Opinion nga Edison Gjoni/ Punë e shkëlqyer për arbitrimin, probleme ka edhe në… Euroligë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2025 | 13:54

Opinion nga Edison Gjoni/ Punë e shkëlqyer për arbitrimin, probleme ka edhe në… Euroligë

GJONISezoni 2024-2025 i aktiviteteve basketbollistike ka ulur siparin së fundmi, duke e koleksionuar atë si një sezon të mirëmenaxhuar në tërësinë e tij. Problematika të vogla sigurisht që ka pasur gjatë rrugës, polemika, akuza dhe kundërpërgjigje në lidhje me gjykimin, por trupa e gjyqtarëve të FSHB-së qëndroi stoike në misionin e saj, sa të bukur dhe të vështirë të gjykimit me drejtësi të dueleve të përcaktuara nga shorti i fillimsezonit. Nëse hedhim sytë përtej, qoftë në rajon, por edhe më larg, në Euroligë, problematikat në lidhje me gjykimin janë të pranishme.

Është për të ardhur keq që gjykimi po kthehet çdo ditë e më shumë në alibi për humbësin, duke penguar kështu një analizë reale për humbjen dhe gjithashtu duke demoralizuar cilindo që kryen detyrën e gjyqtarit mes shumë vështirësive. Shpresoj shumë që kjo situatë të mos ndikojë në tkurrjen e numrit të arbitrave. Kohët e fundit jemi duke bërë një punë të shkëlqyer për rekrutimin e arbitrave të rinj, duke zhvilluar takime me studentë nëpër universitete, me nxënës nëpër gjimnaze ku kemi marrë një “feedback” shumë pozitiv. Nëse i rikthehemi performancës të arbitrave tanë këtë sezon, mund të them se ka qenë e kënaqshme, vërtetuar kjo dhe nga nominimet që FIBA u ka bërë tre arbitrave tanë ndërkombëtarë në aktivitetet europiane të moshave që zhvillohen në verë. Personalisht jam shumë i kënaqur dhe ndihem i vlerësuar që, për të dytin vit radhazi(po kaq vite kam që jam licencuar si arbitër ndërkombëtar), emërohem në tri aktivitete të rëndësishme U-16 djem DIV C, U-18 djem DIV C dhe U-20 vajza DIV B. E shoh si privilegj, por edhe si përgjegjësi këtë vlerësim nga Departamenti i Gjykimit pranë FIBA-s dhe kjo më motivon që të punoj dhe studioj më shumë për të rritur nivelin dhe performancën time në fushën e lojës.

Kuptohet që dhe unë kam modelet e mia, të cilët i ndjek dhe përpiqem t’i arrij, siç është arbitri më i mirë shqiptar Gentian Cici, i cili arriti të gjykonte në Kupën e Botës dhe vazhdon të gjykojë në kampionatin gjerman dhe në Euroligë dhe kjo më shërben si një garë, e cila gjithmonë sjell progres. Së fundi, dua të shfrytëzoj këtë dritare mediatike për t’u bërë thirrje të gjithë të rinjve që adhurojnë basketbollin, por që për shumë arsye nuk mund të jenë si lojtarë në fushë, të na bashkohen dhe të jenë pranë pasionit të tyre duke gjykuar ndeshjet e basketbollit. Një apel në mënyrë specifike për vajzat: ejani dhe praktikoni arbitrimin në basketboll! Mbështetja do jetë maksimale nga FSHB dhe specifikisht nga presidenti Avni Ponari, i cili është angazhuar personalisht në suportin e vajzave në gjykim.

*Edison Gjoni, instruktor dhe gjyqtar ndërkombëtar i basketbollit 

PANORAMASPORT.AL