Ndeshja vendimtare, Egnatia kërkon të shmangë serinë negative
Egnatia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Bylisin ditën e nesërme në shtëpi. Një përballje që në kampin e kampionëve është vlerësuar maksimalisht, për më tepër që shihet si ndeshja ku skuadra duhet të reagojë dhe të bëjë kthesën në rezultate.

Gjendja paraqitet e mirë dhe humbja me Elbasanin është lënë pas, për më tepër që ka kaluar shumë kohë edhe për shkak të pushimit. Siç dihet, Tetovës do t’i rikthehet në skuadër Abdurraman Fangaj dhe do t’i mungojë Guliem Haime për arsye të kartonëve. Skuadra ka punuar intensivisht në aspektin taktik gjatë javës për të shmangur përsëritjen e gabimeve të fundit.
REAGIMI – Egnatia hyn në ndeshjen me Bylisin në një moment të ndjeshëm, ku sezoni ka hyrë në një fazë që nuk lejon më hapa të gabuar. Skuadra e Tetovës vjen pas dy ndeshjeve rradazi pa fitore, kufiri maksimal ku ka arritur deri më tani dhe përballet me një sfidë që ka një peshë të veçantë. Këtë sezon, Egnatia nuk ka bërë asnjëherë tre ndeshje rresht pa marrë pikët e plota. Deri më tani, Egnatia ka treguar se ka ditur të shmangë periudhat e gjata të rënies, duke gjetur gjithmonë fitoren kur rrezikonte të humbiste ritmin.
Në dy raste të këtij fillim kampionati që ka pasur dy ndeshje pa fitore, në të tretën ka reaguar. Pikërisht kjo i jep përballjes me Bylisin një simbolikë të fortë: ose vazhdon tradita e reagimit, ose skuadra bie për herë të parë në një seri negative të rrezikshme. Pikërisht për këtë arsye, brenda grupit është krijuar ideja se kjo ndeshje ka vlerën e një prove karakteri.
PRESIONI – Tetova është i vetëdijshëm se tre ndeshje pa fitore nuk do të ishte thjesht statistikë, do të ishte sinjal alarmi për moralin, renditjen dhe besimin e brendshëm të skuadrës. Në njëfarë mënyre, kjo ndeshje e vë skuadrën nën presionin e pikëve, sepse nga rrogozhinasit kërkohet kthesa me çdo kusht dhe nuk ka më asnjë alibi nëse nuk ndodh. Prandaj, për teknikun rrogozhinas kjo ndeshje nuk është e zakonshme: është një ndeshje ku vendos karakteri.
Përballë Bylisit, skuadra shikon mundësinë për të ndërprerë menjëherë sinjalet e dobësisë dhe për t’u rikthyer te freskia e lojës së saj. Nëse rikthehen tri pikët, Egnatia ruan qetësinë, ringjall garën dhe qartëson objektivat. Nëse jo, tabloja rrezikon të ndryshojë krejtësisht. Një tjetër ndalesë, për herë të parë e treta radhazi, do të hapte një kapitull që skuadra ka punuar gjatë për ta shmangur. Në këtë kuadër, edhe detajet e menaxhimit emocional gjatë ndeshjes pritet të jenë vendimtare.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













