Humbja në miqësore, Asllani e sheh ndryshe nga Maran: Luajtëm shumë mirë, nuk e di pse nuk shënojmë
Shqipëria e nisi me humbje aventurën me trajnerin Rolando Maran në një ndeshje kundër Izraelit, aty ku një gol i shënuar në pjesën e dytë, ka vendosur fatin e takimit.

Pas ndeshjes, mesfushori Kristjan Asllani u ndal në një intervistë të dhënë për mediat e pranishme në stadium, ku analizoi humbjen me izraelitët dhe foli për takimin e radhës. Pavarësisht humbjes me rezultat minimal, mesfushori Asllani u shpreh se kishte sinjale pozitive nga ky takim. Por mesfushori duket se ka ide të ndryshme nga trajneri Maran, i cili theksoi se ekipi bëri më keq në pjesën e dytë, pasi Asllani është i bindur që Shqipëria rregulloi lojën e saj pas pushimit.
Asllani, nis me humbje me Maran. Sa ju kënaq paraqitja?
Jo, e lëmë rezultatin për këtë ndeshje. Besoj që ka qenë një aspekt pozitiv, sepse nuk ishim mësuar me këtë presing. Këtë herë kemi bërë shumë presing në të gjitha repartet. Gati kemi luajtur një kundër një. Jemi të lumtur dhe do të mësojmë akoma më shumë. Tani duhet të punojmë akoma më shumë me trajnerin dhe të shohim çfarë do të na kërkojë më tej, por besoj që ka qenë një ndeshje pozitive. Jo për rezultatin, por si ndeshje besoj se po, sepse kemi luajtur, kemi bërë presing të lartë. Çfarë të them…
Ka një Shqipëri më ofensive nën urdhrat e trajnerit Maran. Ndërkohë, çfarë ju ka pëlqyer më së shumti?
Po, e vërtetë. Trajneri na tha të provonim atë që kemi provuar gjatë stërvitjes. Jemi të kënaqur për ndeshjen që kemi bërë, besoj, por e dimë që na duhet një rezultat pozitiv, sepse na duhen golat. Kemi pasur disa raste dhe tani duhet të fitojmë ndeshjen me Luksemburgun.
Të shtunën luani me Luksemburgun. Çfarë do të bëjë ndryshe Shqipëria?
Po, shpresoj që të marrim fitore. Sigurisht që do ta mbajmë topin akoma më shumë, sepse besoj që kemi humbur disa topa 50 me 50. Siç thashë, kemi luajtur. Për mua, skuadra ka bërë shumë mirë. Pjesën e parë kishim pak vështirësi dhe hezitim, sepse ata luanin me dy mesfushorë dhe ne nuk dinim ku të shkonim në presing. Një para, një mbrapa, kemi pasur disa probleme. Pastaj folëm këtu në pushimin e pjesës së parë dhe në pjesën e dytë kemi shkuar gati një kundër një dhe kemi bërë shumë mirë.
Në këto ditët e para me trajnerin Maran, çfarë ka sjellë ndryshe në stërvitje nga ish-trajneri Silvinjo?
Siç thashë, ju e keni parë besoj këtë ndeshje. Ka sjellë shumë presing nga çdo lojtar, presing të lartë nga të gjithë, nga sulmuesit, nga mesfushorët, nga mbrojtësit. Kështu do të provojmë akoma më shumë në stërvitje dhe të mësojmë, e pastaj gjërat do të shkojnë akoma më mirë.
Asllani, presing i lartë thuhej se keni zhvilluar gjatë ndeshjes me Izraelin, por çfarë mund të ketë munguar për të gjetur golin?
Nuk e di. Ne duam ta bëjmë golin, nuk është se nuk do ta bëjmë golin. Nuk e di çfarë mungon. Kemi pasur disa raste. Kam pasur edhe unë një rast përpara portës, kemi pasur raste me Mehmetin në fillim të pjesës së parë, kemi pasur raste edhe këtë ndeshje, por nuk e di. Duhet të punojmë akoma më shumë. Siç thashë, po punojmë me trajnerin. Na ka kërkuar shumë presing, na ka kërkuar të mbajmë topin dhe do të provojmë akoma më shumë ta mbajmë topin, të bëjmë presing të lartë dhe duhet të fitojmë ndeshje, sepse kjo është ajo që na duhet tani.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













