Luks për Milinkoviç, Partizani bëhet i frikshëm në prapavijë
Transferimi i Albion Markut është një lëvizje surprizë e Partizanit. Të kuqtë do të shtojnë kështu cilësinë në prapavijë dhe tashmë ndërtimi i skuadrës bëhet më i lehtë. Mladen Milinkoviç ka luksin që të ketë disa opsione zgjedhje. Konkretisht në krahun e djathtë janë dy futbollistë, që mund të bëjnë mjaft mirë si titullarë. Albion Marku dhe Karlos Martinez do të luftojnë për fanellën e titullarit te “demat”.

Në anën e majtë ndodhen dy futbollistë me eksperiencë te Partizani si Paulo Buxhelaj dhe David Atanaskoski. Qendra e mbrojtjes jep siguri ku ndodhen Marçelino Preka, Saliu Sembene, Mateo Çipi, Altin Bytyçi dhe Andi Janjeva. Dy të fundit mund të luajnë edhe në krahët e mbrojtjes. Partizanit prej kohësh i mungonte kjo garanci që tashmë do të gëzojë në mbrojtje. Asnjë skuadër tjetër e Superiores nuk e ka këtë numër futbollistësh për prapavijën.
PANORAMASPORT.AL













