Moviola e Superiores/ Më shumë gabime te Tirana-Skënderbeu. Falen penallti dhe kartonë të kuq, gabon edhe VAR-i

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2025 | 22:19

Moviola e Superiores/ Më shumë gabime te Tirana-Skënderbeu. Falen penallti dhe kartonë të kuq, gabon edhe VAR-i

Java e 24-t pati më shumë episode të dis kutueshme sa i takon gjykimit, vendime të gabuara dhe kontestime. Ndeshjet më të pasura për moviolë janë Tirana-Skënderbeu, Dinamo-Vllaznia dhe Bylis-Elbasani.

Bajramaj duke ndëshkuar me karton të kuq Bajramin te Dinamo-Vllaznia FOTO: F. HAZISLLARI

TIRANA-SKËNDERBEU 1-0

Gjyqtarë: K.Prenga (Laç), D.Korreshi (Lushnjë), E.Gjoka (Lezhë); VAR: D.Maletaj; AVAR: A.Doda (Tiranë)

Ndeshja mes Tiranës dhe Skënderbeut pati 4 katër raste të diskutueshme dhe gjyqtarët kanë gabuar në tri raste. Kryesori dhe VAR-i nuk akorduan dy penallti, njërën për secilën skuadër, si dhe një karton të kuq për një lojtar të Skënderbeut. Gjykonte kryesori Klodian Prenga dhe në VAR ishte Dorian Maletaj.

32′ Prengaj futet në zonë, ku pengohet nga Sabo. Tirana kërkon penallti. Kryesori vijon lojën dhe nuk ndërhyn as VAR-i. Gjyqtarët gabojnë në “bllok”, pasi pamjet filmike tregojnë se ka një pengim nga lojtari i Skënderbeut ndaj sulmuesit bardheblu.

70′ Skënderbeu pretendon për penallti. Kryesori e konsideron të rregullt ndërhyrjen e Dembelesë ndaj Nikajt. Edhe këtu duket se ka një gabim të gjyqtarit dhe VAR-it. Dembele ndërhyn te këmba e lojtarit të korçarëve dhe pastaj largon dhe topin. Duhej dhënë 11-metërsh.

82-85′ Vogli fiton një penallti, pasi shkelet nga Sabo. VAR-i kontrollin rastin për shkeljen dhe pozicionin e mundshëm jashtë loje. Pamjet filmike tregojnë se Sabo shkel Voglin dhe penalltia qëndron. Pozicion jashtë loje nuk ka, pasi topin e merr nga Sabo.

DINAMO-VLLAZNIA 0-0

Gjyqtarë: K.Bajramaj (Tiranë), E.Burgu, M.Llukmani (Fushë Krujë); VAR: E.Jorgji, AVAR: E.Rusta (Elbasan)

Ka pasur shumë kontestime kjo përballje, sidomos për dy nga tre kartonët e kuq. Në fund ka pasur edhe një pretendim për penallti nga dinamovitët. Kryesori Bajrami gabon tek i kuqi i Jagos, ku e korrigjon VAR-i.

22′ Karamba shkakton një faull ndaj Balajt në mesin e fushës. Arbitri i jep të verdhën, çka përkthehet me karton të kuq, pasi dy minuta më parë ishte ndëshkuar. Vendim i drejtë i kryesorit në këtë rast, ndërsa blutë kontestojnë fort të verdhën e parë për një dyluftim trup më trup.

48′ Zabërgja fiton duelin me Bajramin dhe avancon drejt zonës. Ndërhyn si lojtar i fundit mbrojtësi i Vllaznisë dhe kryesori i jep direkt të kuq. Vendim i drejtë edhe në këtë rast.

58-60′ Jago ndërhyn me taka nga prapa ndaj Maliqit, fillimisht kryesori nuk akordon karton. Më pas thirret nga VAR-i dhe pasi sheh pamjet, jep të kuq. Kryesori korrigjohet nga teknologjia.

95′ Dinamo pretendon për penallti, pas goditjes së Zabërgjës dhe devijimit të Repajt. Kryesori vazhdon lojën dhe më pas pret një konfirmim nga VAR-i. Pamjet nuk janë shumë të qarta, ndërsa gjyqtari më pas vijon me lojën. Moment i dyshimtë.

EGNATIA-PARTIZANI 2-0

Gjyqtarë: K.Cjapi, O.Grabova, N.Rrapaj (Fier); VAR: O.Ferataj (Patos), AVAR: E.Bylykbashi (Elbasan)

Ndeshja mes Egnatias dhe Partizanit, e luajtur në Rrogozhinë dhe e mbyllur me fitoren 2-0 të vendësve, u gjykua nga Kreshnik Cjapi i kolegjiumit të Fierit. Duhet thënë se arbitri nuk u bë protagonist në këtë ndeshje, pasi mori vendime të sakta, i asistuar edhe nga Ferataj në VAR në momentin e golit të anuluar.

54′ Egnatia shënon me Uotlai pas një aksioni të gjatë të Ujkës dhe Lushkjes. Në fund Buxhelaj, nën presionin e Bakajokos, jep topin për Uotlain, që gjuan fluturimthi dhe tund rrjetën në mënyrë mjaft spektakolare. Pas një rishikimi prej afro 4 minutash, VARi anulon rrjetën për pozicion jashtë loje të Bakajokos. Pamjet u japin të drejtë Feratajt dhe Bylykbashit në VAR.

81′ Jahaja kthen me thembër një top në zonë dhe Domgjoni e prek me dorë. Pretendime për penallti nga rrogozhinasit, por Cjapi vijon lojën. Prekja me dorë është e qartë, por distanca e vogël dhe fakti që topi niset për të dalë nga zona, shtyn Cjapin të vijojë lojën.

BYLIS-ELBASANI 1-1

Gjyqtarë: A.Koçi, F.Lama (Durrës), R.Zajimi (Tiranë); VAR: K.Shahini, AVAR: F.Lata (Durrës)

Ndeshja e gjykuar nga durrsaku Andi Koçi pati tri momente, ku u pretendua për penallti, dy herë nga elbasanasit dhe një herë nga ballshiotët.

59’ Ka pretendime për penallti tek Elbasani, kryesori vijon lojën. Miqtë reklamojnë një prekje të topit me dorë nga Përgjoni pas krosit në zonë, por duket se dora e mesfushorit është ngjitur me trupin. I drejtë vendimi i arbitrit.

74’ Ka irritim te ballshiotët në fushë dhe në tribuna. A.Kasa ndërhyn në zonë nga prapa ndaj Përgjonit dhe më pas Lulaj pengon Malomon, i cili ka topin në zotërim. Vendësit kërkojnë penallti, por kryesori vazhdon lojën dhe as VAR-i nuk ndërhyn. Moment shumë i dyshimtë.

87’ Olberkis kërkon penallti, kryesori Koçi vijon lojën. Ndërhyrja është jashtë zone dhe pamjet u japin të drejtë gjyqtarëve.

LAÇI-TEUTA 3-0

Gjyqtarë: E.Rusta (Elbasan) I.Tartaraj (Fier), R.Avdo (Tiranë); VAR: J.Xhaja (Tiranë), AVAR: I.Myrtja (Shkodër)

Ndeshja mes Laçit dhe Teutës, e gjykuar nga Emanuela Rusta, ishte e vetmja këtë javë që nuk pati asnjë rast për moviolë dhe asnjë pretendim nga dy skuadrat. Gjithçka ishte korrekte në fushë.

PANORAMASPORT.AL