Lista zyrtare/ Nga mungesat te dëmtimet dhe afrimet, Partizani me surpriza për Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2025 | 11:07

Lista zyrtare/ Nga mungesat te dëmtimet dhe afrimet, Partizani me surpriza për Europën

Partizani do të nisë të enjten rrugëtimin në Ligën e Konferencës. Turi i parë kualifikues i ka rezervuar përballë Kaljun.

partizani

“Demat” sfidojnë një rival estonez. UEFA ka publikuar listën e skuadrës që Skënder Gega i beson kualifikimin e turit të parë. Të gjithë lojtarët e Ohrit janë në dispozicion. Po ashtu edhe Ogunleje, që u bashkua në ditët e fundit të fazës përgatitore jashtë Shqipërisë. Mungon vetëm Zeka, të cilit iu zyrtarizua largimi dje. Në turin e parë, të kuqtë do të kenë të pranishëm edhe katër afrimet e verës.

MUNGESAT- Partizanit i dallohen tri mungesa në listën e UEFA-s, lojtarë të cilët janë pjesë e kryeqytetasve, por nuk ia dolën për turin e parë. Andi Janjeva dhe Redon Ismaili ndodhen në fazën e rikuperimit, pasi vijojnë të dëmtuar prej më shumë se një muaji. Në anën tjetër, Arshonzh Bintsuka është tjetër mungesë, që peshon jo pak. Partizani ia doli të bindë kongolezin për rinovimin. Fillimisht duhet të kthehet në Tiranë, për t’u bashkuar më pas me pjesën tjetër të grupit. Europa për momentin duket larg tij.

AFRIMET- Të kuqtë kanë disa të rinj në skuadër që duhet të shpërblejnë besimin e të gjithëve. Bëhet fjalë për futbollistë të afruar gjatë muajit qershor. Xhuliano Skuka mund të jetë i ri për Gegën, por jo për Partizanin. Sulmuesi i të kuqve është nga emrat e preferuar të tifozërisë së kuqe në vitet e fundit. Ndryshe do jetë për Vusal Isgandarlin në turin e parë. Azerbajxhanasi vjen si element që ka spikatur më parë tek Egnatia, ndërsa tashmë duhet të tregojë veten te Partizani. Judah Garsia dhe Karloz Martinez janë dy lojtarë që nuk kanë provuar asnjëherë kompeticionet europiane. Ndërthurja e këtyre elementëve te kryeqytetasit duket emocionuese, teksa mbetet për t’u parë si do funksionojnë bashkë.

TË RINJTË- Partizani ka disa të rinj që duhet të tregojnë veten në Estoni, për të fituar besimin për më tej. Kazem Ogunleje, Tedi Malaj, Oresti Rifa, Elson Himallari, Dion Vata dhe Nebi Qokthi kanë mundësinë që jo të gjithëve u vjen. Me përjashtim të Rifës dhe Qokthit, lojtarët e tjerë janë aktivizuar më parë nga Gega. 25% e skuadrës me talente tregon shumë për Partizanin e ri, që do të matë forcat në Europë.

MESFUSHA- Vetëm një repart mund të thuhet se shqetëson Partizanin. Të kuqtë janë përforcuar në mbrojtje dhe sulm gjatë qershorit, megjithatë munguan afrimet në mesfushë. Dhe pse të kuqtë kanë qenë në bisedime me disa lojtarë, konkretizimet kanë munguar. Rolin natyral në mesfushë e kanë aktualisht nga lista: Mehmeti, Kote, Shanaj, Ogunleje, Malaj dhe Vata. Tre të fundit nuk e kalojnë moshën 18 vjeç, ndërsa pritet t’u besohet përgjegjësi e madhe. Partizani po punon për të prezantuar të paktën dy mesfushorë. Dhe duhet të jenë liderë të vërtetë.

LARGIMET- Partizani ka nëntë të larguar, pikërisht lojtarë që i mungojnë nga fundi i edicionit të kaluar. I fundit ishte Agim Zeka. Më parë kanë mbyllur bashkëpunimin me të kuqtë Herolind Shala, Dmitri Podstrelov, Nikola Vujnoviç, David Domgjoni, Blesing Eleke, Gjelbrim Taipi, Anteo Osmanllari dhe Jozef Mintongo.fsdgfEMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL