Projekti “sporti në shkollë”, ose “dielli dhe shosha”…
NGA ARTAN SHYTI
Populli thotë “nuk mbulohet dielli me shoshë”…

Kjo thënie e urtë merr kuptim konkret kur shikon përpjekjet e KOKSh për të paraqitur “suksesin” e një projekti absurd të sportit në shkollë. Veçanërisht kur e i sheh këto përçartje edhe me partnerët ndërkombëtarë, Italinë në këtë rast. Duket sikur po iu thua “ju nuk merrni vesh nga kjo punë po nuk bëtë si bëjmë ne!”.
Nëse megalomania, për arsye “të gjatësh” ecën në Shqipëri, duhet të jesh komplet në ajër që t’u mburresh italianëve më këtë absurditet që po ndodh në Shqipëri prej 4 vitesh, periudhë gjatë të cilës janë çuar dëm 15 milion euro, baraz më buxhetin e gjithë federatave për 15 vite. Tani, pas një periudhe të tillë, të mjaftueshme për një bilanc afatgjatë, në vend që të dilet dhe të tregohen arritjet, na shiten përsëri e përsëri lajme propagandistike që nuk bindin më as atë që, në mirëbesim, e vlerësuan fillimisht pozitivisht këtë projekt absurd. Projekti do sillte masivizim dhe cilësi. Kështu u propagandua dhe vazhdon të mbrohet vazhdimi i tij.
NDAJ PAS KATËR VITEVE DUHET TË NA THUHET:
1. Ku janë sportistët elitarë në basketboll e volejboll të evidentuar dhe stërvitur nga ky projekt?
2. Sa prej tyre janë anëtarë të ekipeve kombëtare U-14, U-16, U-18 dhe U-20 në këto sporte?
3. Cili është ndikimi i këtij projekti në masivizimin e volejbollit dhe basketbollit në Shqipëri, i konkretizuar në numër të regjistruarish në federatat përkatëse?
4. Cili është kontributi i këtij projekti në rritjen e numrit të ekipeve pjesëmarrëse ne kampionatet e moshave që zhvillojnë federatat përkatëse?
Pra në vend të këtij bilanci vazhdohet akoma me propagandë e gënjeshtra. Sporti është konkret, flet me shifra e fakte. Kështu që numri i këpucëve, topave e tutave të blera, i parave të shpenzuara për propagandë e punësime, është numër që vlen vetëm për të justifikuar faturat e miliarda lekëve të harxhuara. Po për ato fatura dhe realitetin e tyre do flitet në të tjera instanca e në një kohë tjetër që, herët a vonë do vijë. Deri atëherë nuk duhet spekuluar, me gjithë faktet që tashmë dihen publikisht.
Shifrat reale të sportit janë përgjigjet e pyetjeve të mësipërme. Dhe, për fat të keq, ne nuk kemi asnjë sportist elitar të nxjerrë nga ky projekt, asnjë ekip apo sportist të regjistruar në federatat e basketbollit dhe volejbollit që janë produkt i këtyre miliardave të harxhuara. Dhe nëse dikush akoma mendon se ky është një problem i KOKSh duhet të bëhet e qartë që JO!
Sepse KOKSh harxhon për këtë projekt të fëmijëve në shkolla nga paratë e buxhetit të shtetit, 20 herë më tepër në një vit se sa ky buxhet i jep këtyre federatave për gjithë basketbollin e volejbollin kombëtar. Që ca janë të nënës e ca të njerkës do ta pranojmë se nuk kemi ç’të bëjmë pasi jetojmë në Shqipëri. Por që këta të nënës të vazhdojnë të bëjnë shejtan budallain e të na mbulojnë diellin e dështimit me shoshë e propagandës, pastaj është e rëndë për t’u pranuar…
PANORAMASPORT.AL













