MBIJETESA NË SUPERIORE/ Dy përballje direkte dhe sfida me kryesuesit në javët e fundit, mësoni kalendarin e 4 skuadrave që luftojnë për qëndrimin në elitë
Abissnet Superiore ka hyrë në fazën më të nxehtë, atë ku përcaktohen verdiktet dhe një nga garat më të ndezura tashmë është ajo për mbijetesën në elitë, e cila sheh të përfshira katër skuadrat e fundit. Në bazë të rregullores, dy ekipet e fundit bien në Kategorinë e Parë, ndërsa i treti nga fundi shkon në play-out me një ekip të kategorisë më poshtë.

Në situatën aktuale, katër skuadrat në garë janë Bylisi e Vora që kanë nga 30 pikë, Tirana me 28 dhe Flamurtari me 25. Në 6 javët e mbetura, do të ketë dy përballje direkte për t’u luajtur, atë Flamurtari-Vora të javës së 31-të si dhe atë Vora-Bylis të javës së 36-të. Në këto ndeshje, fitoret praktikisht kanë vlerë të dyfishtë pasi ndalen dhe rivalët direkt për mbijetesën e mund të jenë vendimtare.
E vetmja skuadër në katërshe pa përballje me ekipet e fundit është Tirana, e cila i kreu ndeshjet e saj në 3 javët e para të fazës së katërt e tashmë do të duhet të kërkojë pikët për mbijetesën me ekipet që ka më lart në tabelën e klasifikimit e që kanë synime për titullin.
Vlen të theksohet se në sezonin e kaluar ranë nga kategoria Skënderbeu me 38 pikë dhe Laçi me 37 pikë, ndërsa Tirana shkoi në play-out me 39 pikë.

*Me germa kapitale ndeshjen që skuadrat luajnë në fushën e tyre
PANORAMASPORT.AL













