Lodhja dhe Fernando, “makthet” e Egnatias. Lushkja në periudhë “thatësire”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2025 | 8:52

Lodhja dhe Fernando, “makthet” e Egnatias. Lushkja në periudhë “thatësire”…

Egnatia doli e “dërrmuar” nga finalja me Dinamon, jo vetëm për faktin se nuk fitoi dot sërish Kupën, por edhe për energjitë e mëdha që shpenzoi në këtë përballje.egnatia120 minuta me ritëm të lartë, ku i duhej të sulmonte gjithë kohën, sepse ka qenë vazhdimisht në disavantazh, sollën një lodhje të madhe në kampin rrogozhinas. Nëse do të ishte ndeshja e fundit e sezonit nuk do të përbënte problem, por si për ironi të fatit, tani është kulmi i sezonit. Kampionët do të luajnë të hënën me Partizanin gjysmëfinalen e “Final 4” dhe shumë prej lojtarëve duhet të rikuperohen për një kohë të shkurtër.

PROBLEMET – Shqetësimi më i madh për momentin duket ai i Fernandos, që la lojën me barelë, edhe pse flitet thjesht për një kontraktim muskulor dhe gjasat janë që të jetë i gatshëm për skuadrën në këtë ndeshje. Përpos tij, edhe shumë lojtarë të tjerë kanë shfaqur probleme muskulore dhe mbetet për t’u parë sesa do të jenë në gjendje të riaftësohen plotësisht për të hënën. Pa llogaritur këtu që disa kanë vuajtur nga dëmtimet e shpeshta dhe nuk janë ende në formën më të mirë. Siç dihet, vazhdon të mungojë prej kohësh dyshja e mbrojtjes, Edison Ndreca dhe Renato Malota, duke e privuar jo pak Tetovën sa u përket zgjedhjeve që do të bëjë në formacion.

ASIST PËR KUNDËRSHTARIN – Ngjeshja e kalendarit edhe në të kaluarën gjatë këtij sezoni, ka shqetësuar jo pak Edlir Tetovën, por me atë që ndodhi në finalen e Kupës, duket se e gjitha është kthyer edhe në një “asist” për kundërshtarin, Partizanin. Me pak fjalë, më shumë sesa të merret me pjesën teknike të ndeshjes me të kuqtë, përgjatë këtyre dy ditëve Tetova duhet të shpresojë që t’i ketë të gatshëm të gjithë lojtarët. Të paktën, kampionët i favorizon formula, ku i mjafton edhe një barazim për të shkuar në finale dhe të mos tentojnë që në fillim të hidhen në sulm, por të menaxhojnë forcat.

“FRIKËSON” LUSHKJA – Të gjitha skuadrat shpresojnë që në fazën finale t’i kenë në kushte sa më optimale lojtarët. Për fat të keq, nuk mund të thuhet kështu për Egnatian. Sytë e rrogozhinasve këtë edicion për të gjetur golat kanë qenë nga Regi Lushkja, i cili ka shënuar 14 rrjeta në kampionat. Edhe pse një mesfushor, ai ka zgjidhur shpesh herë ndeshjet e kampionëve. Në finale me Dinamon ishte larg formës së tij, duke mos shfaqur rrezikshmërinë e pritshme në portën kundërshtare. Megjithatë, ajo që shqetëson më shumë ekipin e Tetovës është “shterpësia” e tij me gola në shtatë ndeshjet e fundit. Mes kampionatit dhe Kupës bëhet fjalë për plot shtatë takime që golashënuesi nuk shkon tek goli. Për herë të fundit, kavajasi ka gjetur golin në fitoren ndaj Bylisit 0-2, më datë 31 mars. Shpresohet që t’i ketë lënë golat për fazën finale.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL