Flamurtari dhe 3 drejtimet e Kategorisë Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2025 | 12:25

Flamurtari dhe 3 drejtimet e Kategorisë Superiore

NGA MOISI DALIPI 

Fundi i sezonit futbollistik 2024-2025 për Kategorinë e Parë ka sjellë rikthimin e Flamurtarit në odën e më të mirëve të futbollit shqiptar, në Kategorinë Superiore. Objektiv i realizuar ky nga vlonjatët pas asaj fitoreje me vlera në javën e fundit ndaj Vorës, me rezultatin 0-1. Ky sukses mundësoi që Flamurtari të mbajë fort vendin e dytë në klasifikim, në një garë të zjarrtë me Besën, duke mundësuar kështu  rikthimin e shumëpritur në Superiore.

FLAMURTARI

Në 33 javët e këtij sezoni, Flamurtari grumbulloi 75 pikë, me bilancin: 23 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje, me golavarazhin 59-15. Flamurtari rikthehet në Superiore pas 5 sezoneve, që nga ndeshja e fundit e zhvilluar më 27 korrik 2020 në Shkodër ndaj Vllaznisë, që u mbyll me rezultatin 1-1. Për të qenë më konkretë, Flamurtari e ka synuar rikthim në Superiore edhe dy herë më parë, në sezonet e kaluara, 2022-2023 dhe 2023-2024, kur është mundur në fazën “play off” nga Korabi, me rezultatin 2-1 dhe Laçi 3-1. Flamurtari e ka provuar rënien në Kategorinë e Parë edhe në fund të sezonit 2003-2004, por pas dy edicionesh u rikthye fuqishëm në Superiore. Jo vetëm kaq, Flamurtari në sezonin 2021-2022 ka provuar të luaj edhe në Kategorinë e Dytë.

Pra, e thënë qartë, të gjitha këto ulje-ngritje kishin akumuluar te sportdashësit vlonjatë një entuziazëm të brendshëm, që shpërtheu në mënyrë të ligjshme pak ditë më parë në Vlorë dhe në çdo mjedis ku kishte vlonjatë. Specialistët që e njohin mirë historinë e Flamurtarit, këtë rikthim nuk e vlerësojnë si sukses të madh, por thjesht realizimi i një detyre, që duhet të kryhej, madje edhe më përpara. Gjithsesi, realiteti i sotëm tregon se Flamurtari e ka bërë autokritikën që duhej ta kryente me çdo kusht. Tashmë, ditët e entuziazmit duhen lënë prapa dhe skuadra me drejtuesit duhet të hedhin vështrimin përpara, pasi Superiorja ka kërkesa, standarde dhe rivalitet më ndryshe. Kjo është arsyeja që vëmendja duhet përqendruar në tri drejtime.

Skuadra për Superioren

Kërkesa më kryesore që duhet pranuar është se Flamurtari ka nevojë për një rikonstruksion të përgjithshëm. Themi kështu, sepse shumë futbollistë që mbyllën sezonin nuk janë të gatshëm dhe në gjendje të garojnë me sukses në Superiore. Ka futbollist në moshë të madhe dhe jo me kondicionin e duhur fizik, si dhe ka edhe futbollist pa përvojë në Superiore. Drejtuesit e klubit vlonjatë shprehen se: “Kemi filluar nga  puna që tani për skuadrën e sezonit ardhshëm”. Këtë refren e kemi dëgjuar shpesh edhe në fillim të sezoneve të kaluara, por faktet kanë treguar se pas zhgënjimeve janë detyruar të korrigjojnë diçka në markaton dimërore.

Shpesh këto ndërrime dhe kompozime nuk kanë dhënë rezultat. Në sezonin që sapo u mbyll, Flamurtari regjistroi 4 humbje,  me Burrelin, Vorën, Pogradecin dhe Besën, ku 3 prej tyre janë regjistruar në fushën e tyre. Ky fakt e tregon qartë se skuadra nuk ka mbajtur dot presionin e tifozërisë vlonjate për fitore, duke zhgënjyer keq. Dy humbjet në fushën e saj, ndaj Pogradecit 1-2 në javën e 29-të dhe ndaj Besës në javën e 31-të me rezultatin 0-2, treguan qartë këtë gjë. Dikush mund të thotë se gjendja e rënduar psikologjike e skuadrës, por kjo nuk është arsyeja kryesore. Flamurtari në shumë ndeshje është paraqitur me dy nivele: e fortë dhe rezultative në ndeshjet në transfertë dhe e dobët e modeste në fushën e saj.

