Nuk ka vend për pesimizëm/ I kuqi dhe finalizimi ndëshkojnë shkodranët e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2026 | 23:39

Nuk ka vend për pesimizëm/ I kuqi dhe finalizimi ndëshkojnë shkodranët e Vllaznisë

Humbja minimale 1-0 ndaj Flamurtarit ishte një hap fals për Vllazninë në javën e fundit të fazës së tretë, por pavarësisht rezultatit negativ, në kampin kuqeblu nuk ka pasur shumë vend për pesimizëm. Stafi teknik ka mbetur në përgjithësi i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke vlerësuar sidomos mënyrën se si ekipi e interpretoi lojën në pjesën më të madhe të takimit.

Vllaznia

Shkodranët krijuan disa raste të mira për shënim gjatë 90 minutave, por ajo që mungoi ishte pikërisht finalizimi. Në shumë situata, aksionet u ndërtuan mirë deri në zonën kundërshtare, por pa arritur të konkretizohen në gol. Mungesa e qetësisë dhe e cilësisë në momentin e fundit bëri që përpjekjet e kuqebluve të mbeteshin pa rezultat.

Edhe më domethënës ishte fakti se Vllaznia arriti të dominojë lojën ndaj vlonjatëve edhe në momentin kur mbeti me një futbollist më pak në fushë. Kartoni i kuq i marrë nga Bismark ishte ndoshta episodi më negativ i kësaj përballjeje për shkodranët. Sulmuesi ganez u ndëshkua në një moment ku aksioni kundërshtar nuk dukej veçanërisht i rrezikshëm, një vendim që ndikoi në rrjedhën e ndeshjes dhe e komplikoi më tej misionin e skuadrës. Megjithatë, edhe me dhjetë lojtarë në fushë, kuqeblutë nuk hoqën dorë nga loja e tyre.

Ata vazhduan të kontrollonin pjesën më të madhe të aksioneve dhe të kërkonin golin e barazimit, duke treguar karakter dhe dëshirë për të marrë rezultat. Kjo ishte një nga arsyet pse stafi teknik e konsideron performancën e përgjithshme të ekipit si pozitive, pavarësisht disfatës. Një vërejtje e vogël mund të bëhet edhe për paraqitjen e Jago. Mbrojtësi i majtë nuk u shfaq në nivelin që ka treguar gjatë pjesës më të madhe të sezonit 2025-2026, duke mos qenë aq i saktë dhe ndikues sa zakonisht në krahun e majtë. Megjithatë, kjo mbetet një ndeshje për t’u lënë pas, me Vllazninë që synon të reagojë menjëherë në përballjet e radhës.

PANORAMASPORT.AL