“Nuk e merituam 100% këtë fitore, ishim me fat”, Tetova pas suksesit ndaj Dinamos: Provuam diçka tjetër, ua kam shpjeguar çunave mentalitetin tim
Edlir Tetova është kthyer sot në pankinë përsëri pa kaluar dy javë nga momenti i frikshëm ku atij iu desh të shtrohej në spital dhe të kryente ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Trajneri ka qenë në pankinë në ndeshjen që Egnatia fitoi ndaj Dinamos dhe pas sfidës dha mendimet e tij për duelin në fjalë e jo vetëm.

“Ndjehem pak më mirë, të paktën kështu shpresoj. Sigurisht ditët janë të gjata kur je në pozita të tilla, por mendoj që me hapa të vegjël, pa u nxituar, mendoj se çdo gjë do shkojë drejt normalizimit. Desha të përshëndes të gjithë kolegët, presidentët e klubeve pa përjashtim, presidentin e FSHF që më kanë qëndruar pranë me një mesazh në ato ditë pak të vështira.
Mendoj se është vetëm ndeshja e dytë me Dinamon, sigurisht kishim një qasje tjetër sot. Përdorëm një manovër duke parë ndeshjen e kaluar që na erdhi një kundër një, sidomos në daljet e topit. Siç e patë edhe ju, lamë vetëm dy qendërmbrojtës dhe krijuam hapësirë 25 metra mes tyre dhe pjesës tjetër të ekipit dhe mendoj që e punuam mirë. Shpresojmë që në vazhdim të kemi akoma rrugëdalje të kësaj skeme, se hyn te ajo që unë dua të përdor me ekipin. Por sa i përket lojës, nuk është se 100% e merituam këtë fitore. Sigurisht kishim probleme në anën e markimit ku Dinamo na ushtroi presion dhe na ngjesh në gjysmëfushë, që nuk është normale për ekipin tim. Por i duhen dhënë merita kundërshtarit. Me fragmente kemi marrë situatën në dorë por jo gjithmonë që ishim konkret në lëvizjen e topit. Po themi që kemi qenë pak me fat.
Në pjesën e parë, pjesa e mbrojtjes vonoi në momentin e markimit, nga pjesa lart vijnë vështirësitë e pjesës poshtë. E kishim zgjidhur ashtu për t’i dhënë këto 30 metra Dinamos, për të qenë të befasishëm në tranzicion siç ndodhi. Në pjesën e dytë ndërruam Grudën me Selmanin për të krijuar thellësi te mbrojtësi i majtë i Dinamos, që e arritëm, dolëm para portierit por nuk u shfrytëzua nga Gruda. Pastaj është ajo që Dinamo mori epërsi te manovra e dytë, që ndryshova në minutat e fundit në 3-5-2 dhe pastaj mendoj që morëm gjerësinë. Në një ndërrim loje, me top të lartë që mund të ishte e evitueshme, se gjithë pjesa e mbrojtjes ishte në ekuilibër, pësuam gol në minutat e fundit.
E kishim analizuar ndeshjen që të mbanim lojën në tre të katërtat. Në momentin që treshja lart nuk ishin në momentin më të mirë për presing, krijohej kjo që mesfushorët e Dinamos dhe mbrojtja në detyruan që të ngjisheshim pak më poshtë.
Kjo është vetëm një ndeshje, ka ndeshje boll. E rëndësishme është në mentalitetin tim pasimi, çdo gjë është zotërim dhe mbajtje topi. Ia kam shpjeguar çunave, e rëndësishme është të kesh topin në zotërim, si në fushë, ashtu edhe në jetën e përditshme. Është e rëndësishme”, tha Tetova për RTSH pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL













