Nga Vllaznia te Vllaznia, Partizani rigjen shkodranët. Të kuqtë vijnë nga një ecuri prej 8 ndeshjesh radhazi pa humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2026 | 10:47

Nga Vllaznia te Vllaznia, Partizani rigjen shkodranët. Të kuqtë vijnë nga një ecuri prej 8 ndeshjesh radhazi pa humbje

Faza finale e sezonit e gjen Partizanin në një moment pozitiv dhe njëkohësisht premtues për objektivat e skuadrës. Të kuqtë kanë hyrë në fazën më vendimtare të kampionatit me një bilanc që e shfaq ekipin mjaft të stabilizuar dhe në pozita komode.

PARTIZANI

Pesë fitore në tetë ndeshjet e fundit janë një tregues i qartë se skuadra ka gjetur ritmin e duhur në kohën më të rëndësishme të sezonit, teksa kanë mbetur edhe shtatë javë para se të mbyllet sezoni i rregullt në Superiore e të nisë më pas “Final Four” që do të vendosë e ndajë për Kupat e Europës si dhe titullin kampion. Nga këto tetë sfida ku janë fituar pesë, Partizani ka regjistruar edhe tre barazime. Ky është një ritëm që jo vetëm mban Partizanin në garë, por edhe i jep skuadrës besimin e nevojshëm për të synuar më shumë. Në këtë pikë të kampionatit, vazhdimësia është çelësi dhe Partizani duket se e ka gjetur atë.

NGA VLLAZNIA TE VLLAZNIA – Humbja e fundit në kampionat ka ardhur përballë Vllaznisë në Shkodër. Një disfatë që në atë moment ndikoi në moralin e skuadrës, e që u duk se i dha një goditje të fortë objektivave të kryeqytetasve. Pikërisht Vllaznia është rivali i radhës për të kuqtë, në një ndeshje që pritet të ketë peshë të madhe për ecurinë e mëtejshme të sezonit, sidomos kur tashmë te Partizani kanë nisur të mendojnë edhe për më shumë se sa thjesht pjesëmarrjen në “Final Four”, sigurisht kjo nisur edhe nga historia e klubit që të shtyn për të marrë gjithnjë maksimumin. Kjo përballje ndaj shkodranëve, vjen si një mundësi e artë për Partizanin për të dhënë një përgjigje të fortë në fushë, sidomos kur në tre ndeshjet e mëparshme të këtij sezoni ndaj Vllaznisë, të kuqtë nuk kanë mundur të fitojnë asnjë duke u ndalur në një barazim 1-1 dhe dy disfata që kanë ardhur larg kryeqytetit në fakt, në stadiumin “Loro Boroçi”. Futbolli gjithmonë ofron shanse për revansh dhe ky mund të jetë shansi i Partizanit që të tregojë potencialin dhe të japë një sinjal të qartë përballë një ekipi që në këtë sezon, shihet si favoriti kryesorë për të triumfuar në fund.

FORMA E TË KUQVE – Përballja me Vllazninë nuk është thjesht një ndeshje radhe, por një provë karakteri për grupin e drejtuar nga Oltijon Kërnaja. Forma e fundit e Partizanit ka qenë e qëndrueshme si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në atë difensiv pavarësisht golave të pësuar në dy ndeshjet e fundit në barazimet identike 2-2 ndaj Vorës dhe Teutës. Skuadra ka ditur të menaxhojë avantazhin në disa prej fitoreve të saj përgjatë fazës së tretë, por edhe të reagojë kur ka qenë në vështirësi. E bëri këtë në ndeshjet e fazës së tretë ndaj Bylisit apo Flamurtarit, si dhe e përsëriti ndaj Vorës dhe Teutës, ku pavarësisht nga disavantazhi, reagoi duke marrë pikë të rëndësishme. Kjo tregon një pjekuri më të madhe krahasuar me fazat e para të sezonit, kur ekipi ishte dukshëm më i brishtë dhe me më pak besim në forcat e tij. Pesë fitore në tetë ndeshjet e fundit nuk kanë ardhur rastësisht e sidomos kur bëhet fjalë edhe për rivalë si Egnatia apo Dinamo që të kuqtë i kanë kaluar me sukses. Grupi i lojtarëve po funksionon në perfeksion, teksa merkato e janarit ka shtuar alternativat dhe konkurrencën falë prurjeve të goditura si Sidibe, Qaka apo Murataj, ndërsa një plus i madh ka qenë edhe rikthimi i Arafat Dumbia pas një demtimi të gjatë. Ndeshja e fundit mes dy skuadrave në Shkodër mbetet një kujtim i largët, por edhe i afërt njëkohësisht për Partizanin që e ka si të fundit ndeshje me rezultat negativ. Me siguri ajo humbje do të shërbejë si një motivim shtesë për të mos gabuar sërish. Përballë një rivali direkt si ndaj Vllaznisë, çdo pikë vlen dyfish, sidomos edhe për aspektin psikologjik. Aty ku në fakt, Partizani duket më i fortë se më parë.

AMBICIET E PARTIZANIT – Seria pozitive ka ndikuar në rritjen e vetëbesimit dhe në krijimin e një fryme më të qëndrueshme brenda grupit. Kjo është thelbësore në javët e fundit të kampionatit, kur presioni rritet ndjeshëm, teksa afrohet gjithnjë e më shumë momenti kur ndahen fatet e sezonit. Skuadra synon të sigurojë një vend në Kupat e Europës, por në të njëjtën kohë mban gjallë edhe ambicien për diçka më shumë. Me diferenca jo të mëdha në renditje, çdo rezultat mund të ndryshojë panoramën. Përballja me Vllazninë do të jetë një test i vërtetë për aspiratat e Partizanit. Një fitore do të forconte pozitat në renditje dhe do të dërgonte një mesazh të qartë për rivalët. Një rezultat negativ, nga ana tjetër mund të jepte mesazhin se skuadra nuk mund të rivalizojë vërtetë për titullin kampion. Në kampin e kuq, puna për ndeshjen ndaj Vllaznisë ka nisur tashmë prej dy ditësh teksa detajet mund të bëjnë diferencën në ndeshje të tilla. Një lajm i mirë padyshim është rikthimi i Arafat Dumbia si dhe trajnerit Oltijon Kërnaja në stol, të dy të pezulluar në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Teutës për shkak të kartonëve të verdhë.

Shifra

18 pikë ka grumbulluar Partizani në 8 ndeshjet e fundit të Superiores. Të kuqtë kanë fituar 5 takime dhe kanë barazuar 3. Humbja e fundit është pikërisht përballë Vllaznisë.

Shifra

1 pikë ka marrë Partizani në 3 përballjet e mëparshme të këtij sezoni ndaj Vllaznisë. Të kuqtë janë mposhtur në dy raste në “Loro Boriçi”, ndërsa në “Arenën e Demave” nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1.

Shifra

33 gola ka shënuar Partizani në 29 ndeshje të këtij sezoni, por të kuqtë kanë pësuar po 33 gola dhe aktualisht janë me një golavarazh 0. Kryeqytetasit mbajnë vendin e katërt me 44 pikë.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL