Lufta për “Final Four”, dueli për fatet e kampionatit në Rrogozhinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2026 | 20:39

Lufta për “Final Four”, dueli për fatet e kampionatit në Rrogozhinë

Egnatia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të zhvillojë këtë të premte në shtëpi ndaj Dinamos. Një përballje e rëndësishme dhe një duel direkt për objektivat e sezonit, ku çdo fitore ka vlerën e gjashtë pikëve. Për këtë arsye, në kampin bardhejeshil motivimi është në maksimum për të dalë me tre pikët, edhe pse të gjithë janë të vetëdijshëm se nuk do të jetë një sfidë e lehtë.

Egnatia-vs-Dinamo-City

PLANI I FITORES – Në Rrogozhinë e kanë të qartë se marrja e një fitoreje në këtë duel kërkon përqendrim maksimal dhe disiplinë taktike. Kundërshtari kërkon pikët për të konsoliduar pozitat në zonën e katërshes dhe për të mos rrezikuar objektivin sezonal, ndaj pritet një ndeshje e luftuar në çdo repart. Pikërisht për këtë arsye, trajneri Edlir Tetova ka punuar gjatë gjithë javës në aspektin taktik, duke përgatitur skuadrën si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në tranzicionin e shpejtë në sulm.

Kampionët synojnë të përsërisin paraqitjen e fazës së dytë në kryeqytet, ku arritën të imponohen me autoritet dhe të fitojnë falë një loje të kujdesshme dhe efikase. Në seancat stërvitore është vënë theksi te agresiviteti që në minutat e para, presioni i lartë dhe moslejimi i hapësirave për kundërshtarin, i cili ka cilësi të dukshme në repartin ofensiv dhe mund të ndëshkojë në çdo moment pakujdesinë. Një tjetër pikë ku Tetova ka insistuar është menaxhimi i fazës mbrojtëse, sidomos në goditjet standarde pranë portës.

Gjatë këtij sezoni, Egnatia ka pësuar disa gola të evitueshëm pikërisht nga situata të tilla, duke humbur pikë të rëndësishme në rrugën e saj. Për këtë arsye, organizimi në mbrojtje dhe përqendrimi maksimal në çdo top të ndalur janë kthyer në prioritet absolut. Nga ana tjetër, pritet që skuadra të kërkojë më shumë konkretizim në fazën sulmuese.

Lëvizjet pa top, shfrytëzimi i krahëve dhe goditjet nga distanca janë elementë që janë provuar gjatë javës, me synimin për të çarë një mbrojtje që zakonisht tregohet kompakte. Gjithashtu, ritmi i lojës pritet të jetë një armë e fortë, pasi bardhejeshilët synojnë ta diktojnë tempin dhe të mos lejojnë kundërshtarin të marrë iniciativën. Atmosfera në grup duket pozitive dhe skuadra është e vetëdijshme për rëndësinë e kësaj sfide në ecurinë e kampionatit. Një fitore jo vetëm që do të forconte pozitat në renditje, por do të rikthente edhe besimin e plotë pas luhatjeve të fundit në rezultate. Gjithsesi, gjithçka mbetet për t’u parë në fushën e lojës, aty ku idetë e trajnerit dhe përkushtimi i lojtarëve do të duhet të përkthehen në rezultat konkret.

Screenshot 2026-02-19 203821

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL