Nis spektakli! Meksikë-Afrikë e Jugut hap siparin e Botërorit 2026
Pritja ka përfunduar. Pothuajse tetë vjet pasi Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara u zgjodhën si organizatore të Kupës së Botës FIFA 2026, spektakli më i madh i futbollit botëror nis më 11 qershor.

Teksa entuziazmi ka pushtuar mbarë globin, Meksika ndodhet në qendër të vëmendjes. “El Tri” do të mbajë mbi supe shpresat e një kombi të tërë kur të përballet me Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse të turneut në orën 21:00. Kjo është një përballje që sjell kujtime nga Botërori 2010, kur të dyja skuadrat u ndeshën pikërisht në fazën e hapjes së kompeticionit.
Më pas vëmendja do të zhvendoset në Guadalahara, ku do të përballen Koreja e Jugut dhe Çekia. Përfaqësuesja çeke mbërrin në këtë Botëror me moral të lartë pas suksesit të arritur falë “play-off ”-eve të UEFA-s, ndërsa koreano-jugorët synojnë të nisin me fitore aventurën e tyre në turne.
Kush do ta mbyllë ditën e parë me avantazh në Grupin A? Përgjigjja do të vijë pas dy sfidave që do të hapin zyrtarisht siparin e Kupës së Botës FIFA 2026. Një turne historik, që premton emocione, spektakël dhe rekorde të reja në skenën më të madhe të futbollit botëror.
PANORAMASPORT.AL













