Moment i artë për Partizanin, Murataj: Luftë në 2 fronte, konkurrenca e rrit nivelin
Valentino Murataj u rikthye në merkaton e janarit te Partizani, pas aventurës me Flamurtarin. Mesfushori, e njeh mjaft mirë ambientin e të kuqve duke qenë se është një futbollist i prodhuar nga akademia e “Demave” si dhe ka fituar një titull kampion si protagonist me kryeqytetasit.

Në këtë formë, përshtatja e tij me skuadrën ka qenë e lehtë ndërsa sa herë është thërritur në apel në këto ndeshjet e fundit nga trajneri Oltijon Kërnaja, ka qenë në lartësinë e detyrës. Në takimin e fundit ndaj Egnatias të cilën e nisi si titullar (e dyta si titullar pas sfidës me Flamurtarin), 29-vjeçari gjeti edhe rrugën e rrjetës duke kontribuar direkt në fitoren 2-0 të tijve ndaj rrogozhinasve, ndërsa u shpall edhe si “Njeriu i Ndeshjes”.
Pas sfidës me Egnatian, në një prononcim për “Panorama sport”, Murataj theksoi se sa i takon konkurrencës në skuadrën e Partizanit, ajo i bën mirë si atij personalisht ashtu edhe grupit të futbollistëve pasi është pikërisht konkurrenca që të shtyn të ecësh përpara. Ndër të tjera, Murataj u shpreh se në këtë moment, skuadra ndjehet shumë mirë si në aspektin psikologjik po ashtu edhe në atë fizik. Ndërkohë, mesfushori shprehet se ai dhe shokët e skuadrës do të mundohen që të përmbushin të dyja objektivat e sezonit që janë pjesëmarrja në “Final Four” dhe trofeu i Kupës së Shqipërisë.
Riktheheni te Partizani dhe dukeni sikur nuk jeni larguar kurrë nga skuadra, tashmë gjetët edhe rrugën e rrjetës, si ndjeheni për këtë?
Ndjehem shumë mirë edhe për golin, por më shumë për fitoren sepse kishim një vazhdimësi prej tre fitoresh radhazi dhe duhej të vazhdonim në këtë rrugë, dhe në fund ia arritëm edhe përballë një kundërshtari të vështirë siç është Egnatia.
Konkurrenca te Partizani dhe sidomos në rolin tuaj është e lartë, si e shikoni këtë aspekt?
Në futboll po nuk pati konkurrencë nuk mund të ecësh përpara, pasi nuk e rrit dot nivelin tënd. Çdo lojtari i bën mirë konkurrenca, po ashtu edhe mua. Ne kemi lojtarë shumë të mirë, jo vetëm ata që munguan sot si Qaka apo Ismaili, por edhe ata që ishin në stol si dhe ata që janë të dëmtuar si Preka, Janjeva, apo edhe të tjerë që janë lojtarë shumë të mirë dhe që do të na ndihmojnë gjatë rrugës.
Pas kësaj ndeshje me Egnatian, dy sfidat e radhës vijnë shumë shpejt. E para në mesjavë me Elbasanin për Kupë dhe më pas me Dinamon në kampionat, është gati skuadra nga aspekti fizik?
Normal, jemi në një gjendje shumë të mirë si psikologjike ashtu edhe fizike. Duhet të mbajmë këtë vazhdimësi pasi Elbasani është një kundërshtar shumë i fortë. Mendoj që me entuziazmin, me dëshirën por edhe me punë, duhet të punojmë edhe më shumë mendoj që do t’ia dalim me sukses që ta kalojmë këtë tur pasi Kupa është shumë e rëndësishme për skuadrën tonë.
Kupa vijon të mbetet objektivi parësor për Partizanin apo tashmë që “Final Four” është më afër, vëmendja ka ndryshuar sërish?
Jo, për mua është i njëjti objektiv, si “Final Four” ashtu edhe Kupa. Do të luftojmë në të dyja frontet, shpresojmë që t’i arrijmë t’i realizojmë të dyja pasi skuadra e ka kapacitetin e duhur dhe të shohim përpara ndeshjes pas ndeshje.
PANORAMASPORT.AL













