Moviola e Vora-Vllaznia/ 5 raste të diskutueshme, por “zot” është… VAR-i (VIDEO)
Pesë episode të diskutueshme shënjuan përballjen Vora-Vllaznia, ku tre raste për penallti dhe dy gola të anuluar kërkuan vëmendjen maksimale si nga sistemi VAR, ashtu edhe nga gjyqtari kryesor Erjon Bastari.

Megjithatë, në asnjë moment kryesori nuk iu drejtua monitorit anësor të fushës, duke iu besuar plotësisht komunikimit me dhomën VAR. Episodi më i paqartë mbetet ai i minutës së 15-të, ku një vendim për penallti mbeti në hije për shkak të dyshimeve për pozicion jashtë loje.
Minuta 15: Krosim i saktë nga Zuna drejt Bardhit, i cili godet dhe topi prek dorën e mbrojtësit shkodran Ardit Krymi. Megjithatë, në momentin e aksionit sulmuesi i Vorës dyshohet se ndodhej në pozicion jashtë loje. Vora pretendon për penallti, por Bastari nuk akordon as goditje këndi, ndonëse më parë ishte sinjalizuar nga anësori. Pamjet filmike nuk japin qartësi të plotë për pozicionin e Bardhit dhe mungesa e vijës së VAR-it e bën këtë vendim të diskutueshëm. (VIDEO)
Minuta 33: Kasalla godet fuqishëm në hyrje të zonës, por topi ndalet nga Elmando Gjini, i cili i kishte duart ngjitur me trupin. Si gjyqtari ashtu edhe VAR-i e konsiderojnë rastin të rregullt. Edhe pamjet televizive konfirmojnë se nuk ka element për penallti. (VIDEO)
Minuta 35: Kasalla depërton në zonë dhe godet, ndërsa portieri Pohls ndërhyn me grushtim, duke devijuar topin te Luis Felipe, i cili shënon. Goli anulohet për pozicion jashtë loje të sulmuesit, vendim që rezulton i drejtë, pasi ai ishte më i avancuar se linja mbrojtëse. (VIDEO)
Minuta 35: Vllaznia pretendon për penallti pas një rënieje të Dodajt në zonë në kontakt me Zunën. Pamjet tregojnë se sulmuesi rrëzohet përpara kontaktit, ndaj vendimi për të vijuar lojën është i drejtë.
Minuta 75: Vllaznia shënon me Çelikoviç, por goli anulohet menjëherë pasi lojtari e kontrollon topin me dorë para finalizimit. Pamjet e konfirmojnë prekjen dhe vendimi i gjyqtarit është korrekt. (VIDEO) + (VIDEO)
PANORAMASPORT.AL













