“O fiton, o bie”, Memushi tregon se si shpëton Flamurtari! Ish-trajneri jep alarmin
Barazimi ndaj Ti ranës nuk ishte ajo që pritej në Vlorë. Përballë një rivali direkt për mbijetesën, opinioni sportiv priste një fitore që do t’i jepte frymëmarrje Flamurtarit, por në fund erdhi vetëm një pikë, madje e siguruar në minutat e fundit me një penallti që u kontestua fort nga kryeqytetasit. Megjithatë, kjo pikë nuk është pa vlerë. Në aspektin matematikor, Flamurtari mbetet ende në garë për mbijetesë, por realiteti në renditje dhe forma e skuadrës tregojnë qartë se situata është në kufijtë e alarmit.

Çdo ndeshje e mbetur tashmë ka peshën e një finaleje. Ishtrajneri i Flamurtarit, Eqerem Memushi, ka bërë një analizë të qartë dhe pa dorashka për momentin që po kalon skuadra. Sipas tij, dy ndeshjet me rivalët direkt, Tiranën dhe Vorën, përbënin nyjën e sezonit dhe mund të përcaktonin fatin e ekipit. “Vazhdimësia e Flamurtarit duket shumë e vështirë, nëse i referohemi renditjes dhe diferencave me rivalët. Dy ndeshjet me Tiranën dhe Vorën ishin vendimtare. Nëse do të merreshin gjashtë pikë, sot do të flisnim për një situatë krejt tjetër. Tani gjithçka është bërë më e komplikuar”, thekson Memushi. Sipas tij, megjithëse u humb një shans i madh ndaj Tiranës, matematika ende nuk e ka nxjerrë jashtë loje Flamurtarin. Por për të përfituar nga kjo “jetë e dytë”, kërkohet një reagim i menjëhershëm dhe maksimal nga skuadra dhe stafi teknik. “Ajo që ndodhi me Tiranën duhet lënë pas. Ekipi duhet të fokusohet te ndeshja me Vorën, sepse një hap fals aty thuajse mbyll çdo llogari për mbijetesën. Fitorja është detyrim, jo opsion”, vijon ai.
JAVA FAVORIZUESE
Memushi nënvizon edhe një element që mund të luajë në favor të Flamurtarit, kalendari i rivalëve. Sipas tij, përballjet direkte të skuadrave të tjera me ekipet e kreut mund të hapin një dritare shprese për vlonjatët. “Kjo javë mund të jetë kyçe, sepse rivalët tanë luajnë me skuadrat e kreut, që janë në garë për titull dhe nuk falin pikë. Kjo do të thotë se çdo rezultat pozitiv i Flamurtarit mund të ketë peshë të dyfishtë në renditje”, analizon ish-trajneri. Një tjetër element që ai prek është edhe natyra e kampionatit këtë sezon.
ULTIMATUMI PËR FITORE
Sipas Memushit, fakti që pothuajse çdo skuadër ka objektiva konkrete, qoftë për titull, “final 4” apo mbijetesë, e bën garën më të fortë dhe eliminon çdo hapësirë për llogari apo “aleanca”. “Kjo është një gjë pozitive për futbollin. Nuk ka skuadra që të falin ndeshje, të gjithë luftojnë për diçka. Edhe për Flamurtarin kjo është një mundësi, por vetëm nëse futet në fushë me mentalitetin e duhur: o fiton, o nuk ka justifikime”, shton ai. Në fund, mesazhi i Memushit është i drejtpërdrejtë dhe pa ekuivok: Flamurtari duhet të ndryshojë menjëherë qasje, përndryshe rënia nga kategoria është e pashmangshme. “Flamurtari duhet të luajë çdo ndeshje si një finale. Nuk ka më vend për llogari me barazime. Duhet të hyjë në fushë për tre pikë, ose të përgatitet për rënien. Është momenti i së vërtetës për këtë skuadër”, përfundon ai. Pas 30 javësh kampionat, Flamurtari mban vendin e fundit me 25 pikë, pesë më pak se Vora e vendit të tetë dhe Bylisi i vendit të shtatë. Diferencat nuk janë të pakapërcyeshme, por me javët që pakësohen, çdo gabim tashmë kushton shumëfish. Në Vlorë, koha e justifikimeve ka mbaruar, tani flasin vetëm rezultatet.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













