Një skuadër strategësh të papunë, në pritje të një stoli…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2013 | 12:29

Një skuadër strategësh të papunë, në pritje të një stoli…

trajneret kryesore copyProfesioni i trajnerit është sa i bukur në pamje të parë, por edhe i vështirë, sidomos kur për arsye nga më të ndryshme lëviz në shumë skuadra dhe je pak i suksesshëm. Në të tilla raste mundet që edhe të dalësh fare nga qarkullimi, ashtu sikundër ka ndodhur për disa emra të njohur të trajningut shqiptar. Kështu ka kohë që një si Astrit Hafizi, ish-trajner i Kombëtares shqiptare, nuk ulet të drejtojë më një skuadër qoftë në Superiore, por edhe tek inferiorët. Hera e fundit që shkodrani ka drejtuar një ekip ka qenë sezoni 2007- 2008, kur u ul në stolin e Tiranës për 14 javë: 7 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje. Shkarkimi nga klubi bardheblu solli largimin përkohësisht nga drejtimi i ndonjë pankine të Hafizit, i cili për hir të së vërtetës ka qenë vazhdimisht i lidhur me futbollin, me analizat dhe komente si në mediat vizive dhe të shkruara. Gjithsesi ai, ashtu sikundër edhe një sërë strategësh të trajningut shqiptar, sot për sot janë të papunë, në pritje të një oferte për sezonin e ri futbollistik 2013-2014.
“Veteranët” – Në “pit-stop” ka mbetur prej më shumë se dy vitesh edhe Faruk Sejdini e Neptun Bajko, dy ikona këto të pankinave shqiptare. Që të dy kanë drejtuar disa skuadra në kampionatin shqiptar, përfshi këtu edhe Kombëtaren shqiptare (Sejdini, si zëvendëstrajner). “Xhaxhi” ka qenë për herë të fundit në 2011-ën te Dinamo, ndërsa Bajko e ka drejtuar Partizanin në momentet më të vështira, në Kategorinë e Dytë. Por, më gjatë sesa këta të dy në hark kohor është Edmond Gëzdari, emri i të cilit është lakuar disa herë kur ka pasur shkarkime trajnerësh, por fakt është sot prej kohës së Elbasanit në 2007- 2008-ën, ky i fundit nuk ka drejtuar më një skuadër futbolli në Superiore. Pothuajse të njëjtën kohë larg pankinave ka edhe Hysen Dedja. 52-vjeçari nuk drejton një skuadër që nga 2007-2008, kur ishte në stolin e Teutës për ndeshjet e Kupave të Europës. Edhe shkodrani mbetet një kandidat për pankinat e Superiores.
Të tjerët – Ndërkohë, konsiderohet “luks” që një trajner si Shkëlqim Muça, i cili ka fituar disa trofe nën drejtimin e Tiranës dhe Dinamos, sot për sot është i papunë. Që nga java e parë e këtij edicioni, kur ai u shkarkua nga Flamurtari, ka qëndruar larg pankinave, por jo larg futbollit, me intervista dhe analiza. E njëjta gjë edhe për Agim Canajn, i cili pas shkarkimit nga Bylisi vijoi sërish analistin në “Skaner kampionat”. I papunë është edhe Duro. Ky i fundit provoi dy skuadra këtë edicion: Vllazninë dhe Partizanin, por në të dyja rezultoi i dështuar. Në këtë listë janë edhe emra trajnerësh si: Lutaj, Ilir Daja, Haxhiu, Gentian Begeja, Ramadan Shehu, Ilir Spahiu, apo edhe Ylli Çekiçi e Saimir Malko, të cilët kanë drejtuar më së shumti te inferiorët.

sejdiniKampionë në disa ekipe, por sot janë të papunë
Në listën e mësipërme të bën përshtypje fakti se një pjesë e trajnerëve, tashmë të paangazhuar me ndonjë skuadër në kampionatin shqiptar, kanë fituar trofe të rëndësishëm. Kështu, Faruk Sejdini ka fituar titullin kampion me Dinamon në fillim të viteve 2000, ndërsa Ilir Daja doli kampion me Elbasanin në mesin e dekadës së shkuar, duke thyer të paktën për një sezon hegjemoninë e Tiranës. Kjo e fundit, edhe nën drejtimin e Shkëlqim Muçës, pat fituar si trofe të titullit kampion por edhe të Kupës së Shqipërisë. Sakaq, Muça ka fituar titullin edhe në krye të skuadrës së Dinamos. Titull kampion, por tani është i papunë, ka fituar para dy sezonesh edhe Shpëtim Duro, asokohe në drejtim të Skënderbeut, teksa Ylli Çekiçi, ka dalë kampion me Pogradecin në Kategorinë e Parë.

