Mbijetesa është synimi, Harizaj para sfidës me Flamurtarin: Në Vlorë fitojmë ne
Pas suksesit të arritur kundër Teutës, Vora ka dhënë një ditë pushim për lojtarët dhe ka nisur pasdite seancat stërvitore, me synim përgatitjen për një tjetër sfidë vendimtare në luftën e saj për mbijetesë. Këtë të shtunë, ekipi do të udhëtojë drejt Vlorës për të përballuar Flamurtarin në ndeshjen e transfertës, një takim që pritet të jetë i vështirë, por jo i pamundur.

Situata në grup tashmë është më e fortë, si moralisht, ashtu edhe psikologjikisht, dhe lojtarët synojnë të përsërisin rezultatet pozitive. Qëllimi kryesor i vorakëve është të sigurojnë mbijetesën në Kategorinë e Parë pa kaluar në fazën e “play out”- it.
Përgjegjësia tek çdo futbollist ka marrë një dimension tjetër, sepse të gjithë janë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre ndeshjeve të mbetura deri në fund të kampionatit dhe për ndikimin që ato kanë në fatin e skuadrës. Ndeshja me Teutën tregoi qartë se Vora e ka të qartë misionin e saj për të mbijetuar dhe se ekipi është i bindur për realizimin e tij, duke synuar të vazhdojë rrugëtimin elitar edhe në sezonin e ardhshëm.
Përveç suksesit kolektiv, në këtë sfidë spikati edhe performanca individuale e futbollistëve, duke përforcuar moralin dhe vetëbesimin e skuadrës. Një nga futbollistët që shkëlqeu në ndeshjen kundër Teutës ishte portieri Romeo Harizaj, i cili u shpall lojtari i ndeshjes për kontributin e tij vendimtar në atë fitore të mrekullueshme ndaj durrsakëve. Harizaj komentoi pas ndeshjes:
“Më gëzon më shumë fakti që ne arritëm të siguronim fitoren se sa marrja e trofeut. Kjo ishte një fitore që na bën më të qetë për ndeshjet e mbetura dhe që na forcon besimin se Vora do të mbijetojë dhe do ia dalë me sukses. Në Vlorë na pret një ndeshje e vështirë, por jo e pamundur për ne, sidomos kur përballemi me një rival direkt. Do mundohemi të japim maksimumin për të dalë me rezultat pozitiv dhe për të vazhduar rrugëtimin tonë drejt sigurimit të mbijetesës”, tha ai.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













