Luhet me 15 të huaj në fushë dhe 14 në stol, Flamurtari dhe Bylisi i japin “lamtumirën” futbollit shqiptar
Futbolli shqiptar shumë shpejt do të flasë shumë pak, ose aspak, shqip. Vendimi për të liberalizuar numrin e të huajve duke e bërë pa limit, ka shfrenuar fantazinë ndërkombëtare të disa klubeve të cilat thuajse kanë hequr dorë plotësisht nga futbollistët vendas.

Ndeshja mes Flamurtarit dhe Bylisit sot e tregon qartësisht dhe për fat të keq, duket se ka shënuar edhe fundin e një prej shkollave më të njohura të futbollit shqiptar, atë vlonjate, që ka prodhuar disa nga emrat më të njohur në historinë e këtij sport në vendin tonë.
Dueli që hap javën e dytë në Superiore luhet me një numër të pabesueshëm lojtarësh të huaj në fushë, 15 të tillë. Por jo vetëm kaq, pasi në pankina mes dy ekipeve, janë edhe 14 të tjerë që presin momentin për t’u futur në fushën e lojës, në vende që kryesisht mbusheshin me alternativa nga futbolli vendas e shpesh edhe nga talente të akademisë.
Sa u përket lojtarëve shqiptarë, janë vetëm 7 të regjistruar si titullarë mes dy ekipeve dhe 6 të tjerë si zëvendësues. Një shuplakë e fortë për të gjithë fëmijët shqiptarë që ëndërrojnë që një ditë të veshin fanellën e skuadrës së qytetit të tyre dhe një fenomen që po shkëput gjithmonë e më shumë klubet nga baza e tyre lokale.
Flamurtari
Titullarë të huaj: Aleksovski, Urbaez, Skuadrone, Martines, Burard, Ememe, Veiga, Nunes
Titullarë shqiptarë: Trashi, Oshafi, Maksuti
Zëvendësues të huaj: Ramirez, Bolzan, Baeten, Bandali, Ramani, Todoroski, Çantakias
Zëvendësues shqiptarë: Kaloshi, Pjeshka, H. Marku
Bylisi
Titullarë të huaj: Vasho, Bruno, Peralta, Abubakar, Malomo, Muktar, Martins
Titullarë shqiptarë: Përndreca, Marku, Përgjoni, Abazaj
Zëvendësues të huaj: Koita, Kane, Adeduro, Ofori, Odaildo, Akibu, Ferreira
Zëvendësues shqiptarë: Beqaj, Skenderaj, Hodo
ERMAL KUKA – PANORAMASPORT.AL