DISA NGA TRAJNERËT, NË PRITJE TË NJË PANKINE
Astrit Hafizi – 59 vjeç; Skuadra e fundit: Tirana (2007-2008)
Faruk Sejdini – 63 vjeç; skuadra e fundit: Dinamo (2011-2012)
Neptun Bajko – 64 vjeç; skuadra e fundit: Partizani (2010-2011)
Hysen Dedja – 52 vjeç; Skuadra e fundit: Teuta (2007-2008)
Ramadan Shehu – 64 vjeç; Skuadra e fundit: Laçi (2012-2013)
Edmond Lutaj – 45 vjeç; Skuadra e fundit: Flamurtari (2011-2012)
Ilir Daja – 46 vjeç; Skuadra e fundit: Besa (2012-2013)
Shkëlqim Muça – 52 vjeç; Skuadra e fundit: Flamurtari (2012-2013)
Agim Canaj – 50 vjeç; Skuadra e fundit: Bylis (2012-2013)
Shpëtim Duro – 53 vjeç; Skuadra e fundit: Partizani (2012-2013)
Rudi Vata – 43 vjeç; Skuadra e fundit: Vllaznia (2011-2012)
Edmond Gëzdari – 53 vjeç; Skuadra e fundit: Elbasani (2007-2008)
Gerd Haxhiu – 40 vjeç; Skuadra e fundit: Besa (2010-2011)
Gentian Begeja – 39 vjeç; Skuadra e fundit: Teuta (2012-2013)
Ilir Spahiu – 55 vjeç; Skuadra e fundit: Bylis (2010-2011)
Ylli Çekiçi – 40 vjeç; Skuadra e fundit: Pogradeci (2011-2012)
Saimir Malko – 43 vjeç; Skuadra e fundit: Besëlidhja (2012-2013)