Një tjetër kërkesë e tifozërisë vlonjate është prania në skuadër e më shumë futbollistëve me origjinë nga Vlora. Justifikimi se shumë lojtarë të tjerë vlonjatë nuk kanë për t’u bërë pjesë të Flamurtarit ardhshëm, nuk qëndron. Mjafton të kujtojmë këtu portierët Qirko, Sali e Alimucaj, si dhe futbollistët Buxhelaj, Deliaj e Bajrami. Pa folur këtu për djem të talentuar vlonjatë, që aktivizohen në kampionatet e huaj në vendet fqinje. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për drejtimin e skuadrës nga specialistë vlonjatë, të cilët po spikasin me vlerat e tyre në drejtim, apo si analistë dhe menaxhim. Flamurtarin, më shumë se askush tjetër, e duan dhe e nderojnë vlonjatët.

Akademia e futbollit

Një kërkesë bashkëkohore për çdo klub futbolli. Në vitet e fundit akademia e futbollit të Flamurtarit po kalon një gjendje jo fort të mirë. Fakti që skuadrat e moshave të kësaj akademie nuk garojnë në nivele të larta, tregon qartë për këtë gjë. Po ashtu, ka shumë vite që nga kjo akademi nuk janë prodhuar elementë cilësorë për të furnizuar  ekipin e parë. Ky është shqetësim me vete, që kërkon zgjidhje. Të vjen keq kur shikon që në listat e shpallura nga ekipet kombëtare të  moshave nuk gjen si dikur vlonjatë. Më keq akoma, për pjesëmarrjen e djemve vlonjatë në ekipet U-21 dhe ekipin e parë, ku ka rreth 10 vite  që vlonjatët nuk janë pjesë e tyre.

Plot 37 futbollistë vlonjatë e kanë veshur ndër vite e dekada fanellën kuqezi të Kombëtares, ku shumë prej tyre mjaft cilësorë, duke shkruar histori. Edhe ata kanë lindur si futbollistë te Flamurtari. Ka pak muaj që tek ekipet U-16 të jenë pjesë e tyre, mbrojtësi Xhoel Mezani dhe sulmuesi Fabio Hyseni, por janë shumë pak, kur dihet që Flamurtari ka traditë dhe shkollën e tij për përgatitjen e talenteve në futboll. Ka ardhur koha që tradita të rilindë për të përgatitur futbollistë të tillë. Është shumë herë më mirë dhe me leverdi të prodhosh futbollistë sesa të afrosh në fillim të çdo sezoni lojtarë nga skuadra dhe kampionate të tjera.

Infrastruktura sportive

Kërkesë dhe domosdoshmëri, pa të cilat nuk mund pretendohet për luajtur futboll. Po cila është gjendja sot në Vlorë? Ka një stadium me kushte disi të pranueshme dhe një fushë stërvitore me tapet artificial  te Pylli i Sodës, ku stërviten më shumë se 10 ekipe. Ky ambient është rikonstruktuar kohët e fundit me shpenzimet e presidentit Idrizi. Po kaq nuk mjafton, sepse ekipet mbajnë radhën për të kryer stërvitjen, ku përparësi ka skuadra e parë. Ka ekipe të moshave që stërviten në bregdet, në kushte aspak normale. Nga burime pranë klubit, mësohet se presidenti Idrizi ka disa kohë që ka përsëritur kërkesat me plane ndërtimi dhe fonde të siguruara nga vetë ai për një ambient tjetër pranë kësaj fushe stërvitore. Por organet e pushtetit vendor dhe atij qendror kanë heshtur.

Asnjë përgjigje dhe asnjë qëndrim i shprehur zyrtarisht nga ana e tyre, kur dihet që skuadrat e klubit Flamurtari e kanë domosdoshmëri një kërkesë të tillë. Justifikimi që thuhet aktualisht është: Vlora do të ketë shumë shpejt stadium të ri. Por ky është një togfjalësh për të kaluar radhën. Ka më shumë se 2 vite që është miratuar projektplani i këtij stadiumi, por heshtja ka mbuluar gjithçka. Kjo edhe mund të ndodhë, por gjërat duken shumë larg. Ata që kanë në dorë t’u hapin rrugë këtyre zgjidhjeve, këto ditë u “lodhën” nga entuziazmi për rikthimin e Flamurtarit në Kategorinë Superiore, por kanë harruar se Flamurtari ka nevojë nga të gjithë dhe në çdo kohë për të justifikuar emrin dhe historinë që ka.

PANORAMASPORT.AL