Nga fillimi me Kombëtaren, Sherri: Ëndërr e realizuar, Kaljarit do t’i kërkoj minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2026 | 13:26

Nga fillimi me Kombëtaren, Sherri: Ëndërr e realizuar, Kaljarit do t’i kërkoj minuta

Alen Sherri debutoi me fanellën e Shqipërisë si ttiullar në takimin ndaj Izraelit, ku ishte një nga lojtarit më të mirë në fushë.

ALEN-SHERRI-KOMBETARJA

Gardiani shkodran bëri disa pritje shumë të mira, duke qenë vendimtar. Në një intervistë pas ndeshjes, Sherri u shpreh i lumtur duke pranuar se ka realizuar një ëndërr me debutimin te Kombëtarja.

Sherri, një ndeshje shumë e rëndësishme dhe një paraqitje e mirë personale. Si ndihesh dhe si e sheh në aspektin personal?
Fakti ishte se ishte ndeshja e parë. Vij nga një periudhë shumë e gjatë që nuk aktivizohem rregullisht dhe normalisht nuk ishte e lehtë. Por ajo që më dha më shumë shtysë ishte fakti që po bëja debutimin me Kombëtaren dhe ishte një ndjesi krejt e veçantë. Kisha shumë emocione, që do të thotë se në momentin që këndova himnin për herë të parë në fushë ishte diçka tjetër dhe u pushtova krejtësisht nga emocionet. Pastaj më vjen shumë mirë për paraqitjen. Besoj se ishte pozitive për mua. Besoj se ishte pozitive, por ndihem shumë keq për rezultatin, sepse nga mënyra se si u zhvillua loja, mendoj që minimumi që duhet të merrnim ishte një barazim dhe besoj se ai minimum ishte i merituar. Por u ndëshkuam me një gol dhe fatkeqësisht rezultati është 1-0.

Trajner i ri, por që të beson portën që prej fillimit. Patët një bisedë me trajnerin më parë dhe çfarë të tha?
Po, kemi pasur një bisedë, pasi me trajnerin na lidh edhe fakti që ai ka qenë më përpara te ekipi ku unë jam aktualisht. Kishim një bisedë më shumë për klubin sesa për këtë aktivizim, sepse nuk e dija për aktivizimin deri para ndeshjes. Jam shumë i lumtur dhe është një përgjegjësi shumë e madhe. Normalisht ishte një ndjesi tepër, tepër e veçantë, por shpresoj t’ia kem shpërblyer sadopak besimin që ma dha.

Meqë e përmendët pak klubin dhe trajnerin, a ju ka kërkuar që të mendoni për një të ardhme tjetër ku të keni më shumë minuta?
Nuk kemi pasur një bisedë për këtë gjë, por besoj që ajo është normale. Është diçka që edhe unë e kërkoj nga vetja, pasi vij nga një periudhë goxha e gjatë që nuk aktivizohem dhe besoj se objektivi kryesor është aktivizimi. Nëse te ekipi do të kem pak hapësira, besoj që edhe unë dhe klubi do të gjejmë një mënyrë. Kjo do të jetë një nga kërkesat e mia kryesore për sezonin e ardhshëm.

Cili mendoni se është shkaku kryesor i humbjes me Izraelin?
Unë besoj se çdo ndryshim i tillë kërkon kohë. Është një trajner i ri, me ide të reja. Po provon me ne gjëra të reja dhe kur provon gjëra të reja mund të ketë edhe gjëra që nuk funksionojnë mirë. Mendoj se bëmë disa gabime dhe ishim pak të ulët në mbrojtje në disa momente. Pastaj kundërshtari përfitoi nga ato situata. Kështu që do të korrigjojmë të gjitha gjërat që nuk shkuan mirë në fazën defensive, por besoj se është thjesht ndeshja e parë me këtë ide të re

PANORAMASPORT.AL