Dede ne Kruje“Valsi” i pankinave, Laçi dhe Tirana rekordmene
Të ndërrosh trajner në Superiore jo gjithnjë sjell rezultat. Madje, nëse i referohemi jo vetëm së shkuarës, por më së shumti së tashmes, klubet që kanë lëvizur shumë në drejtimin teknik kanë dashur edhe realizimin e objektivave sezonalë. Kështu, nëse Skënderbeu dhe Kukësi, një javë nga fundi i sezonit, ndodhen në pozicionet e para të renditjes, kjo është edhe për shkak të stabilitetit që kanë pasur me trajnerët. Si kampionët dhe nënkampionët (ende jo zyrtarisht) janë të vetmet skuadra, të cilat nuk e kanë ndryshuar “timonierin” nga java e parë e këtij edicioni e deri tani. Dhe, duhet pranuar: kjo gjë ia ka vlejtur, pasi që të dyja këto skuadra kanë realizuar objektivat e tyre primare. Sakaq, të gjitha klubet e tjera e kanë ndryshuar të paktën një herë teknikun që nga starti i sezonit aktual.
Shkarkimet “rrufe” – Ishte luajtur vetëm një javë kampionat, por kaq mjaftoi që drejtuesit e Flamurtarit, Tiranës dhe Laçit të tregoheshin “bujarë” me trajnerët e tyre, duke i shkarkuar nga detyra. Kjo tregon edhe brishtësinë (për të mos thënë injorancën) që ekzistonte dhe është ende në klubet e futbollit shqiptar, ku mungon jo vetëm serioziteti, por natyrisht edhe profesionalizmi. Spanjolli Hulian Rubio, absolutisht një nga trajnerët më të mirë të huaj që ka shkelur në Shqipëri, edhe pse fitoi Superkupën me një Tiranë realisht të gjymtuar, sërish nuk u mjaftoi drejtuesve bardheblu që ta mbanin në drejtim, paçka se pas largimit të tij për te Flamurtari u pohua e kundërta që: Rubio nuk kishte dashur të rrinte te Tirana. Megjithatë, largimi nga bardheblutë nuk e ndaloi Rubion që t’i zinte vendin Shkëlqim Muçës te Flamurtari. Ky i fundit u ndëshkua zyrtarisht për barazimin në javën e parë me Bylisin. Sakaq, nuk u kuptua asokohe as shkarkimi i Përparim Daiut nga Laçi.
Ekipet rekordmene – Ndërkaq, thuajse në fund të kampionatit, klubet që mbajnë rekordin e lëvizjeve në pankinë janë Tirana dhe Laçi. Si bardheblutë dhe kurbinasit kanë në drejtim aktualisht teknikun e katërt në radhë, pas tre të shkarkuarve, për shkak të ecurisë së dobët të këtyre skuadrave. Kështu te Tirana, Hulian Rubio thuajse nuk e filloi sezonin, pasi nuk firmosi rinovimin e kontratës dhe në javën e parë, edhe pse de fakto ishte teknik i bardhebluve, de jure e ndoqi ndeshjen me Tomorin nga tribuna. Pas largimit të tij, skuadrën e mori Alban Tafaji, i cili ia la stafetën Artur Lekbellos në javën e 4-t. Por edhe “Tushe” nuk e pati të gjatë te Tirana dhe humbja me Skënderbeun, në javën e 8-të, solli shkarkimin e tij. Sërish në stol Tafaji dhe, pas javës së 16-të, në drejtim erdhi Nevil Dede, i cili vetëm dy ditë më parë rinovoi edhe për dy sezone me Tiranën. Te Laçi sezoni nisi me Përparim Daiun dhe më pas vazhdoi me Stavri Nicën, Ylber Zanin për vetëm dy javë, Ramadan Shehun deri në javën e 13-të të fazës së parë dhe sërish rikthim i Nicës, i cili arriti ta çojë këtë skuadër për herë të parë në historinë e vet në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Lëvizjet e tjera – Pas këtyre dy klubeve, me nga tre lëvizje në pankinë, kanë qenë këtë sezon Flamurtari (Muça, Rubio dhe Gjoka), Teuta (Lika, Begeja dhe Magani), Luftëtari (Dede, Martini dhe Bellai) dhe Shkumbini (Magani, Mile dhe Ballhysa). Por klubit, që i ka kushtuar më shumë shkarkimi i trajnerëve është Flamurtari, kjo për faktin sesi Shkëlqim Muça dhe Hulian Rubio kanë qenë ndër më të paguarit. Ndërkohë, me nga dy lëvizje në pankinë janë Kastrioti (Mërgjyshi dhe Dollaku), Apolonia (Gjoka dhe Demiraj), Tomori (Mile dhe Muzhai), Bylisi (Canaj dhe Shensoji), Vllaznia (Duro dhe Bushati) dhe Besa (Daja dhe Daiu).

SEZONI 2012-2013, LËVIZJET E TRAJNERËVE
SKËNDERBEU – 1 TRAJNER: Mirel Josa (java 1-26)
KUKËSI – 1 TRAJNER: Armando Cungu (java 1-26)
KASTRIOTI – 2 TRAJNERË: Artan Mërgjyshi (java 1-5), Shaban Dollaku (java 6-26)
APOLONIA – 2 TRAJNERË: Ernest Gjoka (java 1-8), Elidon Demiraj (java 10-26)
TOMORI – 2 TRAJNERË: Kristaq Mile (java 1-9), Madrid Muzhai (java 10-26)
BYLIS – 2 TRAJNERË: Agim Canaj (java 1-11), Naxhi Shensoji (java 12-26)
VLLAZNIA – 2 TRAJNERË: Shpëtim Duro (java 1-13), Artan Bushati (java 14-26)
BESA – 2 TRAJNERË: Ilir Daja (java 1-15); Përparim Daiu (java 16-26)
FLAMURTARI – 3 TRAJNERË: Shkëlqim Muça (java 1); Hulian Rubio (java 2-13), Ernest Gjoka (java 14-26)
TEUTA – 3 TRAJNERË: Hasan Lika (java 1-2); Gentian Begeja (java 3-13), Gugash Magani (java 14-26)
LUFTËTARI – 3 TRAJNERË: Nevil Dede (java 1-8), Edi Martini (java 9-20); Arian Bellai (java 21-26)
SHKUMBINI – 3 TRAJNERË: Gugash Magani (java 1-10), Kristaq Mile (java 11-24); Arianit Ballhysa (java 25-26)
TIRANA – 4 TRAJNERË: Hulian Rubio (java 1); Alban Tafaj (java 2-3); Artur Lekbello (java 4-8), Alban Tafaj (java 9-15), Nevil Dede (java 16-26)
LAÇI – 4 TRAJNERË: Përparim Daiu (java 1); Stavri Nica (java 2-5), Ylber Zani (6-7), Ramadan Shehu (java 8-13), Stavri Nica (java 14-26)

