Nga VAR-i te mbijetesa, analizohet sezoni nga ish-gjyqtari: Flamurtari të shpëtojë, milionat duhen justifikuar
Pajtim Aliko përgëzon Flamurtarin për fitoren me Egnatian, duke e cilësuar si një hap shumë të madh. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, ish-gjyqtari ndërkombëtar ka një apel për skuadrën: “shpëtoni” sezonin, justifikoni milionat!

Me Dinamon e cilëson një finale ku tri pikët nuk duhet të diskutohen. ”Flamurtari bëri një hap shumë të madh teksa fitoi në ndeshje me Egnatian. Ishte një trepikësh shumë i rëndësishëm që na ngjall shpresat për mbijetesën. Kjo skuadër e cila është e mirë paguar duhet të shpëtojë sezonin duke i shpërblyer presidenti Sinan Idrizi atë investim të madh që ka bërë por edhe tifozëve mbështetje e pakursyer. Ata djem duhet që të jenë luftëtarë të vërtetë në ndeshjen me Dinamon. Nëse vendosin shpirtin në fushë unë mendoj se do ta fitojnë dhe në fakt trepikëshin e kanë detyrim. Është finale dhe duhet të fitohet. Ne bëmë hapin shumë të madh këtë javë që kaloi dhe tashmë duhet ta vazhdojmë të hënën aty ku i lamë”, shprehet fillimisht Aliko.
LLOGARITË – Pajtim Aliko me “laps e letër”, bën llogaritë se si ia del Flamurtari. Ish gjyqtari uron që Dinamo të kualifikohet në Kupën e Shqipërisë me qëllim që të vijë në Vlorë jo shumë e karikuar. ”Ne na bën mirë që Dinamo të kualifikohet në Kupë e Shqipërisë që të mos na vijnë aq të karikuar në Vlorë. Nëse nuk kualifikohen ata do të luajnë për të qenë në katërshe ndaj do të jenë të përqendruar. Ndërsa në ndeshjen tjetër ne na intereson më mirë që të fitojë Teuta pasi kemi ndeshje direkt me ta. Ishte fat i keq i kësaj jave që Tirana, Vora dhe Bylisi morën pikë. Kjo na penalizoi pak. Edhe Vora dhe Tirana i kishin jashtë ndeshjet dhe do të donim të që mundeshin edhe ato”, thotë ish gjyqtari.
GJYKIMI – Në sfidën Egnatia-Flamurtari gjyqtari Laver Alla ka bërë dy gabime, njërin e ka rregulluar VAR-i dhe tjetrin i kuqi është falur, pasi nuk është kapur nga teknologjia. Ishte minuta 45+4 kur mbyllet pjesa e parë me avantazhin 1-0 të Flamurtarit. Gjyqtari Alla kthen edhe një herë lojtarët në fushë dhe më pas sheh një pamje në VAR për aksionin e fundit, ku Xhemajli ndërhyri ndaj Bintsukës. Kryesori, pas rishikimit të pamjeve, i tregon kartonin e kuq futbollistit të Egnatias. Gabim i gjyqtarit që mbyll pjesën e parë para kohe. Ish gjyqtari Aliko e cilëson si gabim amatoresk të Allës. “Për mua ishte një gabim elementar fare. Ai gjyqtar është me eksperiencë në Superligën shqiptare pasi u bënë shumë vite që është aty dhe nuk duhej t’a bënte. Përderisa po bisedon me VAR, je në lojë. Nuk duhet që ti binte birbilit. Ndërsa sa i përket lojtarit, ai kartonin e kuq mund ta merrte edhe në dhomat e zhveshjes”, sqaron Aliko.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













