Opinion nga Besnik Dizdari / Një guxim krahasimi dhe “prepotenca” e FIFA-s
NGA BESNIK DIZDARI
…Le të vazhdojmë. Le të vazhdojmë me këtë Kampionat të Botës që nuk ngjason me asnjë të mëparshëm. Kuptohet që edhe për Shqipërinë. Kjo ngaqë ajo arriti vendin e dytë në grupin e saj të Europës dhe kualifikohet për një ose dy ndeshje të mundshme për të mbërritur për herë të parë në histori në finalet e një Kupe të Botës.

Shqipëria sapo ka mbyllur pjesëmarrjen e saj të 14-të pikërisht në jubileun e 60 vjetorit të pjesëmarrjes e saj (1965-2025). Madje edhe me një jubile tjetër, teksa kujtojmë se ndeshja me Anglinë ishte e 400-ta e saj në të gjitha garat botërore, europiane e miqësore.
Natyrisht për Kampionatin Botëror pa u kualifikuar asnjëherë për në finalet. Madje pjesëmarrjet e saj kualifikuese, sidomos ato të fillimeve, kanë qenë krejt dështuese. E fundit në grup për edicionet 1966, 1974, 1990,1994, 1998, 2002. Por që midis të cilëve hyn edicioni i Kupës së Botës 1986, që deri asokohe ishte më befasuesi, më i bukuri dhe … më i pafati. Ndeshjet kanë qenë mëse dramatike: Belgjika – Shqipëria 3- 1, por fitore shqiptare 2-0 në kthimin e Tiranës; 2-2 në Poloni, por humbje fatale 0-1 në kthimin e Tiranës; humbje 0-2 me Greqinë në Athinë dhe barazim 1-1 në Tiranë. Renditja e përkujtueshme ishte kjo:
1. POLONIA 8 3 2 1 10-6
2. BELGJIKA 8 3 2 1 7-3
3. SHQIPERIA 4 1 2 3 6-9
4. GREQIA 4 1 2 3 5-10
Shqipëria kishte lënë mbrapa Greqinë, çka nuk parashikohej assesi dhe ndonëse kishte humbur 2-0 ndaj saj, për çudi, atë ditë prapseprap, ajo ishte pretenduese në grup për të mbërritur te finalet e Meksikës 1986.
Në “Libri i Kombëtares” (2001) është një nënkapitull që e kam titulluar: “Nga apogjeu në “kurthin” grek”. I përkiste humbjes në Athinë me Greqinë. Prej këtij nënkapitulli i kam kushtuar mora vetëm pak rradhë për esenë e gjatë historike të para pak javëve kushtuar trajnerit të paharrueshëm Shyqyri Rreli. Tash po më vjen për shtat ta risjell këtu të plotë këte fragment nga i harruari “Libri i Kombëtare” (2001)– ndër më të rëndësishmit që kam shkruar e botuar. Ka vite që i shërben fort sidomos plagjiatorëve shembullorë, pa e përmendur asnjëherë si referim. Nënkapitulli në fjalë është ky:
X X X
“Nga apogjeu në “kurthin grek” Dukej si një kulm. Nuk dihej nëse i mbështjellur me euforinë e paparë, ai do të rezistonte pa u shkatërruar, pa rënë për tokë. Shyqyri Rreli sado modest që ishte, sado me këmbë në tokë që qëndronte, prapseprap e kishte tejet të vështirë të rezistonte.
Nga dita legjendare e jetës së tij të futbollit, mbrëmbja e 22 dhjetorit 1984, Shipëri – Belgjikë 2-0 deri te 27 shkurti 1985 i Athinës fatale, ai ndoshta ka dy muajt më çarmatosës të jetës së tij prej trajneri.
Kështu, në një ditë shkurti me diell, jemi nisur drejt Athinës përmes një itinerari etapa e parë e të cilit ishte Janina. Ishte përveç të tjerave, edhe një çast historik. Shqipëria dhe Greqia sapo kishin vendosur marrëdhëniet diplomatike dhe qysh nga 1963-64 kur shorti i kishte vënë ata përballë për 1/16 e finaleve të Kampionatit Europian, çka i kishte dhënë Shqipërisë kualifikimin me vendim në tavolinë sepse Greqia ishte tërhequr për shkak të gjëndjes së luftës midis dy vëndeve, ata nuk ishin ndeshur pra asnjëherë midis tyre.
