Mbrojtësi i Vorës, Shehi: Teuta “kockë e fortë”, por e thyejmë këtë herë
Vora zbret për të tretën herën në fushën e saj dhe përballë do të jetë një tjetër skuadër me emër siç është Teuta e Durrësit.

Pasi i ka marrë vetëm një pikë durrsakëve në dy fazat e para, ata kërkojnë tashmë të marrin maksimumin dhe trepikëshin, që do t’ia përforconte pozitat edhe më shumë në tabelë, duke ditur që faza e katërt, do të jetë më e ashpër dhe se pikët janë si me pikatore. Sërish përballja e vorakëve ndaj bregdetarëve, do të jetë pa timonierin e skuadrës.
DAJAN SHEHI – Lidhur me këtë përballje, 27-vjeçari nga Elbasani, Dajan Shehi që është aktivizuar në 18 ndeshje të Vorës, por që në sezonet e viteve 2016-19 ka qenë edhe pjesë e durrsakëve duke luajtur që tek moshat U-19 dhe nisi karrierën si futbollist me të rriturit, ruan ende kujtime të asaj kohe dhe gëzon respekt të padiskutueshëm për këtë skuadër. Gjatë prononcimit të tij, Shehi e shikon me pozitivitet përballjen e tretë me Teutën. Ai shprehet se këtë herë do të jetë Vora fituese dhe se stadiumi po u sjell fat e mbarësi këtë vit.
“Teuta një “kockë” e fortë për ne, por këtë herë do të jemi ne fituesit. Është një sfidë delikate, një skuadër që po merr vlerësim maksimal nga ana jonë. Kundërshtari është cilësor duke na mundur dy herë një në kampionat dhe një në kupë. Ato kanë synime ashtu si dhe ne, gjë që kërkon nga skuadra jonë të mundohemi maksimalisht që të realizojmë objektivin e vetëm që kemi ndaj tyre, fitoren e së dielës. Në seancat stërvitore po punohet duke qenë të përqendruar vetëm në këtë takim, ku nga të gjithë po kërkohet për të dhënë maksimumin në fushë, në mënyrë që të marrim dhe fitoren e parë historike ndaj tyre. Ky trepikësh për ne është do të na çlironte edhe më shumë për t’i dhënë besim kësaj skuadre për vazhdimësinë në Superiore. Ne kemi nevojë edhe për këtë trepikësh dhe çdo ndeshje të radhës e konsiderojmë si finale, ndaj na duhen sa më shumë të tilla, pasi objektivi ynë është që të jemi thjeshtë vizitorë, por të mbijetojmë e këtë të mundemi ta sigurojmë sa më shpejt matematikisht. Të gjithë tek kjo skuadër kanë besimin e plotë se do t’ia dalim. Veçse nuk na mbetet gjë tjetër të vijojmë punën të përqendruar deri në ditën e ndeshjes”, shprehet qendërmbrojtësi Vorës, Dajan Shehi.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













