Ndryshime në mbrojtje ndaj Elbasanit, dilema për mesfushën e Partizanit
Partizani luan këtë të hënë në transfertë ndaj Elbasanit, teksa të kuqtë do të kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes ndaj Vllaznisë, por gjithashtu do të kërkojnë edhe tre pikët e para për këtë fazë të katërt, pasi në tre ndeshje kryeqytetasit kanë regjistruar dy barazime dhe një humbje.

Sa i takon formacionit, Partizani do të vuajë në këtë takim mungesën e David Atanaskoskit në krahun e majtë të mbrojtjes. Ky i fundit u ndëshkua me karton të verdhë, duke plotësuar numrin e tyre, dhe do ta ndjekë ekipin vetëm në rolin e tifozit, ndërsa në fushë pritet të zëvendësohet nga Paulo Buxhelaj. Ndërkohë, do të ndryshojë edhe krahu tjetër i mbrojtjes, ai i djathti, pasi Martinez iu nënshtrua operacionit në shpatull e në vendin e tij do të aktivizohet Marjus Kola, që gjithashtu ka qenë shpeshherë titullar në këtë sezon.
Sakaq, qendra do të përbëhet nga emrat e zakonshëm Sembene e Bytyçi. Sa i takon mesfushës, alternativat janë më të shumta dhe nëse Hjuman e Ismaili duken si më të sigurt në formacion, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Dumbia, Qaka e Murataj në garë për një vend. Më i avantazhuar duket Dumbia, por nuk përjashtohet edhe aktivizimi i Qakës nga minuta e parë.
Për të kaluar më pas te sulmi, ku edhe këtu dy pozicione dhe dy emra nuk kanë shumë dilema. Isgandarli në të majtë dhe Sidibe në të djathtë janë të vetmet garanci për formacionin titullar. Qendra e sulmit ka sërish dilema në lidhje me aktivizimin e Skukës, që nuk ka qenë në më të mirën e tij, ndërsa nëse Skuka nuk është gati, atëherë Kontreras e Toma janë në dispozicion, pa harruar Kekon e rikthyer, por që nuk i ka 90 minutat në këmbë, pasi sapo është kthyer nga dëmtimi i rëndë. Kujtojmë se në këtë ndeshje trajneri Kërnaja do ta ndjekë skuadrën nga tribuna, pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Vllazninë.

PANORAMASPORT.AL