Kur mbrrijmë në tokën greke pritja e tyre me një pasion të veçantë i kalonte përmasat proceduriale të një ndeshjeje për Kampionatin Botëror. Në kufi, në Kapshticë, Kombëtarja e Shqipërisë pritet edhe me fjalime. Ndërkaq, pasi kemi zbritur nga avioni Janinë – Athinë, në aeroportin e kryeqytetit grek, pritja është e përmasave. Asnjëherë nuk mbahej mënd një pritje kësisoji jashtë për Shqipërinë. Skuadra do ta kishte të vështirë të çante grupin gjigand të gazetarëve, fotografëve, kamerave të televizionit, mikrofonëve të incizimit. Në synim të të gjithëve ishte sidomos një personazh, trajneri Shyqyri Rreli, i cili e kishte të vështirë të përballonte kërkesat. Kështu ka vazhduar gjithçka deri të nesërmen e ndeshjes. E gjitha kjo doemos që justifikohej, kur dihej se Shqipëria nuk vinte si një “outsider”, por si një pretendent i mirëfilltë. Mjedisi megjithate, brënda 24 orëve nuk do të qëndronte kësisoji. Një grevë urije proteste për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri nga i famshmi i arratisur politik me emrin Ilia, ishte paralajmërimi i një urrejtjeje përballë së cilës do të tronditej Kombëtarja në Stadiumin Olimpik të Athinës. Gjatë gjithë kohës tribuna e egërsuar greke përballë, vetëm fyente e shante kundër Shqipërisë, komunizmit të saj, shtypjes së njeriut.
“Kurthi” grek ishte shfaqur tashma. Në futboll ai do të ishte krejt i papërmbajtshëm.
Ajo ndeshje nuk do të kishte histori për Shqipërinë. Papritmas, fati i madh ishte bërë krejt i vogël. Shqetësimi nis shumë shpejt, qysh në minutën e 9-të kur Saravakos shënon golin e parë para syve të të gjithë mbrojtësve të hutuar shqiptarë, të paaftë të ndalnin sulmet e shpejta të Greqisë, e cila e kupton se kjo Shqipëri duhet mundur më thellë se kaq. Për 37 minuta deri te goli i dytë, i mesfushorit Antoniu, ajo thuajse nuk ekziston. 2-0 e gëzon fort Greqinë, një 2-0 që ishte arritur aq shpejt! Tash ajo ishte e knaqur me kaq dhe vendos vetëm të ruajë këto shifra të lakmueshëm përballë pretendentes së grupit që ishte dukur aq e frikëshme po që papritmas ishte shfaqur krejt e butë. Në të vërtetë, ndeshja qysh nga kjo minutë e 37-të, nuk ka më histori. Trajnerit Rreli nuk i shërbejnë as dy ndrrimet e Hametajt e F.Rragamit dhe po kaq papritmas në një farë mënyre, 11-shi e kishte tradhtuar. Ai ka në përbërje plot 10 trima të fitores me Belgjikën dhe askush nuk mund ta justifikonte gjithçka me “gabimin” e prishjes së 11-shit pas përfshirjes në te të Haxhi Ballgjinit si titullar.
Shqipëria i ishte dorëzuar “kurthit” grek.
Ka qenë 27 shkurt 1985 dhe jehonën e Belgjikës e kam ndjerë edhe në atë dialog të shkurtër që munda të kem me Enzo Bearzot, trajnerin e Italisë, të cilën ai e kishte bërë Kampione të Botës më 1982. Ai kishte ardhur të ndiqte Greqinë në prag të një ndeshjeje miqësore që kishte me te vetëm pas 15 ditëve (0-0 më 13 mars 1985). Arrita ta takoj Bearzoti—n në hollin e Stadiumit “Olimpik” të Athinës në pushim të ndeshjes sonë kur dhe duke ditur hobby-n e tij, i dhurova një llullë karakteristike shqiptare e cila u bë shkas për komente blitz në gazetat e nesërme të Athinës duke më cituar dhe emrin. “Një skuadër që fiton me Belgjikën”, – tha Bearzot, teksa më falenderonte me buzagaz duke vështruar me kërshëri llullën shqiptare,- natyrisht që i duhet treguar një vëmëndje e madhe.”
Këte vëmëndje sapo e kishte treguar Greqia. Dhe pjesa e dytë e cila nuk ka më histori, vërtet. Të nesërmen gazetat greke ishin në eufori të plotë sikur të kishin mundur Kampionen e Botës. Kaq e fortë kishte qenë pozita e Shqipërisë sa që trajneri i Greqisë Papapostolu më thoshte pas ndeshjes: “E prap Shqipëria është pretendente”. Ishte llogaria që nuk të linte të gaboje kur shihje se paraqitja e grupit ishte në këte barazpeshë të pagabueshme:
POLONIA 3 1 1 0 5-3
BELGJIKA 3 1 1 1 3-3
GREQIA 3 1 1 1 3-3
SHQIPËRIA 3 1 1 2 5-7
Shqipëria tash ishte e fundit, po a nuk kishin të tri skuadrat nga 3 pikë kur Shqipëria do t’i kishte në fushën e vet të dy ndeshjet e fundit, me Greqinë dhe Poloninë?”…
X X X
Kjo ka qenë paraqitja më dinjitoze e Shqipërisë për një Kampionat Botëror.
Dhe çfarë ka ndodhur më mbas?
Duhej të vinte edicioni i vitit 2006, kur trajneri gjerman me emrin Hans Peter Briegel bën që Shqipëria për herë të dytë në histori të mos ishte e fundit në grup. Zë vendin e 5-të në një grup me 7 skuadra, duke lënë mbrapa Gjeorgjinë e Kazakistanin, por duke marrë 13 pikë dhe si asnjëherë tjetër duke arritur 4 fitore. Natyrisht kjo edhe për shkak të numrit më të madh se asnjëherë tjetër të ndeshjeve: plot 12. Mandej e parafundit për 2010-tën dhe 2014- tën. Dhe këtu “ndal”!
E quajnë Gianni De Biasi. Ky është trajeri i cili i ndërron pamjen Shqipërisë edhe në pjesëmarrjet në Kupës së Botës – ndryshe Kampionati Botëror i futbollit. Ishte edicioni i vitit 2018. Papritmas Shqipëria zë vendin e tretë në grupin e saj, kur dy të parët kishin këto Kombëtare legjendare të futbollit botëror: Spanja dhe Italia. Dhe Shqipëria 13 pikë, 4 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje. Golat 10-13. Në të vërtetë ishte “vepër” e dy trajnerëve italianë: De Biasi në 6 ndeshje dhe Panucci në 4.
Pavarësisht rezultateve, në të shumtën Shqipëria kishte zhvilluar ndeshje të nivelit të lartë.
Dhe mandej kthesa e madhe që do t’i përkiste edicionit të vitit 2022. Botërori i kaluar, pra. Shqipëria zë vendin e tretë në grupin e saj me 6 skuadra, ku dy të parët ishin Anglia dhe Polonia. Dhe me rekordin e saj: 18 pikë, 6 fitore 4 humbje në 10 ndeshje. Golat 12-12. Për herë të parë në histori raporti fitore – humbje është pozitiv: 6 me 4! Dhe po për herë të parë, golaverazhi nuk është pasiv: 12-12. Mbi të gjitha duke lënë mbrapa një fuqi të vjetër të futbollit botëror që ishte Hungaria. Trajneri i kësaj arritjeje të madhe për ne, quhej Edy Reja, italian i famshëm i futbollit, të cilin ekranet televizive të të ashtuquajturve “analistë”, shpesh e sulmonin!?
Mirëpo ja që as kjo nuk ia kalon 1986-tës kur Shqipëria kishte synuar 16-shen, jo 32-shen si kjo e vitit 2022. Këtu, çka do ta prekim disi më thellë pak më poshtë, është dhe ndryshimi i madh mbërritës, për dje dhe për sot, çka çuditërisht nuk do t’ia dijë askush. Kjo nuk i falet sidomos analistëve apo atyre që mëtojnë të analizojnë vetë historinë e këtyre punëve…

X X X
Dhe ja ku dalim te “FIFA prepotente”. Ose më saktë te “prepotenca e FIFA-s” që nuk po ngopet me fitimet thuajse të përbindshme që hap mbas hapi e ka cënuar fort vetë natyralitetin e këtij sporti që është më i dashuri për njerëzimin.
Kështui pra, analiza me mend në krye, për hir të së vërtetës, na thotë se Shqipëria e sotme nuk është pretendente si më 1986 për të qenë midis 16 skuadrave më të mira të Botës. As si më 2022 për të qenë midis 32 skuadrave më të mira të Botës. Shqipëria e sotme e futbollit kombëtaras, është pretendente për të qenë jo midis 16 e as 32, por midis gjigandizmit shumshtetesh të plot 48 skuadrave finaliste të Kupës së Botës.
Kjo është ajo që e kam quajtur “prepotenca e FIFA-s”. E FIFA-s e cila e ka kthyer futbollin kryesisht në një treg fitimprurës. 48 skuadra në finalet do të thotë se aty do të jenë gati një e katërta e shteteve anëtare të saj – janë rreth nja 210 shtete anëtare – ose rreth 20 përqind e tyre.
Vërtet, ku do të mbërrijë FIFA kështu?
Kampionati do të zhvillohet në tre shtete: Kanada, Meksikë dhe SHBA. Dhe do të ketë bukur 16 skuadra më tepër se 4 vjet më paeë, pra! Ndryshe, edhe 50 përqind më shumë se më 2022. Eshtë një gjigandizëm!
Ndërsa shumë kritikë këte e quajnë një “ekspansion”. Do të jenë 12 grupe me nga 4 skuadra! Plot 104 ndeshje! Nga 11 qershori deri te 19 korriku 2026. E pra, si u mbërrit deri këtu?
