Nga fortesë e pakalueshme, tani në “urë kalimi”! Tirana, mbrojtja që po shembet dita-ditës
Nëse në të kaluarën përmendja e emrit Tirana shoqërohej me organizim, ekuilibër dhe siguri në prapavijë, këtë sezon po ndodh e kundërta.

Pas 11 javëve të para të Kategorisë Superiore, bardheblutë kanë pësuar 19 gola, një shifër alarmante që nuk i përket një skuadre në letër me pretendime për titull. Në fakt, ky është bilanci më i dobët mbrojtës në 10 vitet e fundit, madje më keq edhe se në sezonin e errët 2015–2016, kur ekipi përfundoi i rrezikuar për rënie apo një vit më pas kur ra nga kategoria.
RRËNIMI – Në sezonet e kaluara, Tirana ka ditur të ndërtojë mbi stabilitetin mbrojtës. Kujtojmë vetëm sezonin 2022–2023, kur pas 11 javëve kishte pësuar vetëm 8 gola, apo edhe atë të 2020– 2021, me vetëm 7 gola të pranuar. Këto statistika dëshmonin një skuadër që dinte të vuante pak, të mbyllej mirë dhe të dilte me efikasitet përpara. Por sot, e njëjta fanellë që dikur simbolizonte siguri, po dorëzohet me lehtësi. 19 gola të pësuar në vetëm 11 javë janë një shuplakë e fortë për një ekip me pretendime dhe në fushë emra që kanë kaluar shumë në Superiore.
MBROJTJA QË S’MBROHET – Nga përbërja, Tirana nuk ka mungesë përvoje. Por ajo që i mungon është kohezioni, përqendrimi dhe organizimi. Lëvizjet e pasakta, mungesa e komunikimit dhe ndërrimet e shpeshta në katërshen e pasme kanë sjellë një prapavijë që shpesh duket e çoroditur. Në shumë ndeshje, gjuajtjet kundërshtare kthehen automatikisht në raste për gol, dhe portieri është lënë shpesh i vetëm përballë situatave të pashpjegueshme për një skuadër të nivelit të Tiranës. Në një kampionat ku çdo detaj bën diferencën, Tirana po humbet ndeshje jo për mungesë talenti, por për dobësi strukturore në fazën mbrojtëse.
STATISTIKAT – Krahasuar me një vit më parë, kur pas 11 javëve kishte pësuar 15 gola, këtë herë janë katër gola më shumë. Në pamje të parë, diferenca mund të duket e vogël, por për një ekip që synon kreun, është dramatike. Në fakt, nga 2015(17 gola) e deri sot, vetëm tri herë Tirana ka kaluar shifrën e 15 golave të pësuar në këtë fazë të sezonit 2023–2024 me 16 gola, 2024– 2025 me 15 gola dhe 2025– 2026, 19 gola. Ky progres negativ tregon një degradim të vazhdueshëm të sistemit mbrojtës nga viti në vit, një problem që nuk është trajtuar si duhet nga drejtuesit teknikë apo merkatoja.
NDËRHYRJA – Nëse trendi vazhdon me këtë ritëm, Tirana mund të përfundojë sezonin me mbi 50 gola të pësuar, diçka e paprecedent për një skuadër që pretendon trofe. Problemet nuk lidhen vetëm me emrat në mbrojtje, por me mungesën e frymës mbrojtëse kolektive. Mesfusha nuk ndihmon sa duhet, krahët janë të pambuluar, dhe qendra e mbrojtjes shpesh gabon apo kapet në kundërsulm pa mbështetje.
PËRGJEGJËSIA – Në “Selman Stërmasi”, sirenat e alarmit janë ndezur. Trajneri dhe drejtuesit duhet të reagojnë menjëherë. Nuk mjafton më me deklarata për “fat të keq” apo “mungesë përqendrimi”. Tirana po pëson gola në mënyrë të përsëritur, shpesh të ngjashme, dhe kjo tregon se problemi është sistematik, jo rastësor. Nëse nuk ndodh një kthesë e menjëhershme, bardheblutë rrezikojnë ta shohin në një luftë për dinjitet.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













