Ndeshje delikate për Egnatian, Tetova “ngre gardhin” ndaj Tiranës
Egnatia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes të së dielës ndaj Tiranës, një përballje që vjen në një moment delikat të sezonit.

Kampionët në fuqi synojnë të reagojnë pas disa ndalesave radhazi dhe të ruajnë pozitat në krye të renditjes. Përballë do të kenë një kundërshtar që, ndonëse mban vendin e fundit, po kalon periudhën më të mirë të tij në këtë kampionat. Bardheblutë kanë rritur ndjeshëm nivelin e lojës, duke marrë rezultate pozitive dhe duke treguar karakter në ndeshjet e fundit. Kjo i ka shtuar kujdesin maksimal kampit rrogozhinas, ku askush nuk dëshiron të përsëritë gabimet e së kaluarës.
Për këtë arsye, Edlir Tetova ka kërkuar përqendrim të plotë nga minuta e parë deri në fund, pa hapësira për shpërqendrim. Në stërvitjet e fundit është vënë re insistimi te organizimi taktik dhe intensiteti, me fokus të veçantë në fazën mbrojtëse dhe tranzicionet. Objektivi është i qartë: kontroll i lojës dhe goditje në momentin e duhur, për të mos lejuar Tiranën të marrë besim.
NDESHJET NË SHTËPI – Egnatia hyn në këtë javë duke ndarë kryesimin me Vllazninë, por me një shije të hidhur për mënyrën se si ka humbur avantazhin e krijuar më herët. Rrogozhinasit kanë qenë për javë të tëra të vetëm në krye, por disa barazime dhe humbje të papritura kanë rihapur plotësisht garën. Pikërisht këto ndalesa kanë sjellë afrimin e rivalëve direkt. Problem kryesor për kampionët kanë qenë ndeshjet në shtëpi, aty ku pritej të ndërtohej diferenca.
Statistikat flasin qartë: Egnatia ka grumbulluar vetëm 19 pikë në shtëpi, një shifër më e ulët krahasuar me rivalët e drejtpërdrejtë. Elbasani ka arritur në 22 pikë, ndërsa Vllaznia kryeson bindshëm me 28 pikë në takimet në fushën e vet. Ky bilanc ka ngritur sinjale alarmi në kampin rrogozhinas, pasi çdo hap fals në shtëpi rrezikon seriozisht objektivin final. Drejtuesit dhe stafi teknik e shohin këtë si një detaj që duhet korrigjuar urgjentisht. Përballja me Tiranën shihet si një mundësi ideale për të rikthyer autoritetin dhe për të dërguar një mesazh të fortë rivalëve.
RIKTHEHET XHEMAJLI – Në sfidën e fundit ndaj Bylisit, Edlir Tetova u detyrua të improvizojë në repartin e mbrojtjes për shkak të mungesave të shumta. Largimi i beftë i Ndrecës në krahun e majtë dhe mungesa e Sotës, i cili është shumë pranë largimit nga skuadra, e vështirësuan ndjeshëm situatën. Si të mos mjaftonte kjo, tekniku nuk kishte në dispozicion as Arbenit Xhemajlin, një nga pikat kyçe të prapavijës.
Qendërmbrojtësi mungoi për shkak të kartonëve, duke kryer një javë pezullim, por tashmë do të jetë sërish gati për sfidën e së dielës. Rikthimi i tij konsiderohet shumë i rëndësishëm, pasi sjell eksperiencë dhe qetësi në një repart që ka vuajtur luhatje. 27- vjeçari pritet të formojë dyshen e qendrës me Poçin, teksa me këtë rikthim, mbrojtja nuk do të jetë më e ekspozuar dhe Tetova shpreson të ndërtojë nga prapavija një fitore që mund të rezultojë vendimtare në vazhdimësinë e sezonit.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













