Lojtari i bardhebluve me rrëfim të veçantë, Vera: Tirana si Argjentina, dua kampionat më të fortë
Në vendin e tij ka lu ajtur me ekipet e të rinjve të River Plate-s. Më pas kaloi akademinë e të rinjve të ekipit kombëtar dhe më pas vendosi të transferohet në Europë. Për të ishte e vështirë që të përshtatej, por ai u “ngjit” pas futbollit dhe po kërkon të bëjë “kërcimin e madh” në një ligë të fortë.

Teksa udhëtonte për të luajtur një ndeshje në Kategorinë Superiore, Luçiano Vera, lojtari aktual i Tiranës, flet për të kaluarën dhe të tashmen e tij. Për vendimin që u largua nga Argjentina dhe për ndërtimin e një karriere në Europë, ka qenë kohë e vështirë për t’u përshtatur, duke jetuar në një vend të ftohtë si Sllovakia. Më pas në një vend më miqësor si Hungaria dhe një tjetër i ngjashëm me zakonet e tij argjentinase, Shqipëria.
KARRIERA – Nga ekipet e të rinjve të River Plate deri te ligat “pak të njohura”. Nga të qenit pjesë e ekipit të të rinjve të kombëtares argjentinase, deri tek ëndrra për të arritur një ligë të fortë në Kontinentin e Vjetër. Në moshën 23- vjeçare, mbrojtësi i djathtë i lindur në Uanda, nisi rrugën e tij në Europë. “Mundësia e parë për të shkuar në Sllovaki erdhi kur goditi ‘COVID-19’. Kisha luajtur në Kupën e Botës (U-17, Brazil 2019) dhe aty më pikasën.
Në River Plate po luftoja për një vend tek ekipi i dytë. Kuptova në atë moment se ishte e rëndësishme të kaloja në futbollin europian”, thotë Vera për “elterritorio”, një media argjentinase. Më pas mbrojtësi i djathtë sqaron me detaje situatën. “Sllovakët kontaktuan River Plate-n dhe lëvizja ndodhi brenda natës. E diskutova me familjen time dhe vendosa të kapja rastin. Nuk dija asgjë për vendin, por ishte një kontratë profesioniste dhe ma mbushi mendjen. Nuk bëra asnjë hulumtim, kështu që pranova”, rrëfen në fillim argjentinasi.
SLLOVAKIA – “Misionari” zbarkoi në Sllovaki për të luajtur me DAC Dunajska Stredan, një qytet i vogël pranë kryeqytetit Bratislavë dhe gjithashtu afër kufijve me Hungarinë dhe Austrinë. “E gjeta veten në një vend që nuk ishte i bukur. Ishte një qytet i vjetër, me shumë siguri, por i errët. Ishte e vështirë të përshtatesha me jetën”, rrëfeu djali nga Uanda. Më pas, ai vazhdoi të analizojë jetën në Sllovaki. “Në futboll, nuk ka jo (mospërshtatje), sepse lojtarët përshtaten shpejt. E dimë se është vetëm një mundësi. Kam jetuar në një hotel për atë një vit e gjysmë dhe kam vuajtur, sepse isha larg familjes sime. Për herë të parë jetoja vetëm. Ia dilja me ‘Google Translate’.
Për fat, në klub, kisha shokë skuadre që flisnin spanjisht. Klubi kishte një përkthyes, por jashtë më duhej të mjaftohesha me asgjënë. Mësova të jetoja. Të përshtatesha me një kulturë tjetër, dhe gjithashtu, në aspektin e futbollit, mësova të ‘jetoja’ më shumë si profesionist, meqenëse ishte i vetmi klub në qytet”, thotë Vera. HUNGARIA – Takimi i parë me Europën nuk ishte më i miri, por Luçiano tashmë e kishte nisur karrierën e tij profesioniste.
“Isha atje për një vit e gjysmë, pastaj u ktheva për të luajtur në Mendoza (me Deportivo Maipu në ‘Primera Nacional’) dhe pothuajse nënshkrova me Guaranin. U stërvita, u vendosa në Posadas, por presidenti i DAC nuk më lejoi. Kishte interes nga një klub hungarez, me një staf stërvitor spanjoll, që kishte parë profilin tim”, rrëfen argjentinasi, që kaloi lumin Danub dhe u transferua në Gyor për të luajtur për ETO FC. “Në Hungari ishte më bukur. Një qytet më i madh, një klub më i madh që ishte në Kategorinë e Dytë. Kishte më shumë tifozë, më shumë presion dhe shpejt rashë në sy. Më pëlqeu shumë të jetoja atje dhe mësova edhe gjëra të tjera. Ne po luftonim për ngjitjen. Ia arrita, kështu që qëndrova. Firmosa për dy vjet të tjera dhe munda të luaja në Kategorinë e Parë. Në Sllovaki, futbolli ishte shumë fizik. Në Hungari, janë shumë taktikë, sidomos në Kategorinë e Parë”, rrëfen mbrojtësi.
SHQIPËRIA – Luciano Vera u bazua te gjithë eksperienca që kishte grumbulluar, për të hedhur një hap tjetër në karrierën e tij: Shqipërinë. “Unë jetoj në Tiranë dhe Shqipëria është më shumë si Argjentina. Nuk e pata të vështirë të adaptohesha. Shkon në supermarket dhe atje ka ‘dulce de leche’. 50 për qind e njerëzve flasin spanjisht dhe 90 për qind italisht. Njerëzit janë shumë miqësorë. Ndihem i qetë”, thotë lojtari i KF Tiranës.
EMIGRIMI – Nga ditët gri dhe të ftohta të Sllovakisë, në një vend me zakone më të ngjashme me ato të Argjentinës. Koha kalon dhe Luçiano di të përfitojë nga kjo mundësi për t’u rritur, si brenda dhe jashtë fushës. “Është një vendim i vështirë për të emigruar, veçanërisht në futboll, që është një profesion shumë i veçantë. Ndonjëherë ‘treni’ kalon ‘një herë’, jo dy. Unë do t’i këshilloja ata që janë në këtë situatë ta mendojnë me kujdes, me familjet e tyre dhe vendimi që do të marrin është gjithmonë i duhuri”, këshillon lojtari, i cili ende ëndërron për një ligë të nivelit më të lartë dhe gjithashtu për kombëtaren argjentinase.
ARGJENTINA – Luçiano Vera ka qenë gjithmonë në ekipet e të rinjve të “Albiceleste”-s, që nga U-15-ta dhe është njohur me botën e kombëtares. Ka luajtur në Kupën e Amerikës së Jugut dhe Kupat e Botës me trajnerë si Pablo Aimar dhe Diego Placente. “Mbaj kontakte me Diego Placenten. Flasim herë pas here. Ai më pyet se ku jam dhe si po kaloj. Si lojtar, ëndrra ime është gjithmonë të luaj për kombëtaren, por tani për tani, duke pasur parasysh gjendjen e kombëtares së Argjentinës, nuk jam duke e menduar. Shpresoj që të kaloj në një ligë të madhe dhe të bëj emër. Tani po mendoj të rritem”, reflektoi ai për situatën e tij aktuale. Ai dhe rrëfeu se:
“Përveç të luajturit, duhet të jemi të shëndoshë mendërisht. Pas vdekjes së babait, ishte e vështirë për mua, jam duke punuar për këtë. Mbi mentalitetin tim. Në karrierë, dua të luaj në Kategorinë e Parë të Argjentinës, por nuk e kam pasur kurrë mundësinë”, tha ai, duke iu referuar një “ëndrre në sirtar”. Për momentin, energjitë e “emigrantit” janë të fokusuara për të bërë emër në Shqipëri. Për të avancuar në një ligë më prestigjioze futbolli dhe për të tërhequr vëmendjen e një ekipi me reputacion. Ai sheh me sy të mirë, vendet si Portugalia apo disa skuadra e ulëta nga ligat kryesore si Italia apo Spanja. Me më shumë pjekuri, Luçiano Vera po bën rrugën e tij në Europë dhe ëndërron të bashkohet me kombëtaren.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













