Mesfusha e Partizanit bëhet problem serioz, “demat” spastrojnë sërish organikën e lojtarëve
Herolind Shala është largimi i radhës nga Partizani. Klubi i kuq ka njoftuar ndarjen e rrugëve me mesfushorin.
33-vjeçari ishte prezantim i pazakontë i sezonit të kaluar, pasi erdhi në mesin e muajit prill. Fanellën e Partizanit pati mundësi ta mbante veshur vetëm në dy ndeshje. Ishte “rrufe” në qiell të hapur pasi vendimi dhe zyrtarizimi erdhën brenda ditës.
Jo vetëm kaq, “Panorama Sport” mëson se Agim Zeka po ashtu projektohet larg Partizanit. Sulmuesi 26- vjeçar është jashtë llogarive të Skënder Gegës dhe me shumë gjasa palët do të ndajnë rrugët. Zeka u afrua një vit më parë si përforcim për krahun e djathtë të sulmit. Arritja më e madhe ishte fitimi i ftesës së Kombëtares në shtatorin e kaluar.
SHALA- “Panorama Sport” mëson se ka qenë një vendim i ditës së djeshme. Shkak është bërë dëmtimi, që e penalizonte Shalën të kontribuonte në Europë. Palët kanë parë të udhës për të ndarë rrugët. Mesfushori u dëmtua pikërisht në fillimin e fazës përgatitore të Ohrit. Për këtë edhe u kthye në Tiranë.
NJOFTIMI- “Partizani zyrtarizon përfundimin e bashkëpunimit me Herolind Shalën. Mesfushori dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me konsensus kontratën mes tyre. Partizani dëshiron të falënderojë Herolind Shalën, që ishte pjesë e familjes së kuqe duke i uruar njëkohësisht suksese në karrierë”.
ZEKA– Reparti i sulmit është i mbipopulluar te Partizani. Të kuqtë kanë disa alternativa dhe largimi i Zekës nuk do të rëndonte. Zeka është aktivizuar në 37 ndeshje gjithsej me Partizanin. Gjatë kësaj kohe ka shënuar dy gola dhe ka asistuar katër të tjerë. Ftesa nga Silvinjo ishte arritja më e madhe, dhe pse përfundoi në tribunë për dy ndeshjet në të cilat ishte i disponueshëm. ASNJË- Partizani nuk ka afruar asnjë mesfushor deri tani në merkaton e verës. Bëhet fjalë për katër zyrtarizime, që kanë shtuar forcat në sulm dhe mbrojtje. Reparti që mbetet pa alternativa është mesfusha. Sembene vijon të provohet aty si në sezonin e kaluar.
LARGIMET- Janë dhjetë largime zyrtare deri tani, ndërsa tre prej tyre ishin mesfushorë. Mintongo, Taipi dhe Shala kanë shtuar boshllëkun në mesfushë. Në anën tjetër janë larguar edhe Domgjoni, Zuna, Osmanllari, Eleke, Padstrelau, Vujnoviç dhe Piloto. Me katër prej lojtarëve nevojitej ndërprerja e kontratës. Piloto, Vujnoviç, Padstrelau dhe Shala që pranuan të ndajnë rrugët me konsensus.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













