Marku i bindur: Marrim fitore, Bylisi për mesin e tabelës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2025 | 12:11

Marku i bindur: Marrim fitore, Bylisi për mesin e tabelës

Bylisi ka mbyllur dje pasdite përgatitjet anti-Dinamo dhe sot në orën 13:30 zbret në fushë për t’u ndeshur me Dinamon. Blutë kanë si synim që të rikthehen te fitorja pas dy disfatave radhazi ndaj Flamurtarit në Vlorë dhe Egnatias në Rrogozhinë.aurel markuNë Ballsh, trajneri Josa ka punuar shumë në aspektin psikologjik me skuadrën dhe lojtarët, sidomos pas disfatës së fundit, ndërsa brenda grupit kanë besim se mund të rikthehen te 3-pikët në duelin e sot ndaj bluve. Ballshiotët aktualisht janë të pozicionuar në zonën e rrezikut, por që nuk ka kaluar as gjysma e garës dhe të gjithë në “Adush Muçaj”, kanë besim dhe janë optimistë përpara duelit të sotëm.

Në prag të ndeshjes ndaj bluve ka folur për Bylisin kapiteni Aurel Marku, një nga lojtarët e spikatur në javët e fundit. “Luajmë një ndeshje në fushën tonë dhe qe ka rëndësi të madhe për ne, ndaj edhe na duhen pikët. Vijmë nga një ecuri jo e mirë në javët e fundit, por kam besim se në duelin e radhës, përveç se do të japim maksimumin, ne do t’ia dalim që të marrim edhe 3-pikët sepse janë mëse të nevojshme për ne, për pozitat ku jemi në tabelën e renditjes. Ndeshjet janë delikate dhe kjo është faza që ne duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe të jemi të konsoliduar javë pas jave. Përballjet nuk i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe këtë e ka treguar përballja me to, por ekipet duhen vlerësuar të gjitha.

Dua të theksoj se në shtëpinë tonë ne duhet që të marrim pikët maksimale me çdo ekip edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Dinamo është nga ato ekipe që kërkon kreun e elitës, prandaj edhe në duhet që t’i bëjmë sytë katër. Jemi në kulmin e garës dhe rikthehemi në shtëpinë tonë pas 3-takimeve, ndaj duhet që të futemi në fushë me besim dhe optimizëm për marrjen e 3- pikëve. Duhet që të besojmë dhe guxojmë ndaj çdo ekipi, në çdo fushë”,- tha në mbyllje të prononcimit mbrojtësi i mallakastriotëve, lezhjani Aurel Marku që këtë sezon ka realizuar edhe 1 gola me Bylisin në kampionat, në disfatën 2-1 në Elbasan.

KUSHTET ATMOSFERIKE- Bylisi thuajse pjesë më të madhe të seancave i ka zhvilluar në reshje shiu, për shkak edhe të kushteve atmosferike. Trajneri Mirel Josa ka ndjekur programin stërvitur sipas planeve, ndërsa nuk kanë munguar edhe tifozët duke qenë se skuadra eshtë zhvendosur në kompleksin “Bylis”, në qendër të qytetit. Por, pritet që edhe sot të ketë tifozë në stadium për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës, duke qenë se në Ballsh vjen Dinamo, një nga ekipet me më shumë histori në vendin tonë. Në sfidat e luajtura në shtëpi, tifozët ballshiotë e kanë mbështetur maksimalisht skuadrën e tyre të zemrës.

PANORAMASPORT.AL