sulejman starova; trajner_1Nga Starova tek Alimehmeti, ata që drejtojnë në klube
Ka edhe trajnerë që kanë zgjedhur që të “fshihen” pas tryezave të klubeve dhe të mos jenë në postet e tyre origjinale. Por natyrisht, kjo nuk i largon ata aspak nga futbolli, madje i bënë edhe më të pleksur pasi, veç profesionit të trajnerit, në mjaft raste bëjnë edhe zyrtarin. Kështu Sulejman Starova, nga një trajner i mirënjohur, këtë sezon është në rolin e drejtorit teknik te Kukësi, por natyrisht te drejtimi i skuadrës ka goxha dorë edhe “bobi”. Që në sezonin e parë në Superiore, verilindorët kanë arritur të kualifikohen në Ligën e Europës, ku një meritë të veçantë kanë edhe këshillat e Starovës. E njëjta gjë edhe për Vasil Rucin, i cili punon tek akademia e Flamurtarit. Ndërsa Vasil Bici, në këto vite të fundit, më shumë i është përkushtuar politikës, pasi ka mbuluar detyrën e Drejtorit të Sporteve në MTKRS. Në rolin e drejtuesit është edhe Krenar Alimehmeti, aktualisht te Tirana si administrator. Sakaq, Sulejman Mema drejton shkollën e mjeshtërisë sportive, dhe është pjesë e bordit drejtues të klubit të Tiranës. Ndërkohë, ish-legjenda e portës së kuqe, Perlat Musta, edhe pse jo në rolin e trajnerit, është gjithsesi, pjesë e stafit të Partizanit, i sapongjitur në Superiore.

Rubio-GjikaFlamurtari, 175 mijë € për 3 teknikë të shkarkuar
Flamurtari mban një rekord të rrallë në Superiore, pasi në harkun e një edicioni është i detyruar që të paguajë tre trajnerë që i ka shkarkuar. Gjithçka nis me trajnerin Edmond Lutaj, i cili erdhi në krye të pankinës kuqezi në gushtin e vitit 2011. Pas katër muajsh qëndrimi ai u largua, ndërkohë që zgjidhja e kontratës përfundoi në KAS-in e Lozanës. Gjykata Sportive i dha të drejtë Lutajt dhe Flamurtari gjatë këtij viti duhej t’i paguante ish-teknikut 80 mijë euro. Ndërkohë Shkëlqim Muça është një tjetër trajner që paguhet nga Flamurtari, edhe pse u shkarkua që pas javës së parë të sezonit. Klubi vlonjat i detyrohet trajnerit tiranas 35 mijë euro. Nga ana tjetër, spanjolli Hulian Rubio është i fundit trajner që u largua nga Flamurtari pa mbyllur ende kontratën. Ai u shkarkua më 12 dhjetor të 2012-ës, ndërsa klubi është i detyruar ta paguajë Rubion deri në fund, teksa i kushton 60 mijë euro. Pas “divorcit” me spanjollin, Gjika emëroi në krye të pankinës Ernest Gjokën. Trajneri 43-vjeçar mësohet se merr një pagë mujore prej 3 milionë e 500 mijë lekësh të vjetër në muaj. Në krahasim me ata që e kanë drejtuar Flamurtarin më parë, klubi ka një kosto më të ulët me Gjokën.

Trajnerë me dopio-ekipe
Janë gjashtë trajnerë, të cilët këtë sezon rezultojnë se kanë drejtuar më shumë se një skuadër. Kështu, tekniku aktual i Flamurtarit, Ernest Gjoka, ka drejtuar edhe Apoloninë (java 1-8). Ashtu sikundër edhe Kristaq Mile që ka drejtuar Tomorin (java 1-9) dhe Shkumbinin (11-24). Përparim Daiu ka qenë në drejtim të Laçit (java 1) dhe Besës (java 16-26). Ndërsa Hulian Rubio te Tirana (java 1) dhe Flamurtari (java 2-13). Magani ka drejtuar fillimisht Shkumbinin (java 1-10) dhe tanimë Teutën (java 14-26), ndërsa Nevil Dede ishte te Luftëtari nga java e parë deri tek e teta, para se të merrte në javën e 16-të drejtimin e Tiranës.
LEONARD KARAJ