Në vitin 2013 Michel Platini, si president i UEFA-s, propozoi një Botëror me 40 skuadra. Më 10 qershor 2017 FIFA voton unanimisht për një kampionat me 48 skuadra. Kjo zyrtarizohet më 14 mars 2023. Vërtet bukur?…
Dhe shpërthejnë kritikat. Bie fjala, Shoqata e Klubeve të Futbollit të Europës kundërshton duke e akuzuar presidentin e FIFA-s Infantino si nxitës i një organizimi të tillë, më shumë për arësye vetjake politike se sportive, me synim e dëshirë për të kënaqë një bazë sa më të gjerë të elektoratit të tij. Presidenti i Ligës së Futbollit të Spanjës, Javier Tebas deklaron se ky organizim i ri është i papranueshëm dhe se e ashtuquajtura industri e futbollit mbahet nga klubet dhe ligat kombëtare dhe jo nga FIFA.
Interesante është ndërkaq një deklaratë e këtyre ditëve të fundit e presidentit të skuadrës italiane të Napolit, De Laurentis, i cili vuri gishtin protestues kundër FIFA-s dhe UEFA-s, duke i akuzuar se po errësojnë kampionatet kombëtare. Madje, De Laurentis mbërrin edhe më tej kur thotë: “I takon klubit e drejta që të vendosë nëse lojtarët e tij mund të lejohen të shkojnë në grumbullimet e kombëtareve, kjo edhe sepse janë klubet që i paguajnë ata… Lojtarët marrin rrogën nga klubi i tyre dhe është klubi ai i cili vendos po ose jo për t’i lejuar ata të shkojnë te ekipet kombëtare”.
Dhe shkojmë më tej. Shkojmë për te mënyra e plotësimit të skuadrave finaliste. Ec e merre vesht se si mund të mbështetej FIFA deri te Liga e Kombeve të Europës, duke ngatërruar turneun botëror me një të ashtuquajtur “ligë”, që në të vërtetë është i rangut të kategorisë së tretë. Përveç të tjerave me skemat e saj krejt amatoreske e të ngatërruara si në një fjalë kryq, kjo e ashtuquajtura “ligë” po ua rrëmben pa mëshirë edhe ajo lirinë futbollistëve të cilët po arrijnë deri në 70 ndeshje në vit! Dhe po aq, ec e merre vesht përse këto ndeshje të play off-it zhvillohen 4 muaj mbas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese.
Kështu mbërrijmë te amatorizmi më i skajshëm i një organizimi, kur katër muaj para caktimit të 4 skuadrave të tjera nga Europa, më 5 dhjetor FIFA hedh shortin e finaleve! Pra pa u përcaktuar ende plotësisht 48 finalistët.
Sidoqoftë, për Shqipërinë ky short do të jetë “historik”. Kështu ngaqë për herë të parë, ende pa u kualifikuar, ajo do ta shohë veten midis finalistëve të Kupës së Botës përmes variantit “po qe se”, të një shorti të parakohshëm. FIFA e sotme nuk ka durim. Në fund të fundit, me arrogancë i ka mposhtur të gjithë me në krye “novatorin e madh” që duket se është presidenti Gianni Infantino. Kjo është ajo, “prepotenca e FIFA-s”. Nuk duhet të çuditemi, megjithate. Edicioni i shkuar i Kupës së Botës u zhvillua në Qatar, një shtet i një futbolli nënmesatar. Madje u zhvillua në mes të dimrit!…
Sidoqoftë, për vështrimin tonë historik, përmes këtij “guximi krahasues”, u përpoqëm të argumentojmë se Shqipëria e vitit 1986 dhe ajo e vitit 2022, jo vetëm nuk qëndrojnë poshtë arritjes së Shqipërisë 2026, por siç e tregon ky përforcim – shtim i paprecedent i finalistëve nga 16, 24, 32 në 48 skuadra, më e pakta na duket se është po aty. Kësisoji përderisa ende nuk janë zhvilluar ndeshjet e atij që quhet “play off”.
Kështu pra, Shqipëria e vogël do të ketë nderin të mësojë se në cilin grup të finaleve të Kanada-Meksikë-SHBA të Kupës së Botës 2026, ajo mund të jetë. Një çudi e madhe kjo, vërtet, që na e blaton FIFA. I bën një vend imagjinar edhe Shqipërisë pa u kualifikuar. Mos është edhe kjo një “inteligjencë artificiale” që shkatërron ate që thamë, natyralitetin, pse jo, genuin, të sportit të mahnitshëm që dihet se është futbolli?…
PANORAMASPORT.AL













