Nga Sadiku te Sadiku, 8 vite pritje për një “bomber” në Elbasan. Sherifi: Krenar që njihem prej vëllait
Tetë vite pritje për një “bomber”. Kaq i është dashur Elbasanit për të evidentuar sulmuesin e radhës. Dhe rastësia bën që ai të vijë nga e njëjta familje. I fundit lojtar që ka lënë gjurmë te verdheblutë është pikërisht Armando Sadiku. Mirëpo, që kur ai la Shqipërinë (në sezonin 2010-2011 konkretisht) për të nisur rrugëtimin e tij të suksesshëm në kampionatet më prestigjioze në Europë, elbasanasit kanë vuajtur në fazën ofensive.

Kjo është një kohë e largët, por në të tashmen dhe të ardhmen në Elbasan kanë zbuluar një tjetër Sadik dhe bëhet fjalë për vëllain e lojtarit të Kombëtares, Sherifin. 20-vjeçari militon në radhët e verdhebluve dhe këtë javë ka shënuar golin e tij të parë në kampionat, me shpresën se nuk do të jetë i fundit.
SULMUESI
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Sherif Sadiku shprehet i lumtur për golin e shënuar dhe shpreson që të ecë në gjurmët e të vëllait, ndonëse nuk është një detyrë e lehtë. “Normalisht, e përjetova shumë atë gol ndaj Turbinës, më vjen mirë që u zhbllokova në kampionat dhe shpresoj të jetë vetëm fillimi. Më vjen mirë që herë pas here më njohin si vëllai i Armandos dhe e kam krenari këtë gjë, por shpresoj dhe kam besim se një ditë të eci në rrugën e tij. Personalisht, stërvitem çdo ditë për të arritur maksimumin tim, sepse ende nuk kam arritur asgjë”, u shpreh fillimisht 20-vjeçari elbasanas, i cili nuk rëndohet aspak që e njohin prej të vëllait.
MBIJETESA
Në lidhje me ecurinë e Elbasanit, ai shprehet se në fund verdheblutë do të mbijetojnë. “Kemi bërë një nisje jo të mirë të kampionatit, por mjaftuan disa ndeshje për të treguar forcën tonë reale. Meritojmë më shumë pikë nga sa kemi marrë, ku jemi një skuadër që prodhojmë futboll dhe fati nuk ka qenë me ne për të marrë pikët. Megjithatë, tani nis më e vështira për ne, pasi duhet të tregojmë që i kemi potencialet për të pasur një ecuri të mirë dhe t’u afrohemi sa më shumë skuadrave që qëndrojnë më lart sesa ne”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën sulmuesi elbasanas, njëkohësisht edhe vëllai i Armando Sadikut.
VLADIMIR MEMA













