimet për fitoren.

Dihet se Anglia do të synojë pa diskutim vendin e parë, ne kemi objektivin tonë, që të paktën të jemi në vendin e dytë, ku të luajmë për kalimin në Botëror.

LOJA – Ne nuk punuam për të marrë më shumë në këtë ndeshje. Në aspektin e lojës, vendosjes së ekipit, detyrave që kishin lojtarët individualisht dhe në reparte, u pa qartë se duhej të ishim të kujdesshëm në aspektin mbrojtës. Nuk kishte iniciativa dhe ndërtimin e një loje të tillë për të sulmuar dhe për t’iu afruar portës kundërshtare. Edhe lojtarët ishin me mendimin që të gabojmë sa më pak dhe të mos pësojmë. Në këtë situatë, ekipi u rëndua dhe nuk kishte mundësinë sesi të vepronte ndryshe. Pjesa e dytë tregoi 2-3 aspekte pozitive, sidomos futja e Brojës, që e gjallëroi pak lojën sulmuese, po ashtu edhe nja dy-tri aksione, që mund të ishin edhe rezultative, pra, ose të barazohej, ose të shkonte në 2-1. Shenjat e lodhjes u panë, por kjo nuk ndikoi që lojtarët të mos kishin besimin e duhur në veprimet individuale.

TAKTIKA E ANGLISË – Mënyra e lojës së ekipit anglez ishte me shumë pasime, me shumë stacione, me lëvizje të pakta dhe të ngadalta. Ata kërkonin gjithnjë saktësi dhe siguri në veprime dhe në pasime, pa u nxituar për të shkuar në goditje në kuadrat apo kombinacione në zona të rrezikshme për të goditur portën tonë. Kjo e lehtësonte në një aspekt ekipin tonë që të kryente më me lehtësi detyrat mbrojtëse. Por në të njëjtën kohë me këtë mënyrë loje, Anglia nuk i linte Shqipërisë hapësira për veprime të rrezikshme sulmuese, për të marrë diçka pozitive në këtë aspekt. Ata bënë lojë që neve na la mundësinë edhe të ktheheshim dhe të qetësoheshim, pavarësisht se lojtari që nuk e ka topin, lodhet më shumë se ai që e ka në zotërim.

SHQIPËRI E NDROJTUR – Në Europian ne luajtëm me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë, që ishin shumë lart, krahasuar me ne. Por ndaj tyre ekipi ynë pasqyroi një lojë sulmuese, inicioi aksione kombinative. Në të dyja aspektet, në lojë dhe në sulm, ekipi tregoi shumë kujdes. Kjo ndikoi që ne të mos dëmtoheshim në aspektin psikologjik sa ky takim i fundit. Ishte një lojë jo e këndshme, pa krijuar emocione te sportdashësit në stadium dhe te ne që e ndoqëm nga televizori. Lojë, ku më tepër pamë veprime të kujdesshme që të mos gabohej, sesa iniciativa, qoftë edhe individuale për të fituar terren, për të shkuar më përpara, për të parë se deri ku mund të arrinin veprimet tona sulmuese. Kjo nuk u provuar asnjëherë, me përjashtim të pjesës së dytë, siç e thashë, që ishin 2-3 raste të Brojës dhe Asanit.

ARMANDO BROJA – Ai është lojtari sulmues më i mirë që i ka ardhur ekipit kombëtar. Një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Do Zoti të mbrohet nga një tjetër dëmtim, sepse kam besim se ka për të mbërritur në nivele shumë të larta. Është një futbollist, që jo vetëm që e do futbollin dhe nuk ka frikë nga topi, por është një sulmues me një besim të jashtëzakonshëm tek aftësitë e veta. Kjo është gjëja më pozitive për një futbollist.

ALIJI NGA SUPERIORJA – Paraqitja e Naserit, të them të drejtën, më la përshtypje të mira. Si një ndeshje kundër Anglisë në “Uembli” më la një përshtypje shumë të mirë, nuk gaboi. Kishte punë me Foden, që është një lojtar shumë driblues, i shpejtë dhe i rrezikshëm, por e mbuloi mjaft mirë, qoftë tek për tek, edhe në zonë. Mbrojtja në vetëm dy momente që gaboi, e pësoi. Goli i dytë ishte një vendosje jo e mirë, por mbrojtja ishte reparti më i mirë në pikëpamje të lojës dhe veprimeve.

MESFUSHË E DOBËT – Nuk kam fjalë të mira për mesfushën. Ndoshta nga qarkullimi mjaft i mirë i topit nga anglezët, që nuk nxitonin, pasonin me stacione, ishin të ngadaltë, por që i lodhën lojtarët tanë të mesit të fushës për të kapur topin. Kjo u reflektua që si repart, mesfusha thuajse nuk ekzistonte fare. Po të shihje lojën, mungesa e “luftës” se ekipit tonë në mesfushë, bëri që ne të ishim të zbehtë në veprimet sulmuese. Nuk kishim mundësi sesi të dilnim dhe të përparonim në ofensivë. Shqipëria luan ndeshjen e radhës me Andorrën të hënën dhe në këtë aspekt nuk dua t’i ngacmoj lojtarët, që të mos ndihen keq psikologjikisht nga ndonjë vërejtje apo kritikë që mund të bëjmë. Nga Asllani padyshim që pritet shumë, sepse ka cilësi shumë të mira. Ka një pasim që rrallë lojtarë e kanë në distanca të mesme dhe të gjata, por në këtë sfidë nuk kishte mundësi sesi të vepronte. Plus, bashkëpunimi me Bajramin, Laçin dhe Ramadanin nuk u pa. Lojtarët tanë janë mësuar të luajnë me topin, por njëri e ka topin, 2-3 të tjerët duhet të lëvizin pa top, që ta kërkojnë dhe të lirojnë njëri-tjetrin. Kjo nuk u pa dhe ishte një e metë, kritikë për mesfushorët.

ZËVENDËSIMET – Mendoj se lojtarët e grumbulluar dhe ata që luajtën në këtë ndeshje janë më në formë dhe më të mirët për momentin. Kumbulla dhe Ismajli, që janë lojtarë shumë të mirë, ishin të dëmtuar. Nuk e di problemin e Muçit, sesi është situata.

MË I MIRI – Lojtari më i mirë i Kombëtares sonë ishte Gjimshiti. E para, sepse në lojën në ajër, ku anglezët janë të rrezikshëm, kapiteni bëri shumë mirë. Fatmirësisht, anglezët nuk luajtën shumë në ajër me krosime dhe me shumë këndore apo faulle. Gjimshiti bëri mbyllje shumë të mira dhe ishte i saktë. Kujtoj një ndërhyrje vendimtare në një moment të Kejn, që ishte një gol 100% i sigurt. Mund të shkonte 2-0 dhe në vazhdim rezultati kishte shanse të shkonte edhe më i thellë deri në fund, sepse ishte shumë shpejt. E dyta, në organizimin e mbrojtjes Gjimshiti ishte vazhdimisht i vëmendshëm dhe i orientonte shokët me lëvizjet e veta dhe me fjalët. Mbrojtja ishte reparti më i mirë, bashkë me Strakoshën.

KEJN, LIDERI I HESHTUR – Tek Anglia nuk më bëri përshtypje të madhe ndonjë lojtar, por ajo që më mbeti në mendje ishte thjeshtësia e një sulmuesi si Herri Kejn. Duke u përqendruar te Bellingami, ne i harrojmë të tjerët. Lëvizjet e Kejnit, qoftë në zonë, qoftë për të kërkuar topin apo për të tërhequr kundërshtarët për t’u hapur zonë të tjerëve, tregoi se është një lojtar që nuk bie në sy shumë, por bën një punë fantastike për ekipin. Goli i tij pastaj ishte marrje perfekte dhe një shikim periferik të jashtëzakonshëm.

SFIDA E RADHËS ME ANDORRËN – Kjo e radhës është jashtëzakonisht vendimtare për Shqipërinë nëse ka në plan të përparojë dhe të marrë rezultate pozitive. Kjo është ndeshja jonë, duhet fituar, duhen tri pikët, që të kesh mundësi të ecësh dhe të ëndërrosh për më tutje.

PANORAMASPORT.AL