“Nëndetësja” mat forcën me Elbasanin, Ilir Daja do vazhdimësi në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2025 | 10:16

“Nëndetësja” mat forcën me Elbasanin, Ilir Daja do vazhdimësi në kampionat

Dinamo do të luajë të di elën takimin e javës së tretë të Superiores ndaj Elbasanit, por ndeshjen e dytë për këtë sezon, pasi ajo ndaj Teutës u shty dy herë. Pas fitores bindëse me rezultatin 3-1 ndaj Vllaznisë, në kampin dinamovit ka entuziazëm dhe atmosferë pozitive, sidomos pas paraqitjeve edhe në Kupat e Europës ku surprizuan duke eliminuar Hajdukun e Splitit.

DINAMO

Ndaj Elbasanit, “nëndetësja” do të synojë një tjetër rezultat pozitiv, teksa edhe fusha nuk përbën ndonjë problem pasi në “Elbasan Arena”, po luan edhe Dimamo si organizatore. Ndeshja ndaj Elbasanit, luhet të dielën në orën 19:00, ndeshje kjo që nis një maratonë të ngarkuar për të besuarit e Dajës pasi në një javë, Dinamo do të luajë 3 ndeshje.

PËRGATITJET- Pas ndeshjes ndaj Vllaznisë, stafi teknik e la skuadrën 3 dite pushim duke përfituar edhe nga pushimi i Kombëtares, ndërkohë që skuadra u rikthye në fushë duke zhvilluar një miqësore ndaj Kukësit, e më pas duke nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Elbasanit. Ashtu siç tashmë dihet, dinamovitët vijojnë përgatitjet në Arbanë nën drejtimin e Ilir Dajës, por ky i fundit sërish do të jetë në tribunë edhe ndaj Elbasanit duke qenë se është i dënuar që nga ndeshja ndaj Vllaznisë, në “Final 4” e sezonit të shkuar dhe në pankinë do të jetë Glen Daja.

KOMBËTARJA- Ndeshjet e Kombëtares, bënë qe Dinamos t’i shtyhej për herë të dytë radhazi ndeshja ndaj Teutës. Sakaq, Kombëtarja ka ndikuar jo pak te Dinamo, ku veç anës pozitive për të rikuperuar të dëmtuarit e për të pushuar pak pas një vere të gjatë, kishte edhe anën tjetër të medaljes. Skuadra e Dajës u stërvit prej shumë ditësh pa prezencën e Naser Alijit dhe Hekuran Berishës të cilët ishin të grumbulluar përkatësisht me Shqipërinë dhe Kosovën U21. Dy lojtarët, kanë qenë mungesa të rëndësishme në stërvitje, së bashku me trajnerin e portierëve Ilir Bozhiqi, megjithatë fatmirësisht asnjëri lojtar nuk erdhi i dëmtuar nga Kombëtarja.

DËMTIMET- Ndeshja ndaj Elbasanit, nuk e gjen Dinamon në momentin më të mire pas në ditët e fundit janë stërvitur individualisht Ledio Beqja dhe Saliu Guindo. Dy futbollistët kanë ndjerë shqetësime në stërvitjet me skuadrën, çka e kanë detyruar trajnerin Daja që të zhvillojë përgatitjet me mungesën e të dyve. Alternativat në sulm, Dinamos nuk i mungojnë teksa Beqja mund të japë më tepër siklet pasi është provuar nga Daja edhe si qendërmbrojtës.

RIKTHIMET- Lajme të mirë nga infermieria për Dinamon, pasi me grupin është rikthyer më në fund Bruno Dita. Kapiteni ka vuajtur një dëmtim relativisht të gjatë, ku pas rikthimit në Europë, u detyrua të qëndronte sërish në tribunë ndaj Elbasanit megjithatë, duket se situata ka ndryshuar dhe Dita pritet të jetë i gatshëm. Gjithashtu, me grupin është stërvitur edhe Klevi Qefalija që në ditët e fundit ka pasur disa shqetësime, ku veç një kontraktimi në ndeshjen ndaj Jagellonias, ai pësoi edhe një tërheqje në stërvitje megjithatë, gjendja e tij duket e mirë dhe pritet të jetë i gatshëm për Elbasanin. Një tjetër alternativë në mbrojtje është ajo e Andre Teikseiras, i afruar në merkato vetëm pak ditë më parë por që ende nuk ka arritur 100% të gjendjes fizikë, megjithatë mund të marrë minuta ndaj Elbasanit pasi edhe në miqësore ndaj Kukësit, u provua në 45 minutat e para